Fundamenti

Do të respektohen kërkesat e qytetarëve edhe pas afatit ligjor

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Komiteti për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit ka vendosur të mos e rekomandojë për procedurë të mëtejmë planin rregullues “Livadhet e Arapit”, pa e organizuar më parë një dëgjim publik me qytetarët e një pjesë të kësaj zone, të cilët kanë kërkuar ndryshim të destinimit në një bllok, pavarësisht se ankesat e tyre kanë ardhur pas afatit ligjor.

Bahrije Mahmuti, drejtoreshë e Urbanizmit, ka thënë zona “Livadhet e Arapit” ka qenë pjesërisht e mbuluar me plan, prandaj është dashur t`i hyhet procedurës për hartimin e planit rregullues në tërësi, të cilin me shumë përkushtim e ka punuar kompania “Urban Plus” nga Prishtina, në bashkëpunim me drejtorinë komunale.

Ajo ka sqaruar se tani kur plani i ka kaluar të gjitha procedurat, përfshirë edhe dëgjimin publik dhe ka ardhur për shqyrtim në KPUMM, një grup prej 70 qytetarëve kërkojnë ndërrimin e destinimit të një blloku brenda kësaj zone. Mahmuti i sugjeroi Komitetit që ta merr në konsideratë kërkesën e qytetarëve.

Duke e vërejtur se te ky plan rregullues ka probleme, Rexhep Kadriu (AAK) tha se shqyrtimi duhet të shtyhet për një takim tjetër, për të gjetur një zgjidhje më të mirë dhe që i merr parasysh edhe ankesat e këtij grupi të qytetarëve. Ai ka qenë kategorik se nuk do ta votojë variantin e ofruar, derisa nuk organizohet një debat me këta qytetarë.

Sa i përket aspektit ligjor, janë respektuar të gjitha procedurat, përfshirë edhe debatin me qytetarë, ka thënë Naser Sylejmani nga drejtoria e Urbanizimit. Megjithatë, ai është deklaruar në favor të shqyrtimit të këtyre kërkesave. Këta qytetarë kërkojnë ndërrimin e destinimit në një bllok ku është paraparë ndërtimi i banimit kolektiv.

Kundër është deklaruar edhe projektuesi Ilir Gjinolli, duke thënë se dëgjimi publik është mbajtur dhe procedurat tjera janë respektuar. Sipas tij, presioni për ndryshimin e destinimit lidhet me një interes të kufizuar dhe vjen nga një person i sferës së biznesit.“Nga aspekti profesional nuk pranoj që një grup i vogël të diktojë se si do të jetojë shumica në një zonë të caktuar”, ka thënë Gjinolli, duke shtuar se ai nuk lëshon pe në këtë rast as me çmimin që t`i ndërpritet kontrata.
Florina Zymberi, kryesuese e KPUMM tha se njerëz të pakënaqur do të ketë gjithmonë, por me rëndësi është që zgjidhja e ofruar të kënaq shumicën.

Meqë mendimet e anëtarëve të KPUMM kanë qenë të ndara para kësaj dileme, nëse duhet të merren parasysh këta qytetarë, ose të injorohen, KPUMM vendosi ta shtyjë prezantimin e planit rregullues dhe u dakordua që organizimin e një debati me qytetarët që janë nënshkrues të kërkesës për ndërrimin e destinimit të një blloku në këtë zonë.

RCCOLA

KPUMM ka shqyrtuar edhe propozim vendimin për miratimin e kushteve urbanistike-arkitektonike dhe kushteve të ndërtimit në disa pjesë të qytetit, të cilin e kishte kthyer në shkurt të këtij, duke kërkuar më shumë arsye pse duhet të bëhet ky ndryshim.

Komiteti nuk është pajtuar përsëri për rritje të etazhitetit nga P+2 në P+4, sa ka propozuar drejtoria e Urbanizimit, në pjesën e qytetit që shtrihet ndërmjet ambulancës dhe vetëshërbimit “Bezi”. Leonora Bunjaku e Shqipe Nuhiu thanë se drejtoria e ka ndryshuar propozimin tonë që ky ndryshim të jetë P+3.

Kundër ndërhyrjes në planin ekzistues ishte edhe Florina Zymberi, e cila ka thënë se duhet të respektohet edhe një kulturë e banimit individual. Ajo ka thënë se kjo pjesë e qytetit duhet të ruhet ashtu siç është, sepse nuk është projektuar për numër më të madh të banorëve.Drejtoresha Bahrije Mahmuti ka thënë se ndryshimi është kërkuar prej qytetarëve, si mundësi më e madhe për zhvillim.

Bahrije Mahmuti, drejtoreshë për Urbanizëm, ka thënë se miratimi i kësaj zgjidhje është i nevojshëm për shkak se planet e vjetra urbanistike në pjesën e vjetër të qytetit të Gjilanit dhe disa pjesë përreth, janë të tejkaluara dhe nuk përputhen me konceptet zhvillimore dhe destinimet e parapara me planin zhvillimor urban (PZHU) të vitit 2008.

KPUMM ka shqyrtuar edhe taksat dhe tarifat komunale për leje ndërtimi. Florina Zymberi, ka thënë se Kosova renditet e katërta në botë për nivelin e lartë të taksave ndërtimore. Në emër të komisionit komunal, sqarime ka dhënë Shaqir Ukshini, i cili ka thënë se taksat dhe tarifat komunale bazohen në ligin e ri për ndërtim që është aprovuar nga Parlamenti i Kosovës në qershor 2012.

Vlera që e ka përcaktuar komisioni për m/2 është 2.56 euro dhe kjo vlen për të gjitha zonat, ka thënë Ukshini. Sipas Ramiz Ramadanit (LDK) edhe kjo taksë është e lartë, në krahasim me rajonin, ku ajo sillet 1 euro për m/2./rajonipress/