Fundamenti

‘Dokumentacioni i tij është në rregull, super-futbollisti është i gatshëm për Kosovën’

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do t’i zhvillojë dy ndeshje të rëndësishme në fillim të muajit shtator, në kuadër të eliminatoreve për kampionatin evropian “Euro 2020”.

Fillimisht më 7 shtator “Dardanët” e presin Republikën e Çekisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e pas tri ditësh udhëtojnë drejt Southamptonit, për t’u përballur me Anglinë, shkruan Zëri.info.

Edhe në këto dy ndeshje përzgjedhësi Bernard Challandes do të përballet me lëndime të shumta të futbollistëve.

Herolind Shala, Hekuran Kryeziu, Milot Rashica dhe Arbër Zeneli janë katër futbollistët të cilët edhe zyrtarisht do t’i mungojnë Kosovës në dy ndeshjet e muajit të ardhshëm.

Sikur të mjaftonte vetëm kjo, Kosova përballet edhe me një problem tjetër.

Bëhet fjalë për situatën e palakmueshme të tre portierëve, që së fundmi kanë mbrojtur ngjyrat e Përfaqësueses së Kosovës.

KKVITI

Arijanet Muriçi ka pësuar rënie në formë që prej kalimit në huazim te Nottingham Foresti, derisa e ka humbur edhe vendin e titullarit, ndërkaq Samir Ujkani është pa ekip, kurse Visar Bekaj nuk ka luajtur tash e disa muaj për Prishtinën, pasi pritet të transferohet jashtë vendit.

Ndihmëstrajneri Muhamet Sahiti në një bisedë me gazetën “Zëri” tregon se te Kosova ka pritje të mëdha, për shkak të fondit të jashtëzakonshëm të lojtarëve që posedon trajneri Challandes, derisa grupit do t’i bashkohet edhe mesfushori i Hannoverit Florent Muslija, kurse Ibrahim Dresheviç është i gatshëm, pasi që e ka marrë lejen nga FIFA dhe është pajisur me pasaportë të Kosovës.

Në ndeshjet e muajit qershor kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë trajneri Bernard Challandes ftoi për herë të parë dy futbollistët Ibrahim Dresheviç dhe Ylldren Ibrahimaj.

Të dy futbollistët në fjalë nuk debutuan për Kosovën shkaku i dokumentacionit.

Përveç Ibrahimajt, edhe futbollisti i Heereveenit Dresheviç tashmë do të jetë i gatshëm 100 për qind për Kosovën për ndeshjet e radhës.

“Ibrahim Dresheviç është i pajisur me dokumentacion. Dresheviç ka treguar paraqitje të mira në kampionatin holandez dhe ai do të jetë në rregull për ndeshjet e radhës”, konfirmoi Muharrem Sahiti për gazetën “Zëri”./Zëri.info