Dobrosini në “hall” nga policia kufitare e Kosovës
Gjilan – Musli Zahiri nga Dobrosini i Serbisë është befasuar kur policia kufitare e Kosovës i ka konfiskuar 110 dele që ndodheshin në zonën neutrale mes Kosovës e Serbisë. Banorët e Dobrosinit ankohen se policia kufitare po i pengon ata ta zhvillojnë jetën meqë nuk po munden të punojnë as arat e as tokat e tyre.
Policia kufitare i ka konfiskuar 110 dele në zonën neutrale mes Kosovës e Serbisë. Ky konfiskim i ka revoltuar tej mase banorët e Dobrosinit të cilët në mënyrë të organizuar të hënën kanë qëndruar në prokuroi e gjykatë të Gjilanit për të dëshmuar se delet nuk janë të kontrabanduara, por janë të fshatarit të Dobrosinit.
Musli Zahiri pronar i deleve tha se ndihet shumë i revoltuar nga sjellja e policisë kufitare.”Unë gjithmonë i kam dërguar delet edhe në pjesën e Kosovës për të kullosur dhe kurrë s`kam pasur problem. Ne banorët e Dobrosinit kemi toka edhe në pjesën e Kosovës, kemi edhe ara e livadhe dhe kurrë s`kemi pasur telashe. Viteve të fundit kjo po na hakmerret sepse policia kufitare po na shkakton telashe” shprehet Zahiri.
Banorët e Dobrosinit po edhe vet pronari i deleve thotë se kjo është e padrejtë sepse policia serbe asnjëherë nuk i bënë probleme banorëve të Stublinës të cilët i shfrytëzojnë dhe i punojë tokat në brendi të territorit të Serbisë.
Ndryshe Musli Zahiri shpreson që Prokuroria dhe Gjykata e Gjilanit të vendos drejt në këtë rast sepse në të kundërtën do t`i hynte në hak banorëve shqiptar të Dobrosinit. /rajonipress/


