Dobët deri në 2016-ën

Ekonomia e Kosovës do të vazhdojë të jetë e dobët edhe për gjatë tri viteve të ardhshme. Niveli i rritjes ekonomike për këtë periudhë do të jetë pothuajse i njëjtë me atë që ka qenë deri më tani. Kështu, plani Qeverisë për ekonominë e vendit që e hartoi në Banjsko të Bulgarisë, në të cilin parashihej rritje prej 8 për qind nuk do të realizohet as në vitin 2016.
Sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) niveli i rritjes ekonomike gjatë vitit 2013 parashihet të jetë 3.7 për qind, në 2014 do të jetë 4,2, në 2015-4,5 për qind dhe në vitin 2016 do të jetë 5.1 për qind.
“Duke u bazuar ne zhvillimet e fundit ekonomike në vend si dhe në zhvillimet në ekonominë e euro-zonës, rritja ekonomike mesatare për periudhën 2014-2016 është parashikuar të jetë 4.6 për qind. Parashikimet për periudhën afat-mesme janë bazuar në supozime konservative duke qenë se zhvillimet dhe parashikimet për vendet e euro-zonës nuk japin sinjale të rimëkëmbjes së shpejtë gjë që pritet të vazhdojë të reflektohet edhe ne ekonominë e Kosovës”, thuhet në KASH.(Tribuna)