Diskriminimi
Nga Vjosa Osmani Sadriu – Nëse serbët e veriut të vendit vërtetë do të marrin pjesë në këto zgjedhje lokale mbetet të vërtetohet më 3 nëntor. Deklarimet e liderëve serbë janë aq kontradiktore sa që është e pamundur të dihet sigurt nëse ata vërtetë do të zgjedhin të jenë pjesë e këtyre zgjedhjeve. Mirëpo, është e qartë që për pjesëmarrjen e tyre u bënë shumë kompromise, dhe të gjitha nga Kosova.
Nëse i besohet deklarimeve publike të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, të drejtë vote do të kenë të gjithë serbët që kanë lindur në Kosovë, pavarësisht se a e dëshmojnë ata nënshtetësinë e Republikës së Kosovës apo jo. Kjo, natyrisht, përfshinë edhe Kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic.
Aktet juridike në Kosovë parashohin që të drejtën e votës e kanë shtetasit e Republikës së Kosovës, duke përcaktuar kështu nënshtetësinë si parakusht për të marrë pjesë në zgjedhje.
Mirëpo Kryeministri Thaci kishte vendosur që ta anashkalojë këtë rregull në rastin e serbëve të veriut. Pra, pavarësisht faktit se shumica dërmuese e serbëve të veriut, e në veçanti ata që tani jetojnë në Serbi, nuk kanë dokument identifikues për ta vërtetuar nënshtetësinë e Republikës së Kosovës, atyre do t’ju akordohet e drejta për të votuar në zgjedhje lokale. Përveç që një zgjidhje e tillë do të lë hapësirë të madhe për manipulime me numra të votuesve, problem tjetër është diskriminimi që po u bëhet shqiptarëve të veriut të vendit.
Përderisa për serbët që jetojnë jashtë Kosovës, pra kryesisht në Serbi, thuhet se ata janë dëbuar nga Kosova, prandaj duhet të konsiderohet se ata akoma janë banorë të Kosovë, për shqiptarët e zhvendosur të veriut nuk po pranohet ky argument, pavarësisht se ata janë dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre. Pra, shqiptarëve të dëbuar u thuhet të votojnë në vendbanimin e tyre të ri, dhe nuk u jepet mundësia të votojnë në vendin nga i cili janë dëbuar. Një vendim i tillë diskriminon të gjithë shqiptarët e veriut të cilët akoma presin që të bëhet diçka në mënyrë që ata të kenë mundësi të kthehen në shtëpitë e tyre.
Diskriminimi i tillë, duke iu mohuar një ndër të drejtat elementare, pra të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, do të ketë si pasojë krijimin e entiteteve monoetnike, të cilat në vend se të integrojnë vendin, do të krijojnë ndasi edhe më të thella. Me një vendim të tillë po vuloset njëherë e përgjithmonë dëbimi i shqiptarëve nga veriu. Sikur shqiptarët të lejoheshin të votonin në veri, ata do të kishin mundësi të zgjidhnin këshilltarët e tyre komunalë dhe përfaqësuesit në institucione të tjera, të cilët pastaj do të mbronin interesat e tyre në veri të vendit. Për me tepër, pjesëmarrja e shqiptarëve në këto institucione, do të hapte rrugën e bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve. Mirëpo, si duket zgjidhjet e tilla afatgjate që qojnë drejt integrimit nuk i interesojnë Qeverisë së Kosovës.
Diskriminimi, tashmë është bërë pjesë e përditshme e veprimeve të Qeverisë, dhe po me diskriminim do të vazhdojnë t’i trajtojnë edhe qytetarët shqiptarë të veriut të Kosovës. Por institucionet e Kosovës duhet ta kuptojnë që derisa largojnë gjithçka që është shqiptare nga veriu i Kosovës, nuk po e kthejnë atë pjesë nën juridiksion dhe sovranitet të vendit, por në fakt po e humbin përgjithmonë.
(Autorja është deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)


