RCCOLA

Dora e pajtimit dhe zemra e thyer

/ 6 minuta lexim

Gjilan – Mbrëmja e 20 prillit 2013 për familjen Avdyli nga Dobërçani dhe familjen Maroca nga Hodonoci ishte më e errëta në këtë jetë. Nga aksidenti automobilistik në magjistralen Gjilan-Kamenicë, në hyrje të fshatit Kmetoc, humbi jetën Fitore Destan Maroca, kurse u lënduan ngasësi i veturës Fehmi Zija Avdyli dhe dy bashkudhëtarët Arton Halili e Agon Surdulli. Përderisa familja Maroca nga Hodonoci varrosi vajzën e re Fitoren, familja Avdyli nga Dobërçani mbeti e ngujuar.

Një ligj i pashkruar, por që rrënjët i ka në kohën e Kanunit. Jo se ishte një aksident i qëllimshëm, por vetëngujimi sikur ishte i nënkuptueshëm. Pa pritë e pa kujtue, siç thotë populli, u mbyll dera e familjes Avdyli. Të vetëdijshëm për rregullat e traditës shqiptare, familjarët e Fehmi Avdylit disa herë kishin dërguar njerëz për kërkimfalje nga familja Maroca.

Padyshim, humbja e jetës së Fitores ishte e dhembshme, jo vetëm për këto dy familje, por edhe për gjithkënd që kishte dëgjuar për këtë rast. Rasti kishte rënë edhe në vesh të veprimtarit dhe ish të burgosurit politik Shefik Sadikut nga Hodonoci.

Pa dashur që të jetë vetëm spektator i ngjarjes Shefiku ndërmerr një aksion sa bujar po aq edhe njerëzor – pajtimin e këtyre dy familjeve. Ai i njihte që të dyja familjet. Ishte aksident rasti dhe jo i qëllimshëm. Ai shkon te të dy familjet për t’i ngushëlluar dhe nuk ndalet vetëm me kaq.

Menjëherë nis procesin e pajtimit.Pa humbur kohë kontakton gjyshin (nga nëna) të Fitores, Fahredin Konçulin nga Berivojca e Dardanës (i cili dha kontribut të çmueshëm në këtë rast) dhe shkojnë te Destan Maroca (babai i Fitores) për të ndërmjetësuar pajtimin me familjen Avdyli.

Në familjen Maroca ishin mbledhur Destani e Qefserja (prindërit e Fitores), gjyshi Ymeri, axhallarët Behluli e Ibrahimi si dhe axha i Destanit, Ademi. Ishte vështirë të gjendeshin fjalët ngushëlluese dhe aq më tepër ato të pajtimit, por burrëria nuk blihet, ajo ose është e lindur ose mungon fare. Te familja Maroca kjo burrëri ishte e lindur dhe e kultivuar. Vetë gjyshi i Fitores së ndjerë, Ymeri, duke e parë synimin dashamirës të Shefik Sadikut e kishte marrë fjalën për t’u shprehur: „Uroj që kurrë të mos përsëriten këso fatkeqësi që po na i çojnë të rinjtë në dhè para kohe“. Me zemër të thyer, por burrërisht u shpreh edhe babai i Fitores, Destani: „Dhashtë Zoti e të jetë Fitorja ime viktima e fundit në komunikacion. Uroj që të mos dëgjoj më për humbje të të rinjve, sepse vështirë qenka ta varrosësh vajzën 22-vjeçare; në kohën kur asaj duhej t’i përgatitej dasma ne po ndahemi përjetësisht nga ajo“. „Kam pritur t’ia shoh krushqit e t’ia bëjmë dasmën me mundësitë tona, por ndodhi e kundërta; krushqit na u shndërruan në xhematë dhe e çuem Fitoren në varr – i shkoftë shpirti në xhehnet! Zoti paska thënë kështu“, kumbuan burrërisht fjalët e nënës Qefsere, për të vazhduar: „jemi të vetëdijshëm se edhe vozitësi nuk e ka dëshiruar vdekjen e vajzës tonë e aq më pak familja e tij. Zotit i kofshim falë, ai ka thënë kështu dhe ne duhet të pajtohemi dhe t’ia falim familjes Avdyli“.

Mobi Casa

Pas këtyre fjalëve të dhembshme të prindërve dhe të të pranishmëve tjerë, gjyshi i Fitores, Ymer Maroca ia shtriu dorën e pajtimit ndërmjetësit Shefik Sadikut, të cilin e obliguan që të shkojë në Dobërçan për t’ia kumtuar lajmin e pajtimit të familjes Maroca me familjen Avdyli.

Të nesërmen, më 21 prill, Shefik Sadiku shkon në familjen Avdyli në Dobërçan. Në dhomë ishte i shtrirë në shtrat i lënduari Fehmi Avdyli. Prindërit e Fehmiut, Zijahun e Ibadeten i kishte kapluar një qetësi absolute.

Me ata ishin edhe axhallarët e Zijahut, Zylfiu, Lutfiu e Avdyli si dhe kushërinjtë Jasmini, Jetullahu, Arlindi dhe dhëndri Jusufi. Qetësinë e çau Shefik Sadiku i cili mori fjalën për t’ua kumtuar lajmin e pajtimit: „Në emër të familjes Maroca jua shtrij dorën e pajtimit, sepse edhe ata ndiejnë dhembje, sa për humbjen e vajzës së tyre, Fitores, po aq edhe për familjen tuaj që djali juaj, pa dashje, është aksidentuar në trafik e ku si pasojë ka vdekur Fitorja. Dora e pajtimit iu shtri më të moshuarit, Zylfiut i cili me këtë rast u shpreh: „U jemi mirënjohës për jetë e mot familjes Maroca. E bashkëndiejmë me keqardhje vdekjen e parakohshme të Fitores. Vlerësojmë lartë konstatimin e familjes Maroca se djali ynë Fehmiu këtë aksident e ka shkaktuar pa dashje. Urojmë që shembulli i familjes Maroca të jetë model se si shtrihet dora e pajtimit dhe me lotë në sy edhe Zylfiu uroi që ky rast të jetë i fundit, duke e falënderuar edhe njëherë familjen Maroca për gjestin njerëzor dhe burrëror.

Po këtë mbrëmje Shefiku bashkë e familjen Avdyli nga Dobërçani (Zijahu e Ibadetja) të shoqëruar edhe nga kushërinjtë Fejza e Jetullahu shkojnë për ta vizituar familjen Maroca në Hodonoc e cila i priti dinjitetshëm familjarët e Fehmi Avdylit.

Të shpresojmë që së paku rrugët tona të jenë më në nivel në mënyrë që të shmangen aksidentet në komunikacion, si pasojë e rrugëve të dëmtuara. Xhevdet Kallaba./rajonipress/