Eko Higjiena

Dilema Speciale

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Lavdim Hamidi – Dilema për Gjykatën Speciale përfundimisht duhet zgjidhur të premten. Nëse nuk ka zgjidhje të tretë dhe kur tashmë në tavolinë janë vetëm dy teza, atëherë pa dyshim se duhet zgjedhur formimin e kësaj Gjykate nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, për të mos lejuar që një gjë të tillë ta bëjë Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Vota kundër Speciales të premten në Kuvend do të mundë të vinte në shprehje si opsion, vetëm atëherë kur aleatët e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende me ndikim në Bashkimin Evropian, do të jepnin garanci të fuqishme se as në OKB nuk mund të kalojë, pasi që do ta përdornin të drejtën e vetos.

Por, kur të gjithë këta që një kohë të gjatë kërkojnë që Specialja të votohet nga ligjvënësit kosovarë, për të mos lejuar që e njëjta të shkojë në OKB, ku ka ndikim të madh aleati i Serbisë-Rusia, atëherë s’ka kurrfarë logjike politike që e njëjta të kundërshtohet.

Fundja, Kosova ka arritur të çlirohet nga regjimi i Millosheviqit dhe para shtatë viteve është pavarësuar dhe falë ndihmës së parezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve në Bashkimin Evropian.

Harrojeni që për kaq pak vite shtetësi do t’i arrinim rreth 110 njohje ndërkombëtare falë zhdërvjelltësisë diplomatike të politikanëve kosovarë, duke filluar nga Skender Hyseni, ish-ministër i parë i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli dhe së fundi Hashim Thaçi. Sa për këta të fundit, do të ishim të lumtur sikur në shtatëvjetorin e pavarësisë do të na njihnin vetëm shtatë shtete të botës.

Në fakt, Gjykata Speciale është kontribut i këtij soji të politikanëve, të cilët qe 16 vjet i kanë zaptuar gjykatat dhe prokuroritë vendore.

Eco Higjiena

Duke mos guxuar të merren me rastet e krimeve të luftës, për të cilat ka dyshime se kanë ndodhur në Kosovë, duke anashkaluar rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, përpos disa raste të policëve dhe të mjekëve kur janë zënë dhe dënuar për 20 euro korrupsion, gjykatësit vendorë deri më tani kanë arritur të dëshmohen se kanë guxim vetëm për t’i zgjidhur kundërvajtjet në komunikacion.

Po të ishim dëshmuar se dimë ta ndërtojmë një shtet juridik, ku askush nuk do të ishte mbi ligjin, atëherë nuk besoj se dikush do të na detyronte 16 vjet pas përfundimit të luftës ta formojmë një Gjykatë të tillë Speciale, sepse punën e kësaj të fundit do ta kryenin me sukses gjykatat vendore.

Besoj fuqishëm se në mandatin e kësaj Gjykate Speciale nuk do të jetë gjykimi i luftës së UÇK-së, për të cilën të gjithë jemi të bindur se ka qenë luftë e pastër dhe e drejtë, ndërsa kur flitet për rastet individuale duhet ta kemi parasysh se as ata nuk mund të dënohen pa fakte.

Shembull të tillë janë dhënë nga Gjykata e Hagës, e cila i kishte shpallur të pafajshëm Fatmir Limajn dhe Ramush Haradinajn.

Madje, duke u nisur nga këto raste të fundit, me Gjykatën Speciale do të mundë të vërtetohet pastërtia e luftës së UÇK-së.

Kundërshtimi për themelimin e Gjykatës Speciale është argumentuar disa herë me padrejtësitë që po i bëhen vetëm Kosovës dhe se nga kjo e fundit do të prodhojë vetëm lajme negative për vendin në mediat e huaja. Por, edhe pa këtë Gjykatë Speciale, çfarë lajme i dërguam botës si shtet? Krim, korrupsion…!