Fundamenti

Dorëzimi i liderëve përballë Tribunalit

/ 3 minuta lexim

Politikanë dhe analistë kosovarë nuk e kuptojnë arsyen se pse liderët politikë janë të heshtur për çështjen e Tribunalit, i cili do t’i hetojë krimet e supozuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sipas tyre, kreu politik i vendit as që do të pyetet nga ndërkombëtarët për këtë çështje të rëndësishme.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Kransiqi, tha për Telegrafin se vendimi për formimin e Tribunalit po lidhet me diskutimin për vazhdimit të mandatit të EULEX-it në Kosovë.

Sipas tij, është e çuditshme kërkesa për formimin e një Gjykate, e cila do t’i gjykoëj krimet e supozuara të UÇK-së.

I pyetur, nëse formimi i Tribunalit do të ngjallë reagime në mesin ish pjesëtarëve të UÇK-së, Krasniqi ka thënë se nuk e di se si mund të rrjedhin gjërat, shkruan Telegrafi.

“Formimi i Tribunalit dhe tendenca për kriminalizimin e luftës së UÇK-së, është në vazhdën e luftës që po bëhet për ta diskredituar qëllimin fisnik të qytetarëve të Kosovës për liri. Formimi i Tribunalit merr shkas nga raporti i asambleistit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i njohur si dashamirës i Serbisë dhe kundërshtar i luftës së UÇK-së. Mua më tepër më befasojnë liderët politikë, veçanërisht Qeveria e Kosovës, që me aq lehtësi i pranojnë si normale vendimet në lidhje me çështje më rëndësi të madhe”, ka thënë Krasniqi për Telegrafin.

Analisti Imer Mushkolaj dyshon që vendimi për Tribunalin do të prodhojë ndonjë revoltë të madhe në mesin e ish luftëtarëve të UÇK-së, për shkak se, sipas tij, organizatat të cilat e përfaqësojnë këtë kategori janë nën kontrollin e shefit të Qeverisë së Kosovës.

Fidanishtja

Ai ka theksuar se duhet të shihen arsyet se pse po do të formohet ky Tribunal dhe cilat janë pretendimet e tij.

“Unë mendoj se mospuna e prokurorëve vendas, të cilët të fshehur, një herë nën petkun e UNMIK-ut, pastaj nën petkun e EULEX-it, është një alibi tjetër për formimin e këtij Tribunali. Unë nuk e di madje as një emër të ndonjë prokurori, i cili është shquar për çuarjen e ndonjë rasti deri në fund. Mendoj se Kosova tashmë është në një situatë aspak të favorshme, këtë po e vërteton edhe heshtja e politikës përballë formimit të Tribunalit”, ka thënë Mushkolaj.

Në një komunikatë për media, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pranuar themelimin e një Tribunali që do të hetojë krimet eventuale të UÇK-së.

“Institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe tha se ky proces do të përqendrohet në individë dhe nuk është gjykim i përpjekjeve të përbashkëta të vendit për çlirim”, ka thënë Jahjaga.

Për dallim nga presidentja, Kryeministri Hashim Thaçi nuk ka pranuar të përgjigjet rreth kësaj çështjeje./Telegrafi/