ARKATANA

Djegia e dorëshkrimit

/ 9 minuta lexim
United Hospital

Nga Mehmetali Rexhepi – Bubullima zbrazte jonet e nxehura. Nëna Zanë i thoshte të birit: Ka ra una e zjarmit prej qilli dhe e nxé stinën e tokës. Buuuuuu – buuu-buuuu – buuu – buuu-buuuuuu… Në çast me tëhollësin e petave dhe sipas ritualit të goditjeve të lehta, prekte: pemët, drunjtë e mollëve, të dardhëve, kumbullave, pjeshkave, ftonjve…

Hambarin e vjetër: plot, magjen e miellit: plot, plot, tepsitë: plot, sahanët: plot, lugët: plot, plot, shtratin: plot, gjithnjë me ndajshtesën plot. Me shkopin e lëmuar mbi petë më kishte prekur mua, motrën, vëllamin me atë ndjellës: plot, plot, plot… Shqiptuar zëshëm edhe me pëshpërimë, si fëshfërimë gjethesh në plotësinë e drunjve të stinës.

Moti nuk e kuptonte atë ritual ndjelljeje… Dhe ashtu bënte ajo pikërisht në bubullimën, mërmërimën e parë, në kapërcyell të stinës së tatuazheve me krahneza dritareve të drunjta, qirinj të zgjatur kokëposhtë strehëve.

Ndoshta nuk ishte kujtuar që me atë shkop tëhollës petash t`ia prekte librat, por, edhe çka nuk i kishte prekur Motit? Atij i mbështilleshin fijet në një bosht të avullt kujtese, mandej edhe boshti, edhe fijet i shtangeshin në nyje të ngrira… Se dhe çka nuk kishte tokur ai shkop mitik?… Dhe për flokët e tija gjethe të zbardhuara që fluturojnë dhe bien në djathin e kafjallit, për t`ia shtuar menysë shqisën e irrituar.

Një valë e vakët kujtese i pikoi mbi nyjën e ngrirë në harresë. Sakaq, nga moria e vitrinës iu shkëput kopertina e vetëm një libri, atëbotë ia kishin brejtur minjtë atë të vetmin. Dhe, shtrydhur prej mjegulle, që duhej ngurtësuar për ta kapur. Akulli i kujtesës po të kapej shkrihej…

Nëpër filtrat e përsiatjeve të Motit hynte shumëçka, pa u trajtësuar plotësia e karakterit. I vinin përroska të pista pllakave të trotuareve, gromësira të tjetërsuarish. Kujtimet gjëmuese vijnë edhe kur nuk i lyp, të atilla çfarë ishin: therëse, mallëngjyese. Ndonëse, ato nëna Zanë, nuk i pat bekuar…Gjithsesi poleni i farës së mllefit verior frynte ftohtë këndej, aq sa të mbinin dendur gjembat shpërthyes, për t`ia nëmur ecjen anasit të pa shfytyruar…

* Mal, shkrepi dëftimin e tij, Moti, duke e kapur fijen e butë të ndjesisë:
* Zana nuk e paska prekur me tëhollësin e saj…
* Kë?
* Lapsin.
* Cilin laps?
* Atë, që, ajo i thoshte “kalem” dhe, mbrehej me teh brisku prej ashti të topitur, ose me ndonjë copë qelqi të thyer.

Moti lëmonte buzët me stilolapsin e tij, majtas djathtas.
* * *
Tingujt e Moxartit nga gudulisja shpijnë në gërvishtje. Pas pikimeve të sigluara:
hë, mos do të rrjedhin impulse të përziera me shqiptime fekalesh, ose do ta pickojnë grerëza bezdie, lëng i shtrydhur rrushi që do t`ia rrudhte buzët prej athtësisë, ose…
Rastisje e porositur për infarkt, si tërbimi i ftohtë i njeriut, me veshkën e fëmijës në trastën e të betuarit të Hipokratit, si herdhet e vyshkura të plakut në buzët e adoleshentes… Nga gjithë kjo e pritur e së papriturës, shqiptohet një tungjatjeta dhe kërkesa e Hirësisë për pikëpjekje me Motin dhe Malin.

Hirësia:
* Disi të rralla i kanë kokrrat kallinjtë e arës së dorëshkrimit të Motit – vijoi:
* Mos jam aq i trashë, ose, po ashtu, sikur unë është dhe Moti? Ç`ke pra, Mot?
Moti nuk u kthjell, as u turbullua. Kthjelltësinë, turbullirën dhe përqendrimin ia mbuloi heshtja.

Mali mëtoi përngjasimin me Motin:
* Disa kallinj janë përplot me kokrra, por i kanë të vockla.
* Si duket e ke paragjykuar dorëshkrimin Hirësi!
* Furishëm ka fryrë e ka rënë dendur shi, porse frytet e Motit nuk janë përulur.
Motit iu shfaqën arat e shtrira të kallinjve pas shtrëngatës e shirave bezdisëse.
As pohimi, as mohimi nuk e mëkonin shtrirjen e tyre.

Meqenëse nuk u shqiptua, mbetej si një tumire e asaj mynxyre për dorëshkrimin e Motit.
* Ore i uruar! Nuk e kishte arritur dorëshkrimi yt atë, me gjithë mëtimin, që të dëftonte nënteksti më shumë se teksti. .

Fundamenti

Moti nuk nxehej.
Atij vranësirat e shpirtit i sillnin në sy: as borë, as shi ndonëse vetëtinte e bubullinte. Stufa duhej të ndizej me pak dru e shumë letra të dorëshkrimit në ditën e një prillit.
Dhe erdhi zhgënjimi e mallëngjimi i letrës.

Digjej adhurimi i figurave të para, i ndjesisë së parë, ndoshta të cekët por… Edhe kundërmimi i ftonjve të nënës mbi letër dhe, kalbëzimi… Koha e pamatur e shkëlqimit të thesarit të rrezeve jashtë tij… Ndërsa ai shtigjeve të pambarimta kërkimi, i pluhurosur, i palarë, për t`i dëftuar nëntekstit aso porosish për të cilat kumtimi nuk e kishte atë shqisë.
Edhe çka nuk kishte pleksur në dorëshkrim, që dorëshkrimi i Motit ta merrte tumiren e Hirësisë?

Gjumi nuk iu linte shteg ëndrrave.
Vardisjet pas trajtave shumëngjyrëshe të jetës, janë aq të rrotullueshme, aq marramendëse dhe, si nuk shmanget ende nga shinat e padukshme, harkore, përqark ekuinoksit globi?! Ndaj, edhe shfaqjeve të hijeve të natës e të ditës rrotullimeve të globit, ua kishte kthyer shpinën.

Refuzimi ishte në dorëshkrim…
Miku hamshor mëtoi ta shpinte në një shtjellë epshore të lavireve, që t`ia nxirrnin e pinin lëngun e bardhë të spermës së tretur.
Sikur e grishnin trajta që s’pushoi së gjakuari, të shtresuara diku përreth, në një kënd të rregullt a të pa rregullt, figura të shkrira të njeriut për njeriun… Një aventurë për kërkimin e plotësisë, jo kërkimit “të etheve të arit” të Jack London-it, por të margaritarëve njerëzorë në lumin e gjerë e të thellë të jetës.
* Pse nuk ia preva dyshimin Hirësisë? T`ia përkufizoja:
* Hirësi, gjakoj jo të prarohet vetëm ajo që të përket ty, pos të fisnikërohem, të fisnikërohesh, të fisnikërohen dhe të fisnikërojmë djerrinën e ligësisë së djallit.
Gjakimi tjetërsoj i jetës, Motin e shpuri te ndeshtrasha, tek izolimi madje, dhe me vetveten.

Para shtratit të njomë, letra i ofronte gjetje dhe shtrirje në shtratin e saj të thatë.
Menyja e letrës: shkronja që ndërtojnë rrokje, rrokje që lidhin fjalë, fjalë që ngrehin gjymtyrë, togfjalësha që përmbarojnë kumte të thjeshta, të zgjeruara, të ngjyera në erëza ndjenjash për t`i fituar pigmentet e munguara. Ngërthesa të joshjes që vashën nuk e reduktojnë këmbë e kokë në një vagjinë; krua i turbulluar që lyp kthjelltësinë për shuarje etjesh… Atyre që pinë, pshurrin dhe pështyjnë të njëjtin krua… Dhe i njëjti nuk u shterua!
Ura e holluar e vajtje – ardhjes së mëdyshjeve të Motit, e lidhur në eufemizmat e Malit dhe hiperbolat e Hirësisë, doemos këputej…

* Mos, vallë Hirësia karakteret e mi i shihte të zhveshur, sikurse gratë cullake plazheve të rërës?
Fyese.
Pas çdo faji, mllefi, dëshpërimi, galdimi e pendese karaktereve ua sjellke vakësinë e larjes, ua veshte kostumet e ndërrueshme të arsyes, ua qepte shqepjet e veseve me hiret e fisnikërisë.
* * *
Pikëpjekje sheshit të qytetit, tokje duarsh të Hirësisë e Motit, kaherë të ngujuar në variantet e dorëshkrimit.

* Mot, lexova variantin e ri në “Ars poetica” dhe…
* E di… Mos më shtyj t`i ngjitem një pjerrtësie të rrëshqitshme, të bie e të mos ngrihem!
* Madje, si e lexove pohimin tim të pashkruar?
* Nëse dorëshkrimi nuk të frymoi fisnikëri të veshjes sipas modës dhe, karaktereve s`ua zgjidh nyjat e enigmave…
* Dhe?
* Dhe… Lëre a hidhe si bukën e mykur. Nuk e përtypin assesi dhëmbët e syve të mi.
* Dhe?
* Dhe mbetesh arkaik.
Moti Hirësisë nuk ia ironizoi dhëmbët e rralluar e të ndryshkur.
* * *
Fillim prilli e drurët i dogji dorëshkrimi.

* Të lutem, Mot ngrohe dhomën me dorëshkrimin tënd! – Spikati dhimbjen dhe ironinë Edlira.
Çka të digjte për ngrohje pos letrave të radhës së dorëshkrimit? Ngase, as ai i pari, as i dyti, as i treti nuk ia kishin ngrohur zemrën Hirësisë. Druante se dhe ky i teti nuk është ai i vërteti, ai i formulës tashmë të përcaktuar nga Hirësia. Gjetja e asaj formule është gjetje e fatit të dorëshkrimit. Dorëshkrimet të shumtën nuk kanë fat. Ato e humbin ose i humb fati si Serembes, duke mos e gjetur formulën magjike për mijëra identifikime e pëlqime.

Asaj formule vërdalle sapo i afrohen disa shqiptime, pa masën e rrobaqepësit, nuk bien për shtati: ose janë tejet të ngushta, jo melodike, të bezdisshme, të mërzitshme, të hirta, trup e turp zbuluara, nuk drithërojnë shpirtin në indiferencën e tyre dhe, ikin. Ku ikin? Mbyll vrimat ndërgjegjes, sepse ikin tek plotësia tjetër…

Gjilan, prill 2013

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.