Diskutojnë për lokacionin e varrezave, por nuk marrin asnjë vendim

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit është mbledhur sot në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth lokacionit të ri të varrezave, që është planifikuar në lagjen Zabeli, por po kundërshtohet nga opozita.

Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit, tha se kjo seancë është ftuar me kërkesë të 15 këshilltarëve komunalë nga PDK, VV, PSD, VATRA dhe këshilltarët e pavarur, për të diskutuar rreth lokacionit të ri të varrezave.

Kuvendi ka zhvilluar një debat të gjerë dhe polarizues, në momente edhe me tensione, por nuk ka marrë asnjë vendim tjetër, duke e lënë të hapur çështjen për diskutim edhe në ndonjërën nga seancat e ardhshme.

Palët ishin dakord se qyteti i Gjilanit ka nevojë urgjente për zgjidhjen e problemit të varrezave, meqë në ato ekzistuese nuk ka më vend për varre, por dallimi ishte te lokacioni.

Opozita këmbënguli në ndërrimin e lokacionit, duke kërkuar formimin e një komisioni të ekspertëve, i cili do të identifikonte tri lokacione më të përshtatshme dhe pastaj Kuvendi do të vendoste për njërin nga propozimet.

Ndërkaq, sipas pozitës nuk ka nevojë për ndryshime, sepse janë respektuar të gjitha procedurat dhe se ky projekt është përfshirë edhe në planin zhvillimor komunal në këtë lokacion.

Po ashtu u tha se ky lokacion, në sipërfaqe mbi 10 hektarë, i është dhënë komunës së Gjilanit nga qeveria e Kosovës për varreza dhe ndryshimi i destinimit nënkupton humbje të kësaj hapësire.

Riza Abdyli (PDK) ka thënë se lokacioni ku kanë filluar punimet për varrezat e reja, nuk i përmbush kriteret për një destinim të tillë, ndërsa edhe parcelat janë private. Prandaj, ka thënë Abdyli, ne si opozitë kërkojmë stopimin e menjëhershëm të planit dhe formimin e një komisioni, i cili do të identifikojë hapësira më të përshtatshme dhe do të vijë në Kuvend me tri propozime.

Kurse Nevzad Isufi (VV) tha se ky lokacion nuk i plotëson aspak kriteret për varreza dhe as nuk e zgjidhë problemin në periudhë afatgjatë. Për më tepër, lokacioni i tashëm është pronë private në pjesën më të madhe të saj.

Avdyl Aliu (LDK) tha se për këtë vendim janë respektuar të gjitha procedurat, të cilat kanë filluar nga viti 2003, lokacioni është përfshirë edhe në plan zhvillimor komunal me këtë destinim, ndërkohë që ia rikujtoi Nevzad Isufit se ai ka konflikt interesi në rastin konkret.

Ai tha se nuk është e dinjitetshme që varrezat të dërgohen në një hapësirë të padinjitetshme, siç po propozohet nga opozita e sotme, e cila vetë e ka hartuar dhe miratuar këtë plan rregullues më herët.

Gjatë seancës pati edhe ndërhyrje nga pjesa e publikut, çka e detyroi kryesuesen të reagojë duke paralajmëruar mundësinë për ndërprerje të punimeve, nëse vazhdohet me ndërhyje të tilla.

Bujar Nevzati (PDK) tha se nuk jemi në vitin 2003, por në vitin 2020 dhe prej atëherë kanë ndodhur shumë ndryshime dhe ky lokacion nuk i plotëson më kushtet për varreza. Nevzati tha se gjetja e një lokacioni më të përshtatshëm nuk është interes i një individi, as i një subjekti politik, por është interes i përgjithshëm afatgjatë.

Sali Fazliu, drejtor për Kadastër, ka sqaruar të gjitha procedurat se si ka ardhur deri te ky vendim, duke thënë se në kohën kur është planifikuar, këto parcela kanë qenë shtetërore.
Tani jemi duke vepruar sipas vendimit të qeverisë së Kosovës, e cila këtë hapësirë ia ka bartur Komunës për nevoja të saj zhvillimore, tha ai.

Sqarime shtesë ka dhënë edhe drejtori i Urbanizmit, Bekim Bajrami, i cili tha se planifikimi është bërë në përputhje me procedurat ligjore dhe ky lokacion i plotëson kriteret për një periudhë 70 vjeçare.

Varrezat atje do të bëhen sipas një plani model në Kosovë, ka thënë Bajrami.

Naser Korqa (DSHP) tha se ky lokacion ka qasje nga tri anë, duke mohuar arsyetimet e opozitës se qasja në këtë lokacion është e vështirë.

Fundamenti

Festa Shabani (PSD) tha se lagja Zabeli nuk është vendi ku duhet të dërgohen varrezat e qytetit dhe e përmendi rastin e Dragashit, ku është ndryshuar një vendim i mëhershëm për lokacionin e varrezave.

Edhe Arianit Sadiku (VV) tha se më e udhës do të ishte ri-diskutimi i këtij lokacioni se sa fillimi i realizimit te projektit në atë lokacion, që tani shihet se nuk i plotëson kushtet dhe as nevojat e qytetit.

Burim Berisha (LDK) tha se nëse ka zgjidhje alternative, pse të mos shikohet, por besoj se tashmë jemi vonë për ta bërë këtë, than ai.

Isa Agushi (PDK) tha se duhet të hulumtohet një lokacion tjetër, sepse pronat atje janë kryesisht private dhe kjo duhet të merret parasysh. Kjo çështje duhet të zgjidhet pa inate dhe për një periudhë afatgjatë, për njëqind vjetët e ardhshëm.

Ibish Ibishi, këshilltar i pavarur, tha se gjendja në varrezat ekzistuese është e tillë që kërkon zgjidhje urgjente, por u pajtua se lokacioni i planifikuar nuk ofron zgjidhje afatgjatë.

Gentrit Murseli (LDK) kërkoi nga këshilltarët që të jenë racionalë në këtë temë, sepse të gjithë e kemi ditur këtë problem që më herët dhe kemi heshtur deri tani. Ndërkaq, një zgjidhje për varrezat, është e domosdoshme.

Nehat Osmani (VV) tha se është për keqardhje që një çështje me kaq rëndësi për qytetarët, po trajtohet në këtë mënyrë.

Shemsedin Elezi (LDK) ftoi për mirëkuptim që sot të mos merret asnjë qëndrim për këtë çështje, por të lihet për seancën e rregullt. Duhet ta gjejmë një zgjidhje të mirë për qytetarët.

Arta Haziri (AAK) tha se qytetarët meritojnë një varrezë të dinjitetshme, ndërsa kjo hapësirë mund të shfrytëzohet për rekreacion, siç e ka Prishtina.

Shefik Surdulli (PDK) tha se ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm ndaj qytetarëve, po edhe interesat personale janë legjitime. Edhe unë kam vërejtje te ky projekt për shkak të hapësirës, pavarësisht se është miratuar në qeverisjen e PDK-së, prandaj për të qenë korrekt me qytetarët, unë do të abstenoj, tha ai.

Arbëresha Hyseni (VV) u shpreh kundër këtij vendimi të Kuvendit, sepse nuk ofron një zgjidhje afatgjatë, ndërsa anën tjetër prishet një ambient me pisha, i tillë çfarë i duhet shumë qytetit.

Drejtorët e Kadastrës dhe Urbanizmit dhanë sqarime shtesë rreth procedurave të miratimit të vendimit, sipërfaqen, destinimin e saj me vendim të qeverisë etj.

Për të ardhur deri te një lokacion tjetër, duhet të kalojnë dy-tri vjet, ndërsa në varrezat ekzistuese nuk ka më vend për varre të reja, thanë ata.

Përfaqësuesi i fshatit Uglar, Ramiz Isufi, tha se bëhet fjalë për një zone atraktive dhe u zotua se kurrë nuk do të lejohet jetësimi i projektit të varrezave. Uglari nuk pranon të kthehet në një zonë të vdekur.

Bekim Bahrami sqaroi se ky projekt është pjesë integrale e planit zhvillimor komunal dhe nuk mund të ndryshohet lehtë.

Duka i parë të gjitha këto dallime dhe duke marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për një vendim të miratuar në procedura të rregullta, Shpresa Kurteshi Emini tha se duhet kohë për të analizuar këtë çështje, prandaj sot nuk mund të merret asnjë vendim./rajonipress/