Distancohuni nga diskriminimi

Gjilan – Në një debat të organizuar nga OJQ Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes me temën “Stop diskriminimit” u tha se duhet një angazhim maksimal i të gjithë spektrit institucional, OJQ-ve e grupeve tjera për të ulur shkallën e diskriminimit që po ndodhë në çdo pore të shoqërisë.
OJQ Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes (ANP-Gjilan) në një debat të organizuar me përfaqësues komunal, zyrtarë të rinisë, zyrtarë të Ombudspersonit dhe përfaqësues të organizatave rinore u tha se diskriminimi ndodhë në të gjitha fushat, por më së tepërmi atakon të rinjtë , studentët , por edhe grupet tjera shoqërore.
Nexhat Ismajli udhëheqës i projektit “Stop diskriminimit” tha se ky projekt është një vjeçar dhe ka për synim të diskutoj në mënyrë interaktive për format ekzistuese të diskriminimit në shoqëri dhe zbatimin e ligjit për mos diskriminim, me qëllim që të ndërmerren hapat e nevojshëm në luftimin e kësaj dukurie negative .
Omer Daku nënkryetar i Komunës tha se komuna e Gjilanit është e përkushtuar shumë në këtë fushë për të dhënë kontributin e saj që të ulet në minimum shkalla e diskriminimit. Daku tha se Komuna e Gjilanit i ka mekanizmat e vet dhe partnerët e saj me të cilët lufton këtë dukuri të keqe të shoqërisë.
Daku tha se tashmë është formuar një mekanizëm për hartimin e strategjisë për dhunën në familje me një përfshirje të gjerë dhe gjithëpërfshirëse e cila do të hartohet gjatë muajit mars planifikojmë të caktojmë një koordinatore të veçantë të kësaj fushe.
Kurse Bujar Haziri zyrtar për rini tha se për ta luftuar këtë dukuri duhet një angazhim dhe një koordinim me të rinjtë dhe me ata që janë pjesë e diskriminimit. Haziri tha se ky departament ka bërë çmos që diskriminimi të mos jetë i pranishëm fare në Gjilan.
Haziri tha se duhet një bashkëpunim me të gjithë akterët, por kërkojë më shumë angazhim konkret në nxitjen e të rinjve për ta luftuar këtë dukuri. Haziri ka kërkuar në këtë debat që secili të distancojë diskriminimin.
Ndryshe ky debat është pjesë e projektit “Stop Diskriminimit”, i cili ka për qëllim të fuqizojë dhe të nxisë të rinjtë e regjionit të Gjilanit që të zbulojnë mekanizma të rinj për krijimin e një ambienti paqësor përmes aktivizimit të tyre në luftimin e dukurisë së diskriminimit, duke promovuar kulturën e padhunshmërisë dhe tolerancës, si dhe pranimit dhe respektimit të dallimeve, duke u bërë kështu model i një qytetari aktiv në komunitetin e tyre.
Ky projekt është përkrahur financiarisht nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës./rajonipress/