GRANDEMALL

Ditari i zëdhënësit të Blairit, takimi me refugjatët kosovarë

/ 12 minuta lexim
FIDANISHTJA

Tiranë – Një dekadë, që duket si një jetë e tërë. Ngjarje të mëdha, tension, vendime që kishin në duar fate njerëzish. Për zëdhënësin e ish-kryeministrit britanik Tony Blair, Alastair Campbell, vitet 1994-2003 ia vlejnë për t’u rrëfyer. “Vitet me Tony Blair- Ditari i zëdhënësit të kryeministrit britanik”, vjen për lexuesin shqiptar nga botimet UET Press. Një libër i rëndësishëm, shumë më shumë se një ditar, ku ndër të tjera flitet edhe për luftën e Kosovës, sulmin kundër Serbisë, qëndrimin e Millosheviçit dhe fundin e konfliktit.

Një dëshmi, që do të përfshihet në historinë e kohës. “’Vitet e Blair-it’ është një paraqitje ndjellëse e lidershipit të Tony Blair-it, e shkruar nga këshilltari i medias, strategu, drejtori i komunikimit, miku i ngushtë, që nuk kursen askënd kur mendon se është duke bërë gjënë e duhur. Libri është i mrekullueshëm, i shkruar një nga mjeshtër i fjalës, me fjali të shkurtra, por me shumë kuptim. Sjell dëshmi për periudhën 1994-2003, që ishte vendimtare, jo vetëm për Britaninë e Madhe, por edhe për rolin e saj në krizat botërore”, shkruan gazetarja Ilva Tare në parathënien e librit. Sipas saj, “Alastair Campbell është dëshmitari kyç i një lufte që nuk kishte miratimin e të gjitha vendeve europiane.

Ai zbulon se si e përdori pushtetin e medias për të fituar miratimin e publikut për fushatën e bombardimeve të NATO-s në Serbi”. Ditët e ethshme gjatë bombardimeve, mendimet pro dhe kundër, telefonatat e gjata dhe të tensionuara, takimet me refugjatët kosovarë. Roli i Tony Blair, Bill e Hillary Clinton në zgjidhjen e konfliktit ballkanik, përmes rrëfimit të Alastair-it. “Panorama” sjell fragmente nga ditari

E martë, 11 maj

Wes dhe unë diskutuam vizitën e Hillary-s. Gjatë darkës te kështjella ai tha se mendonte se ishte e rëndësishme që ajo të bëhej njëfarë zëdhënëse për refugjatët. Ai tha mos harro se në New York ka më shumë shqiptarë Kosove sesa në çdo vend tjetër jashtë Ballkanit. Hillary kishte rënë dakord të bënte një event me CB, të cilin ne po e planifikonim. Ai mendonte se Hillary kishte bindje të forta morale. Kishte ndjenja të përziera për Clinton-in.

E pëlqente, por ai tha se arsyeja se përse shumica e Republikanëve-dhe kjo do të thoshte shumica e ushtarëve- e urrenin, sepse kur ai u bë President lejoi homoseksualët në ushtri, dhe ai më parë thoshte se Wes-i ishte një miku i tij për të fituar pikë me ushtarakët. Por kjo i shkaktoi Ëes-it shumë dëme brenda ushtrisë. Ai mendonte se po të mos kishte qenë për këtë ai do ishte kandidat për pozicionin më të lartë. “Gjithashtu, nëse je Oxford apo Rhodes Scholar, je i shënjuar.” Ishte në një humor të qetë dhe reflektiv.

Ai besonte se në fund Shtetet e Bashkuara do të bënin gjënë e duhur, por ata donin të testonin nëse mund të arrihej me sulm ajror. Unë besoja se ai kishte më shumë cilësi nga sa i jepnin kritikët e tij, për shembull, Charles-i. Politikat që ishin të lidhura me këtë punë ishin të vështira dhe ai po i përballonte shumë mirë. Ishte i zgjuar, kishte një mendje të gjallë dhe ishte i angazhuar, por i nevojitej një sigurim i vazhdueshëm se ishte një udhëheqës i mirë.

E martë, 13 maj

Hillary C ishte shumë miqësore dhe tha gjysmë me shaka se ajo po shkonte në Ballkan për mua. Kishim mbledhur bashkë disa refugjatë, të cilët ishin te Dhoma e Bardhë, dhe ajo dhe CB ishin të mrekullueshme me to. Kur kamerat u fikën, Hillary dhe Cherie arritën t’i bënin që të tregonin historitë e tyre me më shumë detaje.

Ajo ishte një dëgjuese e mirë, i lejonte të flisnin, nuk e mërziste heshtja dhe historitë që tregonin ata për arratisjet e tyre dhe familjet e humbura të thyenin zemrën. Ishte prekëse mirënjohja e tyre për faktin që ne po mundoheshim të bënim diçka.

Ne ishim ata me fat, ne donim të ndihmonim të tjerët, ishte qëndrimi i tyre. TB mendonte se vizita e Hillary-s në rajon ishte shumë e rëndësishme sepse po na mbaronte koha për trupat tokësorë dhe Bill-it do t’i duhej që shumë shpejt të vinte gjërat në lëvizje.

E hënë, 17 maj

TB dhe Bill-i kishin më shumë se një javë që nuk kishin folur, dhe kjo ishte gjë e keqe. E pyeta se kur kishte qenë hera e fundit që kishin folur dhe ai i bëri bisht, tha se ata flisnin gjithë kohën. Bullgaria shkoi mirë. Edhe (Ivan) Kostov (kryeministri) edhe (presidenti Petar) Stoyanov, për të mos përmendur ministren e tyre të Jashtme shumë simpatike (Nadedzda Mihailova), na përkrahnin, pavarësisht dyshimeve të mëparshme e dinin që duhej të fitonim, ndërsa fjalimi u mirëprit, veçanërisht pjesa e angazhimit në rajon.

UBT

Stoyanov tha se ata kishin pritur 120 vite për një vizitë të Kryeministrit britanik, por ia kishte vlejtur. Nuk më besohej. 120 vite! Tani ata ishin të tmerruar nga Milosevic-i ë kishte mbijetuar dhe ishte më i fortë dhe në gjendje të kërcënonte fqinjët e tij edhe më shumë. TB bëri një komunikim të shkurtër me media-n, shkoi ok, por përkthyesit ndërprisnin kaq shpesh sa e bënte sinkronin gati të papërdorshëm.

Mamaja po merrte një lum telefonatash pas një lajmi në këndin e Nigel Dempster-it se ajo luante bridge me Mary-n, hallën e Hague-s. Ishte qesharake që kjo mund të ishte lajm. I thashë që të gjente dikë që t’i përgjigjej telefonit në vend të saj dhe t’u thoshte të gjithëve të zhdukeshin. Një kombinim i fjalëve të djeshme të TB dhe Robin-it, megjithëse ata nuk thanë asnjë të re, por shihej, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, si forcim i pozicionit në lidhje me trupat tokësorë. Shto këtu gjermanët që po nxirrnin në media se ata nuk e kuptonin përse Mbretëria e Bashkuar po këmbëngulte për këtë më shumë se më parë. BC po kritikohej shumë dhe kishte gjasa që të kishte nxjerrje dufi në drejtimin tonë.

Pastaj gjërat u përkeqësuan kur dëgjuam Schroeder-in, gjatë vizitës në Itali, të thoshte se as që mendohej për trupa tokësorë. Edhe përpara kësaj, gjatë mëngjesit, TB tha se nuk e kishte problem të pranonte se “ishte me të vërtetë i shqetësuar tani”, dhe se nuk po shihte një rrugëzgjidhje. I thashë se komentet e Schroeder-it ishin ekuivalentja e atij “ik pirdhu”-it në Berlin—ishte i qëllimshëm dhe përçarës. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara mendonin se ne po flisnim në media kundra tyre.

U mundova t’ia shpjegoja Jonathan Prince-t (zyrtari amerikan i atashuar te zyra e Campbell-it në NATO) dhe ta bëja të bindte Shtëpinë e Bardhë se nuk ishte në interesin tonë të flisnim kundra Presidentit, por njerëzit aty e dinin ndryshimin. Puna ishte t’i kalonim ndryshimet, jo të grindeshim se kush po i thoshte dhe çfarë kujt. I thashë që ne të flisnim në media kundra tyre ishte budallallëk dhe kundraproduktive sepse ata gjithmonë mund të na kundërpërgjigjeshin më ashpër.

TB ishte me të vërtetë i shqetësuar tani, besonte se pak a shumë Shtetet e Bashkuara kishin hequr dorë nga ideja e trupave tokësorë dhe europianët, duke mos parë udhëheqje, thjesht binin në të njëjtin pozicion. Ai ishte gjysmë i tërhequr nga ideja e Massimo D’Alema-s (ministri italian i Punëve të Jashtme) për një armëpushim 48 orësh, ndërsa mblidhej UNSCR-ja, që i bënte thirrje për tërheqje. TB ishte i bindur se të paktën duhet të kërcënonim me përdorimin e forcave tokësore dhe të bënim përgatitje, përndryshe Milosevic-i do të mendonte se ai mund të rrinte aty derisa vullneti ynë të dobësohej.

I thashë se ai sot duhej të fliste me Schoeder-in, sepse nesër ai duhej të ishte te NATO dhe do të ishte fokusi kryesor i media-ve për atë ditë, dhe ne duhej ta bënim të ndryshonte qëndrim. Në Tiranë ne vizituam kampin e refugjatëve dhe një çift pleqsh që ishin shumë të prerë dhe të drejtpërdrejtë, por gjithashtu edhe shumë prekës për mënyrën sesi po jetonin. Fëmijët ishin nxirë nga dielli dhe ishin të gëzuar, dukej se kishin mjaftueshëm për të ngrënë, megjithëse brenda tendave ishte vapë dhe zagushi. Nënat dukej se e kishin më të vështirë.

Një grua na ndali dhe tha se burri i saj ishte kthyer me 4 brinjë të thyera. Ua kishin marrë të gjitha paratë dhe ata kishin lënë pas të afërm që ata e dinin se ishin vrarë apo përdhunuar. TB përçoi pak nga ai mesazhi “ju do të ktheheni në shtëpi” dhe foli për nevojën thelbësore për fitoren e njerëzores. TB kishte menduar ta provonte prapë me BC, t’i thoshte se tani ishte me të vërtetë i shqetësuar se po mbeteshim pa strategji përveç sulmit ajror dhe Milosevic-i thjesht do priste derisa ne ta na mbaroheshin mundësitë. Ai e dinte se sa më shumë të bombardonim aq më shumë civilë do të vrisnim dhe me kalimin e kohës vullneti i partnerëve tanë do të thyhej. Refugjatët nuk do të ktheheshin nëse ai vazhdonte të qëndronte aty, dhe ne nuk kishim për ta hequr prej aty pa të paktën kërcënimin realist të trupave tokësore.

Pak para mesnate, John Sawers më zgjoi për të më informuar mbi një telefonatë “shumë të vështirë” mes BC dhe TB. Ata kishin folur për më shumë se një orë dhe 5-10 minutat e para ishin zënë me Bill-in, të cilit i kishte kërcyer damari. Ai i kishte parë raportimet nga Mbretëria e Bashkuar dhe gjërat në Shtetet e Bashkuara dhe ai “e dinte se çfarë po ndodhte, se ishte e qëllimshme dhe duhej të ndalej”.

Ai tha se mund të shkonte me median britanike dhe me publikun por “kishte një çmim për të paguar dhe ti do ta paguash”. John-i tha se ai qartësisht po sugjeronte se unë me qëllim kisha folur me median kundra tij për të ngritur lart TB. TB protestoi aq sa mundi. Ai tha se ishte i tmerruar nga ideja se ata mund ta shkonin ndërmend që ne mund t’i vinim atij pengesa kur ai e drejtonte këtë gjë, së cilës BC iu përgjigj se në këtë rast po ndodh pa dijeninë tënde-që nënkuptonte se ishte edhe më keq.

John-i tha se ai nuk kishte thënë emra, por ishte e qartë se për kë e kishte fjalën. Ai tha se kurrë nuk e kishte dëgjuar kaq të inatosur dhe TB ishte pak i habitur. Në thelb, megjithatë, BC dukej se po lëvizte. Ai ndante mendimin e TB se opsioni i d’Alema-s mund të ishte një mënyrë për të hequr opsionin e trupave tokësorë. TB e tha shkoqur-kishim një pushim 48 orësh, ndërsa binim dakord për një UNSCR të re, pastaj nëse Milosevic-i nuk bindej, bazuar në 5 kërkesat e NATO-s, ne do të bombardonim sërish dhe planifikonim për trupa tokësore. Bill-i e pëlqeu si ide.

E enjte, 20 maj

Sulmi ajror po bënte shumë dëme, por shqetësimi ishte se Milosevic-i po na tërhiqte për hunde derisa të ishte tepër vonë për të ndërhyrë nga toka, për shkak të dimrit. D’Alema ofronte mundësi si edhe vështirësi. Ishte një mënyrë për të hedhur në tavolinë mundësinë e trupave tokësorë. GB paralajmëroi se kostot e operacioneve ushtarake dhe kriza e refugjatëve do të thoshte se nuk kishte shumë hapësirë për ndonjë gjë tjetër në Rezerve dhe e gjitha kjo nënvizonte nevojën për mbajtjen e stabilitetit, përmirësimin e programeve “nga-ndihma-sociale-në-punë” dhe ministritë e tjera të garantonin që paratë po mirëshpenzoheshin.

Alistair Darling tha një mesazh shumë të fortë për realizimin e ndryshimeve në sistemin e ndihmës sociale. “New York Times” kishte një artikull për telefonatën mes TB-BC; dukej se ishte informim i brendshëm, që thoshte se Clinton-i i kishte thënë TB se merrte në kontroll njerëzit e tij. Unë isha i shqetësuar se mos kapej dhe dilte edhe në Europë, dhe kështu formonte një sfond të ri.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.