Hidromorava

Dita e lutjeve që nuk shterrin

/ 11 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Sabit Rrustemi ( Cikël poezish shkruar nëpër vite )

E DIELA ZGJATË ËNDRRËN

E diela zgjatë ëndrrën
vonon agun
atë trokitje në dritare

Jashtë shtëpisë
bryma tinzare e natës
dogji atë jeshil buzësh

U vonuam e dashur
një orë u vonuam
duke e pritur atë puthje
në ëndërr

Të dielën e shterrim solo
si kafenë e zezë
të një mëngjesi

( 31 tetor 2010 )

VJEN ME DIELL

E diela vjen sërish
me diell lutje e vetmi

Vjen me të dridhshmen dashuri
fshehur diku nën gji

Vjen
e më gjen mua tek ti
ku rri

Të gjen ty te unë
si zog vjeshte nën çati
të t’mos lag ai shi

E diela vjen
e më gjenë atje ku dua
te ai Çepur i lashtë
nën një meditim të ri
i flakëruar me dashuri

( 14 Nëntor 2010 )

LARG ASAJ QË DUA
( variant )

E diela vjen sërish
me diell
lutje e vetmi
dhe me të dridhshmen dashuri
fshehur diku thellë
nën gji

Vjen për t’ më gjetur mua tek ti
për t’ parë ty
nën këtë strehë zemre si rri
strukur si ai zog vjeshte nën shi

Vjen e shkon kjo e diel
me një varg reshë mbushur mërzi

( 14 nëntor 2010 )

BESOJ

E diela e lutjeve e pritjeve
e diela e pendesës
kjo ditë e shërbesës e besës
troket nesësr si ditë e shpresës
maje Çepurit
me atë fytyrë diellore
e bukë nore

Të pres
e pa ty nuk zbres

Ëndrra ime
për një puthje
mbeti pa prehje
e nuk pushoi
ende ku desh’

E diela ime
me ty vjen

Pritja ime
zgjatet deri nesër

( 11 dhjetor 2010 )

DHE KËTË TË DIELË

E diela me shi
e me lutje për ty
agon në sytë e mi

Fli dhe pak ti

Fli e kthjellu syve t’mi
përmes asaj andrre
që shfaqet tek ti

Fli
unë te koka po të rri
s’do të lag jo ky shi
sall buzët e mia
puthja puhi

Ti engjëllushë mëngjesi
qiellit tim vetëtimë
më shkund së brendshmi
bubullimë

Dhe këtë të diele me shi
po falem e po lutem syve tu
për pak paqe shpirti
e për shumë dashuri

(29 Maj 2011)

MË ZGJO

E diela gdhinë
me një qiell të paqtë
e kaltërsi
dhe një lutje të pasosur
për Ty

E gjithëpushtetshmja ime
më zgjo përditë
me më shumë dashuri

( 31 korrik 2011 )

MBYLL SYTË NË MUNGESË

Çdo të dielë
bëhem pjesë e një lutjeje
e një tingulli
e vishem me ngjyra të një balade
nisem ëndrrash
udhëve që m’i dëfton Ti
kah zemra trëndafilore
puhizave mëngjesore

Secila prekje
dridhë poret e trupit tënd
secili tingull shlyen
një mungesë

Mbyll sytë të të shoh si dua
e kur dua
një baladë e re tingujsh
shpërthen buzëve tua

( 25 shtator 2011 )

HYJI IM I VJETËR E I RI

Hyji im që s’ të shoh por të ndjej
që m’ grishë prore n’ ata qiej
s’ prishë punë në të gjej a s’ të gjej
andrrën time tek ty zbërthej
andërr a lutje a gjakim
kësaj udhe me përkushtim
ma dhuro atë që nuk e kam
më prano kështu si jam
se kur dua dua pafund
për dashuri një botë tund
dhe veten për pikë shkund’
veten që dot s’e mund

hyji im i vjetër e i ri
me qiejt përplot kaltërsi
pa dashuri s’ ka paqe as mirësi

( 13 nëntor 2011 )

LUTJA E SË DIELËS II

Kthjelle Zot ate që e dua
mos t’ më qortojë kaq shumë mua
ndritja qiellin e zemrën dhe i thua
ky zjarr zemre nuk u shua
mësa ai burim në timin krua

Zot o zot i imi zot
si dje e sot si çdo mot
prej saj s’lirohem dot

Mendja s’ ma thot’
se dashuria është e kot’

A s’ma sheh të paqtin lot
në kopsht zemre
si pikon
e shpon

Kthejlle zot
se nuk lutem kot

( 20 nëntor 2011 )

LUTJA E KËSAJ TË DIELE

Ti që je kudo dhe brenda meje
përmes kësaj shpatulle Çepuri
po të lutem dhe kësaj të diele
e po të falem në çdo gjurmë
gjeth e lule vjeshte
në çdo bimë drunore
dhe tek rrënjët e asaj therre
mbuluar me gjethe krecke
heshti mëritë lakmitë
tek secili njeri
ato gjëmë që bubullijnë
dhimbjet që ndalin frymë
merri për shërim
përmes një prekjeje të butë
të ëmbles buzëqeshje
hapi tonat zemra
flamujtë e dashurisë

I imi Shenjt që je në mua kudo
zbutja flatrat dhe asaj grishe
që m’ tremb sa herë ikë
i thuaj se fryma jote që është në mue
dhe n’ tjetrën jetë s’ ka për ta harrue

(4 dhjetor 2911)

E DIELA E PËRSËRITSHME E LUTJES

Nëse asht’ mëkat
me dashtë
mos më fal, o Zot

Do ta due përditë
nga çasti në çast

Vullnetshëm e pranova
kët’ fat

Fatin e bekuem prej Teje

( 18 mars 2012 )

NË TË FSHEHTËN TËNDE

Mobi Casa

Ti je strukur thellë zemrës Çepurit
dhe nuk bën zë mësa Ai

As lutja e së dielës nuk të zgjon
sall gërmimi im drejt atij vendi
që ndjenjash zjarrmon

A s’ ia thua një fjalë
këtij Tempulli të Moçëm sa vetë Planeti
një fjalë që djeg vetëtimën
dhe hap atë shteg për stinën erëmirë
e struku pastaj e fshihu
atje ku të flladitë sall imja ndjenjë
fsheharakja ime

Në të fshehtën tënde e të Çepurit
i strukur jam dhe unë

( 29 prill 2012 )

HIJEN TIME TA FALA

Ti pemë e rilindur
stinë për stinë
e pjekur dhe e e pashijuar
nga ata që të mbollën
e të shartuan
mbetur e vetme
në kurriz të asaj kodreje të gjatë
si një strehë krimbash
grerëzish e thneglash
e larë shirash
e ngrirë borërash
dhe e tharë
sa e sa herë prej erërash
shpirtit tim të regjur
e vetme nuk je më

Përjetshëm hijen time ta fala
me bekimin e një të diele

( 25 janar 2013 )

NË VEND TË LUTJES

E diela asnjëherë nuk vishet bardhë
a e bardhë duket

Ngjan në një ditë rehabilituese të javës

Ti mendon se e pushon trupin
harron
bie në kokërr shpine

Padashur prek unazën e lakuar
ngacmon reumën

Në vend të lutjes pranon lajmin që tashmë e di

Të dielën bën me flakë atë bardhësi
e me u puthë me afsh për krejt këtë dashni

( 14 korrik 2013 )

LUTJA E SË DIELËS PRET SI UNË

Stinoret e gjelbërta i gëlltiti Ai i Lumi

Të vjellurat mbetën në breg
larg diellit që djeg
duke pritur shiun e radhës
Pemës nën lëvore
s’ ka kush i a shëron plagën

Dhe asaj qyqeje këngën

Mblidh çka mbeti se nata po e shtrin
një rrjetë të re merimange

Lutja e së dielës pret si unë

Në cilën kokërr breshëri
u ngri ardhja jote
të ta shkrijë me gjuhë zjarri

( 21 korrik 2013 )

LUTJA IME E DIELTË

Nuk po lutem këtë të dielë

Vetëm po dal
e po e thithë aromën e kësaj Luledrite
gjerë e gjatë Çepurit
deri tek thellësia jote e paarritshme

Kësaj të diele
ti je Lutja ime
ti je grishja për një mëkat të ëmbël

Ti je shpirti që paqton timin shpirt

Lutja ime e dieltë
qofsha përditë me ty e për ty

( 15 shtator 2013 )

PËRJETSHËM DO MBES BRENDA TEJE

Nëse kjo e diel
do të të ngjajë veç pak ty
do t’ i a fali këta sy

Nëse kjo e diel
si jotja buzëqeshje
e shuan timen etje
përjetshëm do mbes
brenda teje
( 3 Nëntor 2013 )

E DIELA E LUTJEVE NIS ME TY

Dita e djeshme më mbyll mua
brenda syrit tënd
e nuk të lë
për t’u zgjuar
Po unë kam aguar fytyrës sate
më i kaltër e më i zjarrtë
se dje
Falë shpirtit tënd të ëmbël
Imja poezi
E diela e lutjeve nis me ty

( 22 qershor 2014 )

KËSAJ TË DIELE PARA SE TË LUTET

Kësaj të diele para se të lutet
në mënyrën më të ëmbël
ajo më ndëshkon

Tërë kohën m’ le për ta ëndrrue
brenda buzëve si lule
gjuhën ma fsheh
e dëshirën më të zjarrtë
e ruan për mue

Loçkë e kam

Në mënyrën më të ëmbël
më kujton

( 29 qershor 2014 )

E DIELA QË ERDHI PA TY

( sporvë për një poezi )

E diela risjell një ditë të re
e dhjetëra lutje që përmendsh i di
rrëzë Çepurit nën lendina resh
dhe një diell që fshihet
sa te sytë e tu
sa te sytë e mi
…..
E diela që erdhi pa ty
fsheh fytyrën në këta sy

Harron kjo e dielë
se këtu të kam
në timin gji


E diela e lutjes sonë për dashuri

( 20 korrik 2014 )

ZEMRA E KËSAJ TË DIELE

Pulsi i saj
rrah edhe këtë të dielë

Rrahë e lutet
me dashuri të të bekojë

Afër meje
sa më afër të të ofrojë

Brenda qenies sime
përjetësisht të të lumturojë

Zemra e kësaj të diele
falë Teje s’ pushon
( 16 nëntor 2014 )

KOT VJEN E DIELA

E diela
te ajo Tumë e Mlutë ilire
atë Maje t’ Çepurit e zdriti
e unë s’ jam aty
një lutje pa zë me pëshpëritë për Ty
Shllunga reshë vallëzojnë sipri
dhe një vetëtimë me bubullimë
u shpraz këtij dimri në shenjë triumfi
që nuk t’i putha me ag ata sy
Mbeta si ajo faltore e lashtë
rrënojë e humbur Lugit t’Osave
e jotja dorë s’ m’i heq mbulesat
E sa dhe
e sa shtresa gjethesh
ëndërrojnë nën një këmbë bore
për pak diell
Si unë për tëndin gji
E diela
deri tek rrëza e dhimbjeve të mia zbret
lutjen time të përjavshme e pret
Pëshpërima ime e pazëshme
kot vjen e diela
e më mungon ti
( 4 Janar 2015 )

LUTJA IME E DIELTË

Nuk po lutem këtë të dielë
Vetëm po dal
e po e thithë aromën e kësaj Luledrite
gjerë e gjatë Çepurit
deri tek thellësia jote e paarritshme
Kësaj të diele
ti Zemra ime lutu për mua
ti grishmë për një mëkat të ëmbël
paqtoma si duhet timin shpirt
Lutja ime e dieltë
lutu që t’ jem përditë vetëm shpirti yt

( 15 shtator 2013 – 18 janar 2015 )

E DIELA NA GRISHË DASHURISHT

E diela thërret e pret te Trolli i Moçëm
e dashur
Unë po nisem me ty në Zemër
Asnjëherë nuk shkoj vetëm tek ai VendJete
që dhe ëndrrash jermueshëm e përmend
njejtë si emrin Tënd
E diela na grishë dashurisht
për tu lutur e puthur si herën e parë
Atë Herë që e provuam vetëm në ëndërr
Dhe më pastaj
as si ëndërr nuk u përsërit
Ti përHerë si tash, thua: prit prit prit
KurdoHerë në një të diele si kjo
te Ai Gurë Trolli
Zemrën time e ke
( 12 prill 2014 )

KËSAJ TË DIELE, DERISA PO LUTEM

Këto re të bardha, të përhirta
këto re ngjyerpërziera si jotja natyrë
herë ma mbulojnë e herë ma shplojnë t’Lumin diell
e nuk tresin gjetkë
Këto re,
këto pela të shlira
kalërojnë nëpër t’ mijat hapësira
njejtë si ti
Kësaj të diele derisa po lutem
hiçmuni sysh e mendjesh
dilni arratisuni
ngopini tuajat dëshira me të harlisura
Mua vetëm me lutjet e mia
më lini
Retë janë të shurdhëta
si ndjenjat e mia
nuk dëgjojnë
Kësaj të diele derisa po lutem
për t’ harruar s’ po mundem
( 17 maj 2015 )