Do të bëj të pamundurën për t’u përfaqësuar sa më mirë

Është kjo Hersi Matmuja, këngëtarja që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurosong” me këngën “Zemërimi i një nate”. Ajo ka fituar garën gjatë edicionit të 52-të të Radio Televizionit Shqiptar.
Hersi cilësohet si një këngëtare me interpretim të veçantë. Gjatë kësaj periudhe Hersi është duke u përgatitur për ta përfaqësuar Shqipërinë në “Eurosong”, nga e cila pjesëmarrje pret suksese. Në intervistën dhënë “Zërit” Hersi flet më gjerë për këngën, pjesëmarrjen në këtë festival dhe projektet muzikore për të ardhmen.
– Jeni fituesja e festivalit të 52-të të RTSH-së, ku tani keni fituar të drejtën për ta përfaqësuar Shqipërinë në “Eurosong”, si ndjeheni?
– Ndihem mjaft e motivuar përballë një përgjegjësie kaq të madhe siç është përfaqësimi i Shqipërisë në “Eurosong”. Në fakt ishte një emocion tepër i madh, dhe mezi e kam marrë veten për të menduar kthjellët. Por tani është vetëm koha për punë.
– Na trego bashkëpunëtorët e këngës pjesëmarrëse?
– Kënga “Zemërimi i një nate” është kompozuar e orkestruar nga Genti Lako, me tekst të Jorgo Papingjit. Në realitet është një këngë që më ka emocionuar shumë që herën e parë kur e kam dëgjuar në studion e kompozitorit, jam emocionuar aq shumë saqë kam qarë.
– Cila është veçoria e kësaj kënge?
– “Zemërimi i një nate” është një këngë e rrymës Pop&R’N’B, ku dallohet stili dhe karakteri i Gentit si kompozitor. Teksti flet për momentet e nervozimit, kur jemi gati të themi fjalën e fundit të parë, dhe me një fjalë të shkatërrojmë një miqësi. Kështu që kënga na këshillon të mendohemi përpara se të flasim, të mos e lëndojmë askënd e të largojmë zemërimin nga zemrat tona.
– Sa e ndieni veten të gatshme për të performuar në “Eurosong”?
– Të them të drejtën ende nuk janë bërë përgatitjet dhe përpunimi i plotë i këngës, prandaj s’mund të them se jam gati. Por natyrisht se periudha e fundit do të më shkoj duke u përgatitur sa më mirë që të jetë e mundur.
– Mendoni se do të vlerësoheni mirë në këtë festival ndërkombëtar?
– Ndihem më e aftë për ta përballuar emocionalisht, por ende nuk e di se çfarë më pret në skenën e madhe të “Eurovizion-it”. Shpresoj vërtet që kënga të vlerësohet dhe pëlqehet nga publiku. Do të bëj të pamundurën për t’u përfaqësuar sa më mirë!
– Do të zhgënjeheshit në qoftë se nuk do të arrini në finale apo gjysmëfinale?
– Siç thashë, përgjegjësia është më e madhe, pasi në finale nuk duhet të arrijë vetëm Hersi, por Albania, siç thuhet në “Eurovizion”.
– Në pjesën dërmuese të festivaleve çmimet nuk jepen me meritë, mendoni se kështu do të ndodhë edhe në “Eurovizion”?
– Mendoj se kudo ka vend për të gjithë, edhe për atë që fiton prej të tjerëve, edhe për atë që fiton prej vetes. Puna dhe talenti nuk janë lënë ndonjëherë pa u vlerësuar!
– Na trego diçka rreth projekteve të reja muzikore që nuk kanë të bëjnë me “Eurovizion-in”?
– Të them të drejtën tani për tani jam e angazhuar vetëm me “Eurosong-un”, sa i përket muzikës së lehtë. Por megjithatë më duhet edhe të mendoj për muzikën klasike, pasi vazhdoj studimet për kanto në konservatorin e Santa Cecilias në Romë, dhe nuk dua ta lë këtë pasion pas dore, pasi muzika klasike më pëlqen shumë.
– Ndonjë plan për të ardhmen?
– Nuk më pëlqen të bëj plane konkrete, por di që dua të mbaroj studimet në Itali, e pastaj do t’í përkushtohem tërësisht karrierës muzikore në të dyja fushat, si në muzikën e lehtë, ashtu edhe në atë klasike. Janë dy lloje të ndryshme të muzikës që më pëlqejnë paralelisht dhe uroj që edhe në të ardhmen të vazhdoj duke u marrë me të dyja. Mirëpo nuk e kam menaxhuar ndonjëherë veten, gjithnjë ia kam besuar gjithçka kohës dhe intuitës.