Diplomatë e hoxhallarë – ruana Zot nga kjo farë
Nga Muharrem Nitaj – Në gjashtë muajt e fundit, ka pasur një “rendiment” në rritje të skandaleve në shërbimet diplomatike të Kosovës dhe secili prej tyre, ka qenë më “majhosh” se tjetri dhe për çudinë e të gjithë neve, Ministria e Jashtme e Kosovës, në mbarim të tyre rezultoi të ishte në “nivelin e detyrës” dhe na “pshtoj me ftyrë”.
Skandali me të ngarkuarin në zyrën diplomatike në Beograd dhe intervenimi urgjent i Ministrisë së Jashtme për të na shpëtuar nga një “spiun i shumëfishtë”, më pastaj vendi i boshatisur nga burgu i ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, këmbët “thik përpjetë” të një zonje në një ambasadë në perëndimin (për ne të egër) evropian, dhe së fundi diplomati i “shtrirë përtokë” në Zagreb, në rastin më të keq të mundshëm, do të duhej të hapnin “kurbën” e përgjegjësisë institucionale shtetërore, që do të fillonte nga Presidentja e do të përfundonte te Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme.
Presidentja, Ministria e Jashtme apo edhe Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, do të duhej ta sqaronin opinionin, për secilin nga këto skandale veç e veç, dhe të flasin se cila është përgjegjësia e tyre në këtë mes.
Ka një varg pyetjesh që kërkojnë përgjigje dhe po nuk u dhanë, llogaria për to më vonë do të jetë e pamatshme. E para cila ishte sjellja e organeve të shtetit kroat ndaj një diplomati me imunitet të Kosovës në Zagreb dhe si ndodhi që pamjet e “poshtërimit të tij” të bëheshin publike, dhe a ka mundur të kishte një version tjetër të kësaj ngjarjeje, përpos asaj të palës kroate.
E dyta, kush janë ata njerëz që i nxjerrin në publik, fotografitë e “zonjave me këmbë përpjetë” në ambientet e ambasadave, dhe a ka nevojë diplomacia kosovare që ta vrasë veten deri në këtë masë, vetëm për të shkarkuar një zyrtare ambasade që i paskësh “qitur këmbët mbi tavolinë”. Skandali nuk ka ndodhur nga këmbët e saj, por nga publikimi i këtyre këmbëve. A ka njohuri Komisioni Parlamentar se kush janë ata që në emër të shtetit, i “shpërfytyrojnë” ambasadat e Kosovës në publik, dhe për hesap të kujt punojnë… Në mungesë të zbardhjes së këtyre informatave, të gjithë ata mund të jenë njëlloj.
Në Natën e Kadrit
Në Natën më të madhe të Kadrit, e kam dëgjuar Myftiun e Kosovës, Naim Tërnavën, të flasë për islamin tradicional dhe ta përmend Tora-Borën. E kam dëgjuar të thotë se Bashkësia Islame, në krye të të cilës është ai vetë, të ketë bërë 1001 punë të mira. Po të njëjtën Natë të Madhe të Kadrit, e kam dëgjuar një imam të tij, Irfanin, të flasë si rrugaç e i paditur, për kombin e për njerëzit, për besimtarët dhe për fenë.
E kam dëgjuar të mos dijë të flasë shqip, të mos dijë të komunikojë si njeri, të mos dijë të jetë imam, të mos ketë as fytyrë as njerëzi dhe në çdo fjalë të tij të shkaktojë neveri dhe gërdi. I veshur si “xhamall” e kam dëgjuar të flasë në emër të “Zotit” e të besimit që e përfaqëson edhe Myftiu i Kosovës. Por këtë të fundit nuk e kam dëgjuar të flasë për imamët e tij dhe për disa syresh që “në emër të All’llahut”, i janë sulur popullit fatzi.
Myftiu i Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tij, nëse kanë mbetur që hala të flasin në emër të Zotit gj.sh, e kanë për detyrë t’i “urtësojnë” imamët e tyre dhe t’i nxjerrin jashtë predikimit në emër të Bashkësisë Islame, ata të sojit të Irfanit. Ose të bëhen të ndershëm e të mos flasin për islamin tradicional e për Tora-Borën.
Çuditërisht në këtë muaj të Ramazanit dhe në Natën e Madhe të Kadrit, në vend që të lutemi për mëshirën e Zotit, ne s’kemi çare as derman pa u lutur: “diplomatë e hoxhallarë – ruana zot nga kjo farë”.
Pamjet skandaloze të një diplomati kosovar të shtrirë përtokë, dhe fjalori, për të satën herë denigrues, i poshtër e ofendues i një hoxhe “dallkauk” që nuk ka tru më shumë sesa një vemje, më detyrojnë që të kërkoj prehje e ngushëllim te mjeshtri i madh i letrave, Faik Konica dhe tek “ajeti” i tij: “Shqipëri moj të kam dhjerë, s’të kuptova asnjëherë”!


