Mobi Casa

“Dita 24″ – Kronikë për Kosovën”, nga Fehmi Ajvazi botohet në rumanisht

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Libri “Dita 24 – Kronikë për Kosovën”, nga publicisti dhe shkrimtari, Fehmi Ajvazi, është përkthyer në gjuhën rumune nga Marius Dobresku dhe është botuar këto ditë nga botuesi i mirënjohur “Corint Books” në Bukuresht. I botuar në Prishtinë më 2012 nga shtëpia botuese “Ura”, ky libër ka pasur sukseset e veta në Kosovë. Tema dhe realizimi i këtij libri që prej herësh ka provokuar botues dhe përkthyes të ndryshëm.

“Dita 24 – Kronikë për Kosovën”, është një nga të rrallët libra të shkruar me një frymë për luftën e viteve 1998-1999, më saktësisht për periudhën e bombardimeve të NATO-s dhe për periudhën e dëbimit të shqiptarëve nga Kosova. I rrallë, padyshim për nga qasja, trajtimi, struktura e shkrimit etj., që një autor i ka bërë temës së luftës së Kosovës.

Duke qenë gazetar shumëvjeçar dhe autor i shumë veprave letrare, Fehmi Ajvazi ka arritur që me intuitë vrojtuese t’i përjetësojë disa ngjarje që janë zhvilluar rreth e rrotull tij dhe të cilat, ai i ka parë e përjetuar në rrethana të vështira lufte. Shënimet dhe paragrafët, lajmet, copëzat e gazetave, përshkrimet, rrëfimet personale etj., janë korniza autentike, faktike dhe dokumentare që e ndërtojnë këtë libër.

“Gjërat që nuk shënohen edhe harrohen”, shkruan Ajvazi në hyrje të librit, duke konstatuar me bindje parashikuese: “… e di mirë, dhe jam i bindur që në thelb të këtyre shënimeve, sado të thjeshta dhe të copëzuara, një ditë mund të kërkohet e të gjendet diçka interesante, diçka me vlerë për këtë kohë, pavarësisht faktit që ne, të gjithë, tashmë jemi kthyer në ngjarje, në personazhe, në histori…”.

Eco Higjiena

Në këtë libër prej 228 faqesh, Ajvazi rrëfen për gjendjen e ditëve të para 24 marsit të vitit 1999. Ai na dëfton përmes “Udhëtimit të fundit” dhe “Rrëfimit që s’përfundon”, ritmin e përkeqësimi dramatik të situatës në Kosovë si rezultat i dështimit të bisedimeve të Rambujesë, i militarizimit të gjithanshëm serb në Kosovë etj. Mjeshtëria e rrëfimit, ndjesia, përshkrimi, vërehen veçan te tregimet: “Expresso në ikje”, “Dita 24”, “Goditjet e para” etj.

Kulmi i asaj që është vetë struktura e librit janë pjesët në formë ditari, e në të cilat mund të zbërthehet jo situata e jashtme (ajo që shihet) por edhe gjendja e brendshme (shpirtërore) e autorit që domethënë – gjendja e atyre që vetëdijshëm kanë vendosur t’i presin bombardimet e NATO-s brenda në Kosovë.

Në këtë libër ka shumë shqetësim, shumë emocione, shumë, ëndrra, shumë shpresa, shumë luftë. “Dita 24 – Kronikë për Kosovën” në fakt mund të konsiderohet një traktat publicistik që shkund ndërgjegjen shqiptare kundër harresës dhe tëhuajësimit nga lufta.

Në fund, të kujtojmë që Marius Dobrescu ( i diplomuar më 1970 në Departamentin e Letërsisë Shqipe në Tiranë), është sot njëri nga njohësit dhe përkthyesit kryesorë të letërsisë dhe të kulturës shqiptare në hapësirat rumunefone./rtklive/