ARKATANA

Doktor Jashar Ramadani, një aset kombëtar me vlera etike, profesionale dhe njerëzore

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Dr. Jashar Ramadani është pjesë e një familjeje të madhe intelektuale e patriotike, e njohur për kontributin e saj në historinë dhe kulturën kombëtare. I rritur në një ambient ku përzihen lavdia, sakrifica dhe heroizmi, i mishëruar edhe nga vëllai i tij, dëshmori i kombit, Agim Ramadani, ai e ndërtoi identitetin e tij profesional mbi themele të forta të dijes, etikës dhe përkushtimit ndaj njerëzve. Si mjek i mjekësisë familjare, Dr. Ramadani mbetet një ndër kontribuuesit më të rëndësishëm të shëndetësisë gjilanase dhe asaj kosovare, duke u shquar për integritet, modestinë dhe humanizmin e tij të pandashëm. Ai është edukuar vertikalisht, duke ecur i palëkundur në parime dhe pa kompromise anësore.

Të shkruash për Dr. Jashar Ramadanin është një nder sa i madh, aq edhe një përgjegjësi profesionale. Ai është ndër figurat e rralla mjekësore që bashkon profesionalizmin me butësinë, sensin e lartë të etikës me humanizmin, dijen me përulësinë dhe shërbimin me dashurinë për njerëzit.

Mjek, familjar, qytetar dhe humanist i përkushtuar, ai ka ndërtuar një traditë të pashlyeshme të kujdesit shëndetësor që përtej profesioneve, flet për karakterin e tij fisnik e të pastër.

Si specialist i mjekësisë familjare, Dr. Ramadani ka bërë histori në shumë sektorë të shëndetësisë gjilanase. Ka ngritur shërbime, ka krijuar kapacitete profesionale dhe është kujtuar gjithmonë si një prej mjekëve me etikë të kristaltë, të saktë e të drejtë. Qetësia e tij natyrore, afirmiteti me çdo pacient, komunikimi i butë dhe besimi që frymëzon, e bëjnë atë një figurë tejet të dashur në të gjitha shtresat e shoqërisë.

Është ndër mjekët e rrallë që para luftës dhe gjatë luftës së fundit ofroi shërbime mjekësore në malet e Karadakut, në kushte të vështira, duke dëshmuar karakter, guxim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Sot ai vazhdon të mbetet një shembull i gjallë i humanizmit të heshtur, i profesionalizmit të palëkundur dhe i integritetit moral.

Hidromorava

Vetë Dr. Jashari, me thjeshtësi dhe elegancë shpirtërore, e përmbledh filozofinë e tij të jetës:

“Jemi përpjekur të jemi në shërbim të atyre që na besojnë jetën e tyre, dhe unë e kam ndjekur këtë parim gjatë gjithë jetës. Si trashëgimtar i familjes së Agim Ramadanit, kam ndier gjithmonë përgjegjësi të dyfishtë për të qenë me popullin tim. Principet e mia kanë qenë gjithmonë profesionale dhe edukative për të gjitha moshat”, deklaroi ai për rajonipress.

Dr. Jashar Ramadani është, me plot kuptimin e fjalës, një aset kombëtar. Me veprën, karakterin dhe përkushtimin e tij, ai i ka dhënë shëndetësisë gjilanase dhe kosovare standarde të reja, dimension njerëzor dhe vlerë që mbetet gjatë në kohë./rajonipress/