Uji Dea

Doli nga shtypi romani për fëmijë “Ëndrra e malit” i shkrimtarit Bilall Maliqi

/ 5 minuta lexim

Doli nga shtypi libri më i ri, romani për fëmijë me titull “Ëndrra e Malit” i shkrimtarit Bilall Maliqi, botues shb “Lena” Prishtinë, 2022.

Lidhur me vlerat artistike të librit, redaktori i librit, shkrimtari i njohur, Odise Plaku, në
pasthënien e librit shkruan:
Një roman ku ëndrra forcon dashurinë për tokën e të parëve

Teksa lexoja biografinë e shkrimtarit Bilall Maliqi më tërhoqi vëmendjen fakti që romani “Ëndrra e Malit” ishte e tridhjetë e gjashta në listën e krijimtarisë së tij. Një shifër për t’u admiruar dhe gëzuar. Ajo që më shton akoma gëzimin për punën krijuese të mikut tim, është pikërisht përqendrimi tij në letërsinë për fëmijë, duke na sjellë një tjetër vepër interesante dhe tërheqëse për këtë grupmoshë.

Nëse titulli të joshte ta lexoje, mënyra e ndërtimit të kësaj vepre ishte narrative me elemente të së panjohurës duke të shtyrë ta lexosh nga fillimi deri në fund me një frymë. Një djalosh shkolle, Mali, ndërmerr një aventurë për të vizituar vendlindjen e të parëve të tij i shtyrë dhe ngacmuar pikërisht nga vetë rrëfimet e gjyshit të tij, Bim. A është ky një udhëtim i thjeshtë? Një aventurë fëmijërore e mbushur me kureshtje dhe të papritura që jo vetëm do ta mbajnë situatën në çdo çast plot me emocion, por autori ka ditur edhe të përcjellë informacione gjeografike, bimësisë, kafshëve, plot situata të bukura në takimet e tij edhe me bariun apo mbretin Mal që ka të njëjtin emër me djaloshin e aventurës sonë.

Është një gjetje e veçantë e shkrimtarit Bilall Maliqi për ta çuar sa më afër botës së fëmijës të gjithë këtë ndodhi dhe për këtë vlen të përgëzohet. Me një stil të rrëfyeri, por edhe krijimit të situatave të veçanta e bëjnë këtë roman një tjetër shtesë në krijimtarinë për fëmijë. Me meritë do të themi që këto zhanre janë më të pakta krahasuar me poezitë që përmblidhen në vepra të tjera.

Një udhërrëfyes si lepuri veshgjatë do ta shoqërojë në udhëtimin e tij duke e çuar vend e pa vend drejt rrugës për në fshatin e gjyshit të tij. Këtu autori si një piktor i mirë fillon dhe gdhend ngadalë pamjet piktoreske dhe një natyrë të harlisur në pyll. Në lëndinë sytë e tij do të shohin fluturën e bukur që edhe pse e dëshironte si një dhuratë për mësuesen nuk arriti ta zinte, apo për gjarprin që nuk e sulmoi pasi gjyshi ia kishte lënë amanet mos ta trazonte pasi dhe ai nuk do ta sulmonte.

Fundamenti

Autori përpiqet që gjuha e përdorur në shkrimin e këtij romani të jetë sa më e thjeshtë e kuptueshme, por pa lënë jashtë dore mjetet stilistike dhe gramatikore që e bëjnë akoma dhe më të pëlqyer. Ndoshta shpjegimi sintaksor apo morfologjik do të ishte i tepërt për lexuesit e vegjël, ndërsa për studiuesit e letërsisë për fëmijë do të përbënte një fushë kërkimi jo vetëm për anën ndërtimore, por edhe atë gjuhësore të sjellë në këtë vepër si vlera të shtuara.

Me tepër emocion përcillet marrëdhënia e Malit tonë dhe të mbretit Mal që krijon situata të këndshme, dhe plot risi. Për autorin gjetja e situatave sa më të veçanta besoj nuk ka qenë e lehtë. Një ndër të bukurat e këtij romani është vizita në shpellë dhe banori i vetëm i saj që me varkë transporton kohën nga një anë në tjetrën. Po ashtu bukur janë qëndisur dhe marrëdhëniet e xha Bariut me teta Fatë për të cilën Mali mërzitet, kur bashkëshorti i saj e quan “plakë”.

Shumë gjëra do t’ua lëmë fëmijëve dhe kritikës në vijim për t’i zbuluar, por kurrsesi nuk mund të ikin pa marrë emocionet e pjesës së fundit të romanit, të shqetësimit të prindërve për gjendjen shëndetësore të Malit dhe ëndrrës së tij që i kishte zgjatur një javë. Gjyshi Bim me atë dashurinë e tij merr përsipër premtimin që së shpejti me Malin do shkojnë të vizitojnë vendin dhe shtëpinë e tyre.

Me mjaft vlerë është përcjellja e mesazhit se pavarësisht jetës së re që mund të ndërtosh në qytet rrënjët e të parëve nuk duhen harruar kurrë.

Mbesin në pritje të romanit të radhës për të zbuluar se ku do ta na çojë fantazia e autorit të dashur dhe të mirënjohur Bilall Maliqi./rajonipress/