Ditë e vështirë për heronjtë me uniformë të kuqe – zjarrfikësit vitias
Viti – Që nga orët e hershme të mëngjesit e deri në ora 17:00, ekipet e Njësisë profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit – Viti janë përballur me një nga ditët më të lodhshme dhe të rrezikshme të këtij sezoni. Gjatë kësaj kohe kemi ndërhyrë në 10 zjarre fushore me rrezikshmëri të lartë, duke u përballur me flakë të përhapura me shpejtësi dhe tym të dendur, që rrezikonin jo vetëm pronat, por edhe jetën e qytetarëve dhe të vetë zjarrfikësve ka shkruar Hetem Jakupi.
Postimi i plotë:
Me guxim dhe përkushtim, ekipet tona kanë punuar pa u ndalur, shpesh në kushte ekstreme të nxehtësisë dhe erërave të forta, për të lokalizuar dhe shuar çdo vatër zjarri. Çdo aksion ka qenë një garë me kohën, për të parandaluar që flakët të përhapeshin në zona të banuara apo pyje.
Në videon e bashkangjitur mund të shihni një pjesë të punës sonë nga terreni – punë që kërkon jo vetëm aftësi profesionale, por edhe guxim, sakrificë dhe dashuri për komunitetin.
Faleminderit i veçantë për qytetarët që kanë treguar kujdes dhe kanë njoftuar menjëherë në numrin emergjent.
Bashkëpunimi juaj na ndihmon të reagojmë më shpejt dhe të shpëtojmë më shumë jetë e prona.
APEL PËR TË GJITHË
Mos ndizni zjarre në fushë apo pyll, qoftë edhe për djegien e mbeturinave, pasi rreziku për përhapje të pakontrolluar është shumë i madh në këtë periudhë me temperatura të larta dhe thatësi të zgjatur.
Çdo pakujdesi mund të kthehet në tragjedi.
Në rast zjarri ose situate emergjente, telefononi menjëherë 193 – ne jemi këtu për ju 24/7.Me respekt, Komandanti i NJPZSH-së Viti./rajonipress/




