Mobi Casa

Dobërçani ndihet i diskriminuar nga pushteti lokal dhe ai qendror

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Përfaqësuesit e subjekteve politike në Dobërçan, duke parë mungesën e investimeve në fshat, ndihen të zhgënjyer, të anashkaluar dhe të diskriminuar nga pushteti lokal dhe ai qendror. Duke pasur parasysh kontributin e qytetarëve të Dobërçanit si tatimpaguesit më të rregullt të komunës së Gjilanit, të organizuar shumë mirë si komunitet për punë vullnetare, si në kohën e okupimit (kampion në komunën e Gjilanit në fondin e Republikës) edhe në kohën pas çlirimit, duke qenë model në nivel vendi, kërkojmë vëmendje dhe përkushtim në investime për të përmbushur nevojat dhe kërkesat e përditshme të qytetarëve dhe komunitetit.

Nevojë urgjente për Dobërçanin është rregullimi i kanalizimi nëpër lum, i cili është shembull i mirëmbajtjes vullnetare të hapësirave të gjelbëruara përreth. Hapësirat rreth lumit janë shumë të frekuentuara nga qytetarët e sidomos nga fëmijët dhe derdhja e ujërave të zeza në lum paraqet rrezik të përhershëm për shëndetin e banorëve dhe vizitorëve të shumtë, të cilët vijnë nga të gjitha viset e Kosovës dhe më gjerë për tu kënaqur me bukuritë dhe atraktivitetin që kemi krijuar vetë.

Uji Dea

Fillimisht, kemi zgjedhur reagimin nëpërmjet medieve ndaj padrejtësive që po na bëhen për t’i ndërgjegjësuar përgjegjësit e institucioneve komunale. Nëse brenda një kohë të shkurtër, përgjegjësit e institucioneve komunale nuk ndërmarrin hapa konkret për zgjidhjen e këtij problemi mjaft të madh dhe kërkesave të tjera të arsyeshme të banorëve të Dobërçanit, ne do të zgjedhim edhe forma të tjera të reagimit qytetar.

Ky reagim është përpiluar dhe nënshkruar nga të gjithë kryetarët e partive politike në Dobërçan: Ibish Ibishi (AAK), Naser Arifi (LDK), Ekrem Kryeziu (PDK) dhe Sadat Salihu (VV)./rajonipress/