Uji Dea

Ditë të rënda për të korruptuarit

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Prokuroria e Shtetit, tani me udhëheqjen e saj të re, duket se do ta plotësojë mungesën e theksuar dhe ngecjet e mëdha të asaj paraprakes në drejtim të luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, por edhe atij ekonomik. Kjo ngase, së fundmi, konkretisht në shkurt të këtij viti, në kuadër të kësaj Prokurorie është formuar një Njësit i veçantë për luftimin e dukurive të lartpërmendura.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi -Hajdaraj, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka treguar për të gjitha detajet e këtij Njësiti, duke bërë të ditur se me vendim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, të datës 29 dhjetor 2015, është themeluar Njësiti për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme, në kuadër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, i cili Njësit, sipas saj, ka filluar së funksionuari më 1 shkurt të këtij viti, shkruan gazeta Kosova Sot.

Ajo më tej ka nënvizuar se në këtë Njësit punojnë gjashtë prokurorë nga Departamenti për Krime të Rënda dhe katër prokurorë nga Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. “Komisioni mbikëqyrës i themeluar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës bën vlerësimin e punës së prokurorëve të angazhuar në këtë Njësit dhe i njëjti i raporton Këshillit Prokurorial çdo tre muaj, duke kërkuar nga të gjithë prokurorët të tregojnë sukses në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, në të kundërtën do të ndëshkohen për moskryerjen me sukses të punëve”.

UBT

Kozmaqi -Hajdaraj ka treguar se qëllimi i themelimit të këtij Njësiti është zvogëlimi i numrit të pazgjidhur të lëndëve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, pastaj rritja e efikasitetit të punës, ngritja e nivelit të bashkëpunimit, ngritja e kapaciteteve, duke përfshirë specializimin e prokurorëve dhe rregullimi i llogaridhënies.” Prokurorët që punojnë në këtë Njësit kanë filluar të tregojnë rezultate në punë, duke zhvilluar hetime dhe duke ngritur aktakuza, si p.sh. aktakuza e ngritur dje kundër katër personave, prej tyre tre zyrtarë nga Komuna e Drenasit, pastaj aktakuza e ngritur kundër dy ish- zyrtarëve të lartë të Autoritetit Rregullativ të TelekomunikacionitART, apo aktakuza kundër të pandehurit B.B., ish- udhëheqës i Divizionit të Prodhimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës”, është shprehur zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi- Hajdaraj.

Vetëm akuzat, të pamjaftueshme

Avokati Tomë Gashi tha për gazetën “Kosova Sot”, se është mirë që është formuar Njësiti në fjalë dhe rrjedhimisht, sipas tij, është shumë e natyrshme që duhet të priten rezultatet e këtij Njësiti, mirëpo, siç tha ai, se nuk mund të ketë rezultate të prekshme për këtë periudhë më pak se 6 muaj të funksionimit të këtij Njësiti. Ai më tej nënvizon se punët e Prokurorisë janë jashtëzakonisht të rëndësishme, por që kërkojnë kohën e vet për të dhënë rezultatet e para./kosova sot/