Fundamenti

Dikush po shet vende pune?

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Adrian Çollaku – Teksa shfletoja gazetat ditore mëngjesin e së martës, më ra në sy një lajm shumë interesant. Dy persona kishin mashtruar shumë qytetarë, duke u premtuar se “nëse e luajnë gishtin” do t’i punësojnë në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Si zakonisht, kungulli nuk shkon gjithmonë mbi ujë dhe këtyre tipave “biznesi” u kishte dështuar pasi Policia kishte arritur që t’i kapte.

Në anën tjetër, ata që u kanë besuar këtyre mashtruesve, apo më mirë thënë këto “viktima” që kanë dhënë edhe para duke shpresuar në një vend pune, edhe pse ligji i bën përgjegjës si mitdhënës, për hesapin tim nuk kanë pikë të fajit.

Ata në fund të fundit kanë qenë nevojtarë dhe për të siguruar një vend pune, një rrogë që do t’ua siguronte kafshatën e gojës janë detyruar të jepnin edhe para. Lufta për ekzistencë do ta detyronte secilin në këtë vend të varfër, e me papunësi enorme që të gjente para edhe nga ndonjë i afërm në diasporë apo edhe të hyjë në kredi për të dhënë ryshfet në këmbim të një vendi pune.
Dhënia e ryshfetit jo vetëm për t’u punësuar, por thuajse për secilën punë që të duhet domosdo, tashmë është shndërruar në praktikë, në diçka të zakonshme në Kosovë.

Prandaj rastet si ky, kur njerëzit detyrohen të japin ryshfet për t’u punësuar janë shumë, shumë të mëdha. Jam më se i bindur se shumë prej atyre që bien edhe viktima të mashtruesve për të siguruar një vend pune, janë njerëz të zotë dhe kanë besim në vetvete, por është problemi tek humbja e besimit te sistemi politik dhe tek institucionet.

UBT

Në secilin institucion publik në Kosovë, punësimi duke filluar nga pastruesit e shkollave nëpër ato fshatrat e thella malore e deri te zyra e Kryeministrit shkon përmes tri formave: vijës partiake, asaj familjare dhe përmes dhënies së ryshfetit, gjegjësisht korruptimit të zyrtarëve. Profesionalizmi dhe përgatitja adekuate, që do të ishte vlerë në secilin vend demokratik këtu në Kosovë as që vjen në shprehje.

Në vendin tonë, ka me mijëra raste ku njerëz jo vetëm me fakultet, por edhe me master e me njohje të gjuhëve të huaja, kanë aplikuar me dhjetëra e qindra herë nëpër institucione dhe nuk kanë arritur të gjejnë një vend pune. Çka është më e keqja, shumë prej tyre nuk janë ftuar as nëpër intervista. Vendet e tyre i kanë zënë militantët partiakë, familjarët e politikanëve, servilët dhe shumë prej atyre që kanë dhënë ryshfet…

Nuk do mend se tërë këtë degradim të vlerave dhe këtë humbje ekstreme të besimit ndaj sistemit e ka sjell kjo qeverisje e Kosovës që nga paslufta e këndej. Të gjitha qeveritë e pasluftës, e sidomos kjo e fundit në krye me Hashim Thaçin e ka çuar vendin drejt një degradimi të pakthyeshëm. Thaçi me kompaninë e tij, janë të informuar për secilin punësim, për secilin tender, me një fjalë, për çdo gjë që merr frymë në këtë vend. Këtë më së miri e ka dëshmuar edhe publikimi i përgjimit të telefonatave të zyrtarëve të lartë të PDK-së me vetë kryeministrin Thaçi, ku ai është informuar për çdo lëvizje. Me një fjalë, pa “tikun” e Thaçit dhe të kompanisë së tij, askush, jo që nuk mund të punësohet por as të bëjë një hap përpara.

Këta qytetarët që kanë provuar të punësohen, madje në Shërbimin Inteligjent të vendit, institucionin aq të rëndësishëm për sigurinë, duke dhënë ryshfet, janë vërtetë të guximshëm. Apo janë realistë në shtetin ku është sekret publik se dikush po shet vende pune. Dikush nga të afërmit e kësaj qeverisjeje që për fatin tonë të keq është zhytur në korrupsion e krim deri në fyt.