UBT

Diploma n’kiosk

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Lavdim Hamidi – Nuk po arrij ta kuptoj në esencë se çka i ka nxitur studentët nga Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia të bëjnë sakrificë kaq të madhe për t’u pajisur në fund me diplomë nga Fakulteti i Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë.

Cilësia e studimeve, me siguri nuk ka qenë arsyeja që i ka shtyrë ata që të shkojnë në Pejë, pasi që po të ishte ashtu nuk do t’i kalonin disa nga universitetet edhe më prestigjioze në vendet e tyre, të cilët kanë traditë edhe më të gjatë në arsim se Fakulteti i Shkencave të Aplikuara të Biznesit.

Edhe laiku më i madh e kupton se në këtë stad “cilësia” nuk ka qenë arsyeja e vërtetë për të studiuar, prandaj motivi për të marrë diploma të këtij Universiteti duhet kërkuar në një pistë tjetër, atë të korrupsionit në arsim.

Bashkë me këta shtetas të huaj, për të cilët, madje, dyshoj se e dinë ku gjendet objekti i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit, janë edhe qindra shtetas të tjerë të Kosovës në listat e Prokurorisë Themelore të Pejës si të dyshuar se janë pajisur me diploma nga ky Fakultet gjatë periudhës 1999-2004, pa qenë të regjistruar fare si studentë e as pa ndjekur ligjëratat ndonjëherë.

E nga 503 studentë sa dyshohet se kanë diploma false, gjithnjë sipas dosjes së Prokurorisë, shumë prej tyre tashmë janë ngjitur në krye të institucioneve të Kosovës. Bëhet fjalë për zyrtarë të lartë të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), profesorë universitarë, menaxherë të lartë të kompanive publike e private, etj.

Ky megaskandal i “diplomimit masiv” pa dyshim se dëshmon se jemi rast “sui generis”, pasi që vetëm këtu me diploma false mund të arrish në krye të institucioneve më të rëndësishme shtetërore, ndërsa shumë studentë të tjerë që e kanë “nxehur” karrigen gjatë studimeve, sillen rrugëve, pa pasur mundësi ta gjejnë një vend pune dhe si shpëtim të vetëm, e shohin Suboticën, përkatësisht ikjen ilegale nga vendi për në Evropë.

FIDANISHTJA

Është koha e fundit që të mos heshtin skandalet e tilla nga institucioni i akuzës dhe Inspektorati i Arsimit, ashtu siç janë heshtur deri më tani nga viti 2013, por të zbardhet e vërteta, duke mos u amnistuar as të “fortit” në vend, nëse vërtetohet se kanë diploma false.

Ndërsa, partitë politike që janë në krye të institucioneve qendrore përfundimisht duhet ta bëjnë luftën për rritjen e cilësisë në arsim, e jo luftën ta zhvillojnë se cilit nga partnerët e koalicionit do t’i takojë rektori i Universitetit. Mjaft më, me rektorë të degraduar të cilët kanë kontribuar në këtë nivel të ulët të arsimit që kemi në vend.

Skandali me diploma false “kundërmoi” në Pejë, mirëpo hiç më mirë nuk i kanë punët as universitetet tjera publike e kolegjet private në vend. Është çështje kohe se kur do të dalë e vërteta në shesh edhe për këto institucione të arsimit.

Sistemi i arsimit duhet pastruar një herë e përgjithmonë nga rektorët politikë dhe profesorët me “diploma të blera”. Vetëm kështu do të mundë të rritet cilësia në arsim dhe vetëm atëherë mund t’i joshim studentët e vërtetë nga rajoni, e jo të na vijnë studentët “fantazmë”, siç i kishim në Universitetin e Pejës.

Citat:

Skandali me diploma false “kundërmoi” në Pejë, mirëpo hiç më mirë nuk i kanë punët as universitetet tjera publike e kolegjet private në vend. Është çështje kohe se kur do të dalë e vërteta në shesh edhe për këto institucione të arsimit. Sistemi i arsimit duhet pastruar një herë e përgjithmonë nga rektorët politikë dhe profesorët me “diploma të blera”.