RCCOLA

Distribucionin s’ua la baba

/ 4 minuta lexim

Nga Arbana Xharra- Qeveria e Kosovës, përkatësisht, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, nuk e ka shitur distribucionin, ai e ka “falur” atë. Në një treg pa asnjë konkurrencë me qarkullim vjetor rreth 300 milionë euro, investime rreth 200 milionë, 450 mijë konsumatorë dhe prona marramendëse, kjo qeveri e dha distribucionin për 26,3 milionë euro.

Sa për informatë të atyre qytetarëve që nuk i dinë detajet e kontratës së kësaj shitblerje që e publikoi gazeta ”Zëri”, privatizuesi, kompania turke “Çalik-Limak Energy”, me këtë çmim qesharak pos monopolit absolut ka marrë në pronësi ndërtesën e “ElektroKosovës” në Prishtinë, e cila ka mbi 10 mijë metra katrorë dhe 34 ari tokë, vetëm ky objekt tejkalon çmimin total të blerjes së distribucionit. Në paket turqve u kanë dhënë edhe depo me mijëra hektarë pronë, objekte të tjera, njëmijë automjete shtyllë, trafo…

Këto asete që nuk ia ka lënë baba, as kryeministrit e as Besim Beqajt, por ato janë pronë ekskluzive e kosovarëve, të cilat përpara syve të tyre u falën pa fijen e turpit. Kjo politikë na e dëshmoi modelin më degradues në rajon të ndërmarrjeve publike. Pa shkuar më larg, vendet e rajonit dëshmojnë se nuk ka asnjë logjikë të tregut që një ndërmarrje që për katër vjet të fundit ka pranuar 180 milionë euro të jepet më një çmim të tillë e kur llogaritet edhe vlera e pronës që posedon, atëherë të dëshmohet një realitet denigrues i ndërmarrjeve publike.

Kushedi se çfarë pazare në prapaskenën politike janë bërë për këtë marrëveshje mes qeverisë dhe turqve, të cilët tashmë morën në dorë dy sektorë më të rëndësishëm në vend, aviacionin dhe energjetikën. Na janë dhënë shembuj të dështimit në investimet e premtuara, po t’i hedhet një sy Aeroportit të Prishtinës, shihet se çfarë investime janë bërë, ai vend më shumë i ngjan një shtalle të improvizuar sesa aeroportit.

Hidromorava

E arsyetimi i qeverisë së blerësit e Distribucionit do të investojnë 300 milionë euro pa u përmendur se këto investime do të bëhen në periudhë pesëmbëdhjetë vjeçare apo 20 milionë euro në vit, ndërkohë që po kaq përafërsisht janë të hyrat mujore të distribucionit. E kur t’i shtohen edhe kërkesat për rritjen e çmimit të energjisë, sepse kompania turke “Çalik-Limak Energy” investimet e premtuara prej 300 milionë euro në distribucionin e energjisë së Kosovës gjatë 15 vjetëve të ardhshme i kushtëzon me aprovimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që këto investime të reflektojnë në tarifat e energjisë elektrike.

Kjo është mësuar nga kontrata e nënshkruar për privatizimin e kompanisë kosovare të Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike mes Qeverisë së Kosovës, përkatësisht ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe kompanisë turke. Të gjitha zhvillimet tregojnë se rritja e çmimit të energjisë është e pashmangshme sepse kjo është praktikë e vendeve të tjera që kanë pasuar pas shitjeve të distribucionit.

Dhe në fund të fundit sa është e sigurt se do të mbikëqyret investimi për një dekadë e gjysmë në këtë sektor. Çkado që kritikohet, dhe del në shesh për pazaret e qeverisë, ata janë duke vazhduar me të veten dhe s’ka kush që i ndal. Kushdo që është kundër kësaj mënyre të privatizimit qeveria i përgjigjet në mënyrën më banale: se qenkan kundër këtij procesi të privatizimit dhe ekonomisë së hapur. Çfarëdo mekanizimi për degradimin e aseteve publike nuk do t’ia kalonte kurrë kësaj qeverie.