Dorëheqjet e njëpasnjëshme në “Vetëvendosje”

Vetëm një ditë pasi deputeti i “Vetëvendosjes”, Dardan Sejdiu, dha dorëheqje prej pozitave drejtuese të partisë, postet udhëheqëse gjatë ditës së djeshme i lëshoi edhe deputetja tjetër e këtij subjekti, Shqipe Pantina.
Dorëheqjet e njëpasnjëshme prej pozitave brenda partisë nisën të vijnë pas shpërfaqjes së problemeve të brendshme, pikënisjen e të cilave e shënoi publikimi i disa bisedave private mes deputetëve, ku deputetja Aida Dërguti shihej ta ketë ofenduar ish-liderin, Albin Kurti, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Vetëm tri ditë pas publikimit të bisedës Dërguti ishte dorëhequr nga të gjitha pozitat drejtuese të partisë.
Ndërkohë, në shenjë mospajtimi me ndodhitë e fundit të njëjtin veprim në fillim të kësaj jave e bëri edhe Visar Ymeri, i cili deri atëherë ishte në pozitën e kryetarit të partisë.
Ndërkaq gjatë ditës së djeshme, pos Pantinës, dorëheqje dha edhe anëtari i Kryesisë së “Vetëvendosjes”, Zgjim Hyseni.
Pantina: Shpifjet më kanë bërë të besoj se LVV-ja nuk është ajo së cilës i jam bashkuar
Deputetja e LVV-së, Shqipe Pantina, ka konfirmuar dje për gazetën “Zëri” se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat drejtuese të partisë.
E ndonëse nuk ka dashur të komentojë më shumë rreth kësaj, Pantina përmes letrës së dorëheqjes ka thënë se një vendim të tillë e ka marrë pas zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur brenda subjektit.