Fidanishtja

Dikush do ta gjejë kamerën që e lash në Hënë

/ 4 minuta lexim

Bota me siguri do ta kujtojë edhe për një kohë të gjatë Neil Armstrongun si njeriun e parë që ecte në sipërfaqen e Hënës. Por, është gjithashtu i njohur fakti se astronauti amerikan rrallë ka folur për “hapin e madh për njerëzimin”.

Mu për këtë, ndërmarrja e Alex Malleyt, drejtor ekzekutiv tek Certified Practicing Accountants of Australia, i cili kohëve të fundit ka arritur ta ketë një intervistë njëorëshe me Armstrongun, është befasi e mirë për të gjithë adhuruesit e hulumtimeve hapësinore.

Në intervistë Armstrong zbulon se misioni “Apollo 11” kishte vetëm 50 për qind të shanseve për t’ia dalë, ndërsa shpreh keqardhje pse administrata e tashme amerikane ka zvogëluar dukshëm mjetet për NASA-n.

Armstrong tha se si një student i shkollës fillore ishte i fascinuar me fluturimet, për çka ka vendosur që të futet në këtë botë. I ka kaluar disa shkolla për pilotë, ndërsa më vonë shërbeu në Luftën e Koresë. Tetë vjet pas përfundimit të luftës, në vitin 1961, SHBA-të ia dalin ta dërgojnë Alan Shepardin në lartësinë prej 187 kilometra, në fluturimin që zgjati vetëm 20 minuta.

Atë vit, presidenti amerikan J. F. Kennedy, njëherë para Kongresit ndërsa një vit më vonë në Universitetin Rice, ka paralajmëruar. “Ne vendosëm të shkojmë në Hënë jo sepse kjo është punë e lehtë, por sepse është e vështirë. Ky synim do të na mundësojë që në mënyrën më të mirë ta organizojmë energjitë dhe aftësitë tonë. Është sfidë të cilën jemi të gatshëm ta pranojmë; të cilën nuk jemi të vullnetshëm ta shtyjmë; e të cilën synojmë ta fitojmë”.

Hendeku mes fluturimit prej 20 minutave, dhe shkuarjes në Hënë, ishte teknikisht i pakonceptueshëm. Por, në 10 vitet e ardhshme të misioneve “Apollo” të NASA-s, testohen pjesë të ndryshime të teknologjisë së udhëtimit, të navigacionit dhe komunikimit të nevojshëm për një udhëtim të madh.

“Një muaj para lansimit të ‘Apollo 11’, vendosëm se ishte koha që të përpiqemi që të fluturojmë në sipërfaqe. Mendova se gjasat që nga ai udhëtim të kthehemi në Tokë ishin 90 për qind, por shanset që t’ia dalim të fluturojmë nga tentimi i parë ishin 50 për qind. Kishte kaq shumë të panjohura në lidhje zbritjen nga orbita hënore në sipërfaqe, që nuk janë treguar në teste, prandaj kishim mundësi që të futemi në diçka që nuk e kemi kuptuar mirë, e për shkak të së cilës do të detyroheshim të ktheheshim në Tokë pa ateruar në Hënë”, tha Armstrong.

Kur kanë dalë Armstrongu dhe Buzz Aldrin nga moduli “Eagle”, drejtë sipërfaqes së Hënës, paraprakisht kompjuteri për ulje ka zgjedhur shpatet e një krateri të madh, përplot me shkëmbinj.

Fidanishtja

“Ky assesi nuk është vend i mirë”, tha atëherë Armstrong dhe më pas vendosi që në mënyrë manuale ta kthej fluturaken drejtë Perëndimit, në një terren më të rrafshët ku nuk kishte shumë gurë.

“Kemi karburante për vetëm 20 sekonda të fluturimit”, rikujton Armstrong.

Kur aterrojnë përfundimisht dhe ai e thotë fjalën e tij të famshme për “hapin e madh e të vogël”, në Hënë i presin punë të mëdha sa që nuk kishin kohë të mendojnë as se ku gjenden.

Armstrong në intervistë i është referuar edhe teorive të konspiracionit, sipas të cilave njeriu nuk ka qenë kurrë në Hënë.

“Njerëzit i duan teoritë e komplotit. Ato janë shumë tërheqëse. Megjithatë, unë kurrë nuk jam shqetësuar për to, sepse e dija se një ditë dikush tjetër do të shkojë atje e do ta gjejë kamerën që e kam lënë”, ka thënë astronauti i famshëm.

Malley, gjatë bisedës paraqeti edhe incizimin e prezantimit të tij nga viti 2011, në të cilën demanton disa nga tezat e teoricienëve konspirativë.

Armstrong u kërkoi autoriteteve amerikane që të vazhdojnë të investojnë në NASA dhe në eksplorimin e hapësirës.

“NASA ka qenë një nga investimet më të suksesshme publike, që ka frymëzuar studentët që të jenë më të mirë dhe të arrijnë atë që është e arritshme”, tha 81 vjeçari, duke shprehur shqetësimin se ulja e fondeve për agjencinë do ta dobësojë entuziazmin hulumtues të rinisë amerikane. /Telegrafi/