Eko Higjiena

“Disiplinohen” të disiplinuarit ose gënjeshtra fushatash parazgjedhore!

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Nuhi Ismajli – Sipas një informate publike (shih: “Debatohet për rregulloren që krijon rend dhe disiplinë në arsim”, rajonipress, më 05.07.2013), pushteti aktual gjilanas paska bërë një Projekt-Rregullore për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale në arsimin e komunës së Gjilanit, i cili qenka nxjerrë në diskutim publik dhe, i cili, sipas informatës, paska “zgjuar interesim të madh tek të punësuarit në këtë sektor, të cilët i kanë paraqitur sugjerimet dhe opinionet e tyre”!

Si një punëtor shumëvjeçar i fushës së arsimit, nuk mbetëm indiferent ndaj kësaj informate dhe dëshirës për të mësuar se çfarë rregulloresh po harton pushteti gjilanas për fushën e arsimit, si dhe dëshirës për të mësuar lidhur me atë “debatin e madh”, që, sipas informatës, qenka zhvilluar.

Prandaj, kërkuam nëpër shkolla, aty ku do të duhej dërguar e diskutuar tekstin e Projekt-Rregullores së përmendur, por nuk e gjetëm!

Kërkuam të dimë prej mjaft punëtorëve të arsimit, se a mos kishin dëgjuar lidhur me një Projekt-Rregullore komunale, për arsimin gjilanas, por të gjithë rrudhnin krahët dhe thoshin se nuk dinin gjë! Disa prej tyre edhe habiteshin me pyetjen tonë, duke konsideruar atë si një pyetje për diçka të paqenë!

Pyetëm, pastaj, edhe udhëheqës dhe punëtorë të ndryshëm të shkollave, por as ata nuk dinin gjë!

Çka kuptuam?! Pas gjithë atij hulumtimit tonë, i cili, si u tha, u konsiderua, madje, edhe si i pakuptimtë, prej shumicës me të cilët biseduam, doli se puna e një diskutimi të gjerë dhe e një interesimit të madh për shqyrtimin e Projekt-Rregullores së përmendur komunale, për arsimin, paska qenë veç një gënjeshtër e madhe, e ngjashme me ato gënjeshtrat e deritashme të pushtetit gjilanas, dhe e ngjashme me gënjeshtrat e tashme të pushtetit gjilanas dhe të partisë në pushtet, që, në vend të një pune të vërtetë e të rëndsishme, ua bëjnë mjegull qytetarëve!

Sepse, e vërteta qenka se, Projekt-Rregullorja e përmendur komunale, për arsimin, nuk qenka e njohur për shkollat, nuk qenka diskutuar nga ata që duhet ta diskutojnë atë – nga arsimtarët dhe, madje, as qenka e njohur për ta!

E vërteta, për diskutimin publik të Projekt-Rregullores së përmendur komunale, për arsimin, qenka ajo, si mund të kuptohet në saje të informatës, se pushteti gjilanas ka organizuar vetëm një takim, ku kanë marrë pjesë vetëm tre-katër punëtorë të arsimit!

A mund të quhet, prandaj, diskutim publik një takim i vetëm, i izoluar, si një takim i fshehtë, ku marrin pjesë vetëm tre-katër vetë?!

A mund të quhet, prandaj, diskutim publik një takim i vetëm, i izoluar, si një takim i fshehtë, ku marrin pjesë vetëm tre-katër vetë, të cilët askush nuk i ka zgjedhur të flasin në emër të mijëra punëtorëve të arsimit?!

Madje, a mund të diskutohet një Projekt-Rregullore edhe prej atyre që, realisht, dyshohet për aftësitë e tyre?!

Debati për rregulloret e arsimit, për të qenë debat çfarë duhet, duhet t’iu paraqitet shkollave; teksti i projekt-rregullores duhet t’iu ofrohet mësimdhënësve, sepse, në radhë të parë, atyre iu takon të diskutojnë për të. Në këtë rast, nëse vërtet duam rregullore, ajo që është e rëndësishme dhe çka duhet kërkuar, është mendimi i arsimtarëve me përvojë e të formuar mirë. Me ndonjë drejtor injorant shkollash, si i kemi aktualisht, dhe me ndonjë kalimtar të rastit, nuk diskutohet e përsoset rregullorja, as nuk i ndihmohet arsimit!

KKVITI

Çështje tjetër me rëndësi për ne është ajo ç’përmban vetë Projekt-Rregullorja, të cilën nuk e njohim. Çka përmban ajo? Sa janë të qëndrueshme ato “rregulla” për arsimin, që i përmban ajo, shikuar në raport me arsimin e sotëm bashkëkohor, në raport me ligjet e shteteve te përparuara, vërtet demokratike, dhe në raport me dijet e përparuara pedagogjike? .

Ne nuk e njohim tekstin e Projekt-Rregullores së përmendur, prandaj as nuk po merremi me këtë çështje. Por, intuita na e thotë, në bazë të përvojës sonë të deritashme me pushtetin gjilanas, se, pa farë dyshimi, Projekt-Rregullorja e tashme komunale, për arsimin, mund të jetë e çmuar dhe e pranueshme vetëm për ndonjë drejtor injorant shkolle, të cilët, shkollat tona, fatkeqësisht,i kanë me bollëk.

Ajo që na habit shumë dhe është për çdo kritikë, në rastin e paraqitjes së Projekt-Rregullores së përmendur komunale, për arsimin, është arsyetimi që jepet publikisht lidhur me të.

Sipas asaj që pohohet publikisht, lidhur me qëllimin e hartimit të rregullores komunale të arsimit, Projekt- Rregulloja e përmendur paraqet një rast tjetër të poshtërimit absurd të arsimtarëve gjilanas, në radhën e gjithë poshtërimeve e maltretimeve që iu janë bërë atyre nga pushteti gjilanas.

Sipas informatës publike, thuhet se “rregullorja” është bërë “për të krijuar rend dhe disiplinë në këtë sektor”! (d.m.th. arsim).

Pra, sipas citimit, shihet se pushtetarët gjilanas, fushën e arsimit e shohin si një fushë problematike, kurse arsimtarët si njerëz problematikë!

Pushteti gjilanas, edhe më parë, në vend të respektit për arsimin dhe arsimtarët, i ka poshtëruar, trajtuar e keqtrajtuar ata, si sferën dhe si qytetarët më problematikë!
Mund t’i marrim si shembull rastet e emërimit në krye të institucioneve të arsimit individët më të pavlershëm, largimin e punëtorëve të arsimit nga vendi i punës, për interesa krejt personale të pushtetarëve dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet për të drejtat e njeriut, maltretimin e punëtorëve me rastin e punësimit (siç ndodhi vitin e kaluar, kur konkurrentët u detyruan t’i nënshtrohen provimit në Fakultetin e Edukimit!), zënien e vendeve të punës pa konkurs, kushtëzimin e pagave të arsimtarëve me kryerjen e obligimeve tatimore (sipas një informate publike (rajonipress, 28 qershor 2013), të parët, nga gjithë punëtorët e sferave të tjera shoqërore, arsimtarët u konsideruan ndër borxhlinjtë më të mëdhenj të shtetit dhe u detyruan të dëshmojnë kryerjen e obligimeve tatimore!) etj., etj.

Arsimi dhe arsimtarët nuk meritojnë poshtërimin e keqtrajtimin, që pushteti gjilanas ua ka bërë gjer më tash, sikundër nuk e meriton një poshtërim të tillë as përmes të ashtuquajturës Projekt-Rregullore, që, siç e përmendëm më lart, fushën e arsimit e konsideron si një fushë problematike, ku duhet të vendoset rendi dhe disiplina.

Arsimi, siç është dëshmuar gjer më tash, si fusha më fisnike e veprimtarisë njerëzore, nuk meriton asnjë lloj poshtërimi, nënçmimi e fyerjeje. Sepse është arsimi ai që, në çdo kohë e ne çdo rrethanë, u dëshmua si një krijues vlerash më të çmuara njerëzore.

Pushteti gjilanas duhet ta shqyrtojë me kujdes raportin që ka krijuar ndaj arsimit, ndaj arsimtarit dhe përgjithësisht ndaj njerëzve të dijes dhe të kulturës.

Në vend të rregullave për “disiplinimin” e arsimit, disiplinimin e të disiplinuarve, duhet të bëjë rregulla për vetveten dhe ta korrigjojë rrënjësisht vetveten.