Fundamenti

“Ditari” i Redon Makashit: Më parë fëmija, pastaj martesa

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

“Ditari” i Redon Makashit: Më parë fëmija, pastaj martesaRedon Makashi, kantautori i njohur i skenës shqiptare, rrëfen sot në një intervistë të veçantë për “Bluetooth”, projektin e tij të fundit, që mban titullin ‘Ditari’. Një bashkëpunim i gjetur për stinën e vjeshtës, ku shumica e artistëve bëjnë pushim… Po si lindi kjo këngë dhe çfarë do të ketë pas saj? ‘Ditari’ i jetës private të Redon Makashit, planet për t’u bërë baba dhe vajza që i ka marrë zemrën. Të gjitha këto, në një intervistë të sinqertë për suplementin e së shtunës…

Redon, vjen së fundmi në një bashkëpunim me një këngëtar jo shumë të njohur…

Po, është e vërtetë! Sapo kam publikuar një bashkëpunim, një material që i përket albumit tim, ‘Ditari’ titullohet kënga. Unë zakonisht klipet i kam të rralla, por ky ishte një projekt shumë i vështirë dhe ia vlente. Ka shumë personazhe brenda, sepse vetë titulli, ‘Ditari’, të lë të kuptosh që personazhet do të jenë të shumta, pasi kalohen të gjitha etapat e jetës. Është një duet me një këngëtar shumë interesant. Mendoj që, Vullnet Ibrahimi është një djalë me shumë talent, s’besoj të kem gabuar në përzgjedhjen time.

Pse zgjedh që të vish kaq rrallë me videoklipe, për shkak të kostos?

Jo, për shkak se unë jam shumë kërkues. Kam shumë këngë që janë kthyer në hite, por nuk i kam bërë klipe, sepse, ose e realizoj ashtu siç duhet, ose e lë fare. Vullneti u bë sebep, gjeti një produksion në Maqedoni dhe ditën e parë të xhirimeve, ishim të gjithë të shtangur, na frikësoi momenti se si do të niste videoklipi. Vërtet është punuar goxha për këtë klip. Projekti ka filluar që në maj, xhiruam 2-3 ditë gjatë pranverës, pastaj erdha në Shqipëri dhe më kërkuan që të shkoja sërish gjatë verës, sepse ranë shumë plane të xhiruara.

Pse kjo zgjedhje, pse ‘Ditari’?

Është vendi ku çdo njeri gjen veten.

Kush e ka shkruar tekstin?
Teksti është bërë në bashkëpunim, nga unë dhe Vullneti.

Kjo do të thotë që keni futur edhe jetën tuaj aty brenda?
Normal që ka fragmente të jetës sonë, por ne duam që çdo njeri të gjejë veten në këtë këngë. Ditari është libri i jetës së një individi, në të cilin çdonjëri nga ne shkruan hapat që hedh…

Mbetemi tek jeta jote; çfarë po bën tani përveç këngës?
Përveç këngës, edhe unë vazhdoj të shkruaj ditarin e jetës.

Mobi Casa

Në ç’fazë jemi tani?
Në një fazë disi përfundimtare.

Në çdo intervistë që ke dhënë, ke thënë që do të martohesh… Ke ndarë ndonjë datë, apo ende asgjë?
Më duket se do ta filloj mbrapsht, do bëj një fëmijë si fillim. Tani çdo gjë është në dorë të Zotit, po dëshira ime kjo është dhe po punoj për këtë (qesh).

D.m.th. partneren e ke gjetur?
Sigurisht.

Kur do flasësh për të, se ende nuk e dimë cila është zyrtarja?
Ndodh ndonjëherë që media më sakaton kot në këtë pjesë. Më shumë dëm bëjnë ca që rrinë urtë sesa unë që dal hapur. Sidoqoftë do të vijë momenti që do të flas edhe për këtë, por tani dua që vëmendja të përkushtohet tek kënga e re, sepse kur sjell një material të mirë, duket sikur vërtet sjell një fëmijë në jetë dhe këtë fëmijë e rrit pikërisht ky publik, që ka vite që më mbështet.

Projektet e afërta pas kësaj kënge, cilat janë?
Kam në plan një videoklip që i kushtohet Tiranës, është një këngë rock, ndryshe nga baladat që kam sjellë deri tani. Shpresoj që të dalë në dhjetor.

Ndërkohë, me koncertet si ke qenë këto kohë?
Vera ka qenë e angazhuar me koncertet e fushatës, pastaj ka qenë një moment pushimi, për shkak të muajit të Ramazanit, dhe pastaj kemi vazhduar aktivitetet normalisht gjatë gushtit.

Si është stina e vjeshtës, dimrit, a ka gjallëri muzika?
Ndoshta dimri është periudhë jo fort e mirë, po sidoqoftë edhe në dimër janë festat e fundvitit, ku këngëtarët mbledhin goxha të ardhura. Ndërsa vjeshta ka aktivitete.

A ke menduar ndonjëherë të angazhohesh ‘full time’ në një club?
Jo, jo, madje unë e kam stopuar jetën e natës, i kam shumë më të rralla dhe të përzgjedhura koncertet.

Do të marrësh pjesë në ndonjë festival?
I kam stopuar pjesëmarrjet në festivale tek çmimi i parë në “Kënga Magjike” dhe ndoshta e lë me kaq, sepse unë kam të tjera projekte: koncerte, video, albume.

Ndonjë koncert recital?
Ishte një plan për të bërë një ribashkim të grupit, me Ton Dedën dhe Sandër Gjokën, por mbeti i tillë, sepse realizimi i një koncerti kërkon shumë fonde. Duhet të gjejmë si fillim një menaxher që të flasim pastaj për koncertin.(Bluetooth)