Domatja mund të kultivohet në Anamoravë

Gjilan – Domatja zakonisht është kultivuar në tokat e Vitisë dhe realisht Anamorava ka potenciale të shumta për ta kultivuar atë dhe shumë produkte tjera me të cilat dikur është krenuar ajo thonë ekspertët.
Komuna e Ranillugut në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, në kuadër të programit “përshpejtimi i zhvillimit rural” ka realizuar edhe një ligjëratë në temën “prodhimin e domates”.
Ligjërata, e cila u mbajt në sallën e Kuvendit në Domorovc e ku morën pjesë fermerët nga komuna e Ranillugut të cilët kanë mundur të mësojnë diçka më shumë në lidhje me kultivimin e domateve, metodat dhe kushtet që janë të nevojshme për kultivimin e këtyre perimeve, u tha se Anamorava është teren i mirë për kultivimin e domates.
Ligjëruesit nga Universiteti i Prishtinës kanë diskutuar gjithashtu rreth varieteteve që janë të zakonshme, të tokës ku ato rriten, si dhe dëmtuesit dhe sëmundjet që shkatërrojnë ato.
Ligjërata u mbajt nga profesorët e Fakultetit të Bujqësisë në Prishtinë. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Drejtorisë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Edhe Shaban Terziu agronom nga Gjilani thotë se domatja zakonisht është prodhuar në tokat e Vitisë dhe Anamorava ka potenciale të mëdha për ta zhvilluar atë. “Dikur kishim qindra hektar në tokë të hapur me domate, kurse tani po shfrytëzohen serrat edhe pse shumë më pak. Anamorava duhet t`i kthehet tokës dhe të kultivojë si dikur domaten dhe të gjitha produktet tjera me të cilat edhe është krenuar” tha Terziu./rajonipress/