Do të flas Natalia?

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Natali Veliaj mban për vete emrat e zyrtarëve të MPB’së që ajo pretendon se u kishte dhënë para. Por gjithçka mund të ndryshojë ditën kur prokuroria do të vendosë që shtetasja gjermane të shpallet dëshmitare e mbrojtur. Veliaj mund të merret në pyetje sërish të hënën.

Natali Veliaj mund të tregojë emrat e bashkëpunëtorëve të saj në aferën korruptive me pasaporta. Por ajo është e vendosur në kushtin që e kishte qitur që në fillim. Do të tregojë vetëm atëherë kur të shpallet dëshmitare e mbrojtur.

Burime të gazetës nga prokuroria bëjnë të ditur se prokurorët e çështjes kanë mundësi që të hënën ta marrin sërish në pyetje Veliajn.

Por avokati i saj Tomë Gashi tha se kjo mund të ndodhë vetëm nëse prokurori ka ndryshuar mendje në lidhje me kërkesën e saj që të shpallet dëshmitare e mbrojtur.

“Klientja ime do të flasë nëse është marrë parasysh kërkesa e saj për t’u shpallur dëshmitare bashkëpunuese apo edhe e mbrojtur”, tha Gashi.

Natali Veliaj është duke i vuajtur dhjetë ditët e fundit të paraburgimit prej tridhjetë ditësh. Shtetases gjermane iu caktua kjo masë nga gjyqtari i procedurës paraprake nën dyshimin se përvetësoi 1.4 milionë euro para këto të dedikuara për një kompani austriake që prodhoi pasaportat për kosovarë.

Mobi Casa

Kur është marrë në pyetje nga prokuroria, Veliaj ka thënë se paratë ua ka transferuar disa zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por që ajo asnjë emër nuk e ka përmendur me arsyetimin se “ka frikë për jetën”.

Pavarësisht asaj prokuroria ende nuk ka marrë në pyetje ndonjë zyrtar të MPB-së, ministri Bajram Rexhepi disa ditë pas skandalit shkarkoi nga puna tre zyrtarë, shefin për prodhim të dokumenteve Besnik Berisha, kryeshefin e Agjencisë për Regjistrim Civil Blerim Camaj dhe këshilltarin e tij Sedat Gashin.

Në arsyetimin për shkarkim të këtyre tre zyrtarëve është thënë se ata janë shkarkuar për shkak se nuk e kanë kryer punën si duhet dhe për shkak të sjelljeve të këqija me stafin. Njëri ndër ta Blerim Camaj ka thënë për Express se suspendimi i tij nuk ka asnjë lidhje me skandalin e pasaportave. Më 27 nëntor të këtij viti ministri Bajram Rexhepi ka pezulluar me nga puna me pagesë edhe drejtorin e Departamentit të Prokurimit, Agim Fejzullahu. Pezullimi i Fejzullahut është bërë për shkak të keqmenaxhimit, thuhet në komunikatën e MPB-së.

Natali Veliaj dhe vëllezërit Fisnik dhe Betim Blakaj u arrestuan nga Policia e EULEX-it më 12 nëntor të këtij viti. Kur është marrë në pyetje nga prokurori, ajo ka pranuar se i ka marrë 1.4 milionë euro, por ato i ka dhënë mitë për zyrtarë të MPB-së, me rekomandim të kompanisë austriake. Veliaj ka deklaruar se paratë që i ka transferuar te zyrtarët e MPB-së janë transferuar me kërkesë të kompanisë austriake që ka fituar tenderin. Sipas avokatit të saj Tomë Gashi dikush ia ka kërkuar asaj kompanie këtë shumë si kompensim për tenderin e fituar.

Gjermania 38-vjeçare kishte mundur ta bindte Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) që pa kurrfarë autorizimi të shkruar të devijonte adresën ku duhej paguar paratë për pasaportat e prodhuara nga ndërmarrja austriake “Österreichische Staatsdruckerei” (OeSD). Për pasojë, pagesa ishte bërë te firma e Veliajt, “Consulting EU Sh.p.”, që OeSD-ja e kishte përfaqësues në Kosovë. Kjo, pastaj, nuk i kishte përcjellë për në Austri rreth 1.4 milionë euro, pasi konsideronte që shuma është shpenzuar për shërbimet në llogari të OeSD-së që ka bërë në Kosovë, si dhe për taksa.

Por, kur këto mjete nuk i kanë shkuar në konto, OeSD-ja ka thënë se paratë i do nga MPB-ja, pasi kurrkujt nuk i kishte dhënë autorizim që t’i bënte apo t’i pranonte pagesat, e në anën tjetër nuk ishte deklaruar fare se përse një shumë prej rreth 2 milionë eurosh e kishte pranuar në këtë rrugë që tani e konteston.(express)