Fundamenti

Doli numri më i ri jubilar i revistës së enigmatëve “Horizonti”

/ 5 minuta lexim

Nga Rexhë Hasani – Redaktor i revistës “Horizonti” . Pas një kohe bukur të gjatë, përsëri shfaqet para jush revista më e popullarizuar dikur në Kosovë, “Horizonti”.

Ajo këto ditë doli nga shtypi për t`u paraqitur në horizont dhe njëkohësisht për t`i plotësuar kërkesat e enigmadashësve shqiptarë kudo që flitet shqip. Numri më i ri jubilar i ”Horizontit”, shënon një jubile të punës 31-vjeçare të enigmatëve gjilanas dhe të gjithë atyre enigmatëve shqiptarë që bashkëpunuan me këtë revistë.

Numri i ri i lansuar tashmë në treg, adhuruesve të fjalëkryqeve ju ofron lloje të ndryshme të enigmave. Me një thyerje teknike mjeshtërore dhe me një fizionomi të paparë ndonjëherë, ky numër i ri i “Horizontit”, kohën e lirë tuajin, do të ju bëjë me shumë të relaksuar.

Kështu, 31 vite më pare, (nga historiku i “Horizontit”) pikërisht në janarin e vitit 1981, të rinjtë gjilanas – entuziast të enigmologjisë nxorën në dritë revistën e enigmatëve me titull, “Horizonti”, me synim që edhe këtë veprimtari specifike krijuese, e cila në mënyrë të organizuar mungonte në tërë hapësirën shqiptare, ta vejë në themele të shëndosha krahas popujve të tjerë të botës.

Nismëtari dhe ideatori i revistës së enigmatëve “Horizonti”, ishte dr. Zijadin Hasani, i cili mblodhi rreth vetes bashkëmendimtarë të enigmatikës, si; Xhelal Selmani, inxhinier, Fadil Dërmaku, inxhinier, Rasim Vllasaliu, piktor akademik, më vonë iu bashkuan edhe Shemsedin Kryeziu, inxhinier, Xhevat Ruhani, albanolog, Abdylmexhit Selmani, inxhinier, Rexhep Hasani, gazetar etj. Numri i parë i përgatitur në lokalet e Bibliotekës së qytetit dhe e shtypur dhe sponsoruar nga shtypshkronja e Gjilanit, “Grafoprint” (ish prosveta) me një tirazh modest prej 500 copë, ku për një kohë arriti edhe në 20 mijë ekzemplarë, duke u shpërndarë në tërë Kosovën por edhe në Luginën e Preshevës, që njëherit më pas kishte bashkëpunëtorë besnik nga kjo trevë.

Me fare pak përkrahje e mirëkuptim , por me një vullnet të çeliktë, enigmatët gjilanas bënë çmos ta popullarizojnë, por edhe të krijojnë enigmatikën moderne, gjithnjë duke tubuar rreth vetes krijuesit e kësaj lëmie të veçantë, një përzierje të letërsisë, publicistikës e shkencës, apo kulturës, arsimit, informatikës e argëtimit.

Për një kohë të shkurtër, kjo revistë e parë e pavarur edhe gjatë kohës së monizmit, u bë tribunë e vërtetë e kultivimit të enigmatikës shqiptare mjaftë të begatë, edhe nga tradita e krijimtarisë popullore.

Mobi Casa

Me një fizionomi, koncept e program të qëlluar, ndonëse në kushte të vështira materiale e në rrethana të shtrënguara edhe nga censura e kohës, revista “Horizonti” ishte përcjellëse besnike e kalendarit të datave, personaliteteve e ngjarjeve më të lavdishme të së kaluarës sonë kulturore, historike dhe të traditës, me numra tematikë e përmes të të gjitha llojeve të krijimtarisë enigmologjike. Në një prononcim kolegial, romancieri ynë i njohur Musa Ramadani thoshte: “kur gazeta “Rilindja”, harronte ndonjë datë me rëndësi historike, na përkujtonte revista “Horizonti”.

Enigmatika në faqet e “Horizontit” paraqet një formë specifike të kulturës shpirtërore të njeriut, gjë që është e natyrshme sepse ajo ishte zhvilluar krahas me përparimin e kulturës në përgjithësi të popujve të ndryshëm, përmes formave klasike të enigmave, që kaherë kanë mbetur prapa nesh dhe janë mbuluar me forma të reja, më përmbajtësore, artistikisht dhe estetikisht të përpunuara.

Enigmatika sot ka arritur atë shkallë të zhvillimit, sa që mund të flasim për një plejadë të autorëve të enigmave gjegjësisht të enigmatëve, problemet enigmologjike të të cilëve me siguri paraqesin vlerë të lartë, posaçërisht enigmat që janë shkruar në vargje (enigma të rimuara). Themi kështu ngase kjo nuk është dukuri e rastësishme por pasojë e zhvillimit të enigmatikës në tërësi, e cila, sipas leksikonit definohet si “mjeshtëri e përpilimit dhe e zgjidhjes së enigmave”.

Në qarqet enigmologjike shpesh shtrohet pyetja se ç`është enigmatika? A është gazetari, letërsi apo diç tjetër? Është konstatuar se duke i zgjidhur enigmat bëhet aktivizimi i funksioneve të caktuara psikike, influencohet në proceset e të menduarit, gjë që dëshmon rolin e saj psikologjik dhe logjik. Praktika ka dëshmuar se enigmatika, edhe pse nuk gjendet në qendër të të ashtuquajturës “kulturë masive” – është argëtim shumë i dobishëm shoqërorë.

Ky përvjetor dhe botimi i sërishëm i revistës “Horizonti”, pas një kohe të gjatë, shënon një rrumbullaksim të punës së redaksisë së revistës “Horizonti”, e cila gjithsesi do të shtojë shkallën e zhvillimit të kësaj veprimtarie mjaftë të dobishme shoqërore.

Nëse ju bie në dorë numri më I ri I revistës “Horizonti”, shfletoni atë dhe besoj se do ju ngjallë nostalgjinë e dikurshme të kësaj reviste e cila ka qenë pjesë e çdo familje kosovare. Urojmë që “Horizonti”, të vazhdojë traditën enigmologjike dhe për nderë të 100-vjetorit të shtetit shqiptarë, ta festojë edhe ajo shekullin e vet krijues. /rajonipress/