UBT

Diplomatët e SHBA-së në “konfuzion” për dialogun Kosovë-Serbi

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi të martën se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojnë me njohje reciproke, ndërsa ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, shprehu bindjen se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE).

Duke folur në një panel në kuadër të samitit “The Western Balkans 2024” të martën në Prishtinë, ambasadori Hovenier theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia kanë arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e BE-së, deri në finalizimin e procesit që supozohet të përfundojë me njohje reciproke.

“Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja ndërmjet dy vendeve – diçka më pak se kjo nuk e përmbush vizionin që kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”, nënvizoi ambasadori Hovenier. Megjithatë, ndryshe u shpreh ambasadori Hill, i cili konsideroi se njohja e Kosovës nuk do të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë në bllokun 27-shtetesh.

Në një intervistë për revistën e përjavshme serbe “NIN” të enjten, ambasadori Hill, i cili kritikon në mënyrë rutinore Kosovën, por asnjëherë Serbinë, për shkak të dështimit për t’iu përmbajtur marrëveshjeve, vlerësoi se Serbisë pro-ruse nuk do t’i kërkohet njohja de jure për t’u bërë anëtare e BE-së. Madje, diplomati amerikan e artikuloi këtë qëndrim në emër të evropianëve.

“Mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka vende anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e rëndësishme është të përpiqemi të arrijmë normalizimin, ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë, kufij që i bashkojnë ata realisht”, nënvizoi ambasadori Hill.

ARKATANA

Këshilli i Ministrave të BE-së miratoi në prill vendimin për ndryshimin e dokumentit të kushteve nga kapitulli 35 në kuadër të kornizës negociuese për anëtarësimin potencial të Serbisë në bllok, i cili përveç mbulimit të kritereve formale për shtetin serb, adreson edhe zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për shkak të refuzimit të Serbisë për të realizuar dispozitat thelbësore të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, shtetet anëtare obliguan BE-në që ta inkorporojë zbatimin e obligimeve në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësimin e Serbisë, ku i kërkohet njohja de facto e Kosovës, deri në finalizimin e procesit që supozohet të përfundojë me njohje reciproke.

Në tekstin e ri të kornizës negociuese është vendosur kusht zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve nga viti i kaluar. Por, në marrëveshjen e arritur midis Kosovës e Serbisë, megjithëse nuk përmendet njohja reciproke, zyrtarë të lartë amerikanë përsërisin se Serbia nuk mund të përparojë drejt BE-së pa e njohur pavarësinë e Kosovës.

Për më tepër, në vitin 2021, vetë ambasadori Hill deklaroi se SHBA-ja beson se njohja reciproke është mënyra më e mirë për të zhbllokuar “potencialin evropian” të Serbisë dhe forcuar stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Në një paraqitje para senatit amerikan, ai garantoi: “Unë do ta inkurajoj Serbinë që të angazhohet seriozisht dhe urgjentisht për të arritur një kompromis”.

Ndryshe, derisa vendet nga Ballkani Perëndimor anëtarësimin në BE e përjetojnë sikur njëfarë kthimi në Evropë, shumë nga shtetet evropiane anëtare kanë një qëndrim skeptik, posaçërisht ndaj një rajoni të rrethuar nga armiqësitë etnike. Arsyet për këtë distancë janë të ndryshme, por kryesor është fakti se nuk duan të pranojnë në bllok shtete që s’e njohin njëra tjetrën. /AP