Fundamenti

Dikur kënga ka qenë mision

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Që një kohë të gjatë është pjesë e skenës muzikore shqipe dhe për gjithë këto vite ajo ka arritur që ta ruajë imazhin si artiste. Është kjo këngëtarja Gili e cila në një intervistë për gazetën Tribuna ka folur për projektet muzikore, momentet më të mira e ato më pak të mira në karrierë e shumëçka tjetër.

Vjetët në skenë e sukseset e njëpasnjëshme kanë bërë që emri i saj të skalitet tek emrat më të denjë të skenës sonë. Bëhet fjalë për këngëtaren e njohur Gili e cila jo shumë kohë më parë erdhi tek publiku me këngën e saj të re ‘Për Bajram’, këngë kjo e cila u mirëprit në publik. Por kjo nuk është e vetmja risi nga Gili, pasi që vetë këngëtarja në një bisedë për gazetën Tribuna ka treguar se së shpejti do të vijë me risi, derisa thekson se këtë vit do të jetë më aktive. Gili ndër të tjera ka shpalosur edhe shumëçka rreth angazhimeve, planeve e jetës së saj private

Tribuna: Gili, na tregoni fillimisht cilat janë planet tuaja?
Gili: Jam duke punuar një këngë të re të cilën do ta realizoj edhe me videoklip. Viteve të fundit kam pasur një tempo më të ngadalshëm të prezantimeve për shkak të lodhjes së gjatë nëpër vite. Tani mendoj të jem më shpesh e pranishme për ata që i duan këngët e mia.

Tribuna: Si janë marrëdhëniet me këngëtarët e tjerë? A mendoni të keni ndonjë bashkëpunim me ndonjërin prej tyre?
Gili: Shumë të mira. Kam shumë bashkëpunime të suksesshme me shumë kolegë të mi. Gjithmonë i mirëpres bashkëpunimet kur më ofrohet një këngë e mirë.

Tribuna: Shumë nga kolegët tuaj kanë theksuar se do të vijnë me album, a do të ju shohim edhe ju në treg me album?
Gili: Për momentin jo. Unë kam lansuar albumin në nëntor të vitit të kaluar. Ishte ky albumi ‘Torta e Martesës’ që ishte i konceptuar ekskluzivisht për ambiente dasmash. Këngë të tilla nuk kam pasur më herët në karrierën time dhe thjesht e përmbusha një boshllëk në repertorin tim. Kënga e re solistike do të jetë ritmike dhe në stilin e këngëve të mia të mëhershme.

Tribuna: A keni pasur kohë për pushime? Nëse po, ku i keni kaluar ato?
Gili: Është viti i parë që nuk isha në pushime dhe mendoj që ta shfrytëzoj shtatorin.

Tribuna: Si po ecin punët në sallonin e ondulimit ‘Prishtina’? A ka ndonjë figurë publike që rregullohet në këtë sallon?
Gili: Shumë kolege të mia me vizitojnë kohë pas kohe dhe janë gjithmonë të mirëseardhura. Por nuk kam dëshirë që sallonin ta identifikoj vetëm për VIP-at, ngase ofron shërbime për të gjithë. Unë personalisht rregullohem aty për çdo prezantim timin skenik.

RCCOLA

Tribuna: Jeni shumë vjet në skenë. Më tregoni cili është dallimi i estradës sot dhe dikur?
Gili: Dikur kënga ka qenë mision. Teksti i këngës ka përcjellë një mesazh. Ka pasur pak mediume dhe këngët janë dëgjuar më gjatë. Sot kemi hiperproduksion si në numrin e këngëtarëve ashtu edhe në numër të televizioneve e radiove. Këngët janë më afatshkurtra dhe më shumë shërbejnë si ritëm për vallëzim sesa dëgjohen. Në të dyja rastet mbijetojnë vetëm këngët dhe këngëtaret me vlerë.

Nuk kam dashur asnjëherë të jem në qendër të vëmendjes

Tribuna: Cili është momenti më i mirë në karrierën tuaj?
Gili: Kam shumë momente suksesi në karrierë. Shumë shpërblime në festivale, shumë koncerte e videoklipe. Kam një karrierë në vazhdimësi. Shumë gjenerata kanë bashkëjetuar me këngët e mija.

Tribuna: A keni pasur ndonjë moment jo të këndshëm në skenë. Nëse po, a mund ta ndani me publikun?
Gili: Kam pasur momente të vështira por kurrë të pakëndshme sepse kam evituar mundësitë e mohimit të këngës sime dhe vetes sime si artiste. Nuk jam imponuar dhe kam kënduar vetëm aty ku më kanë kërkuar ata që i duan këngët e mia.

Tribuna: Sa është e vështirë të jesh gjithmonë në qendër të vëmendjes?
Gili: Që nga fillimi kur kam qenë këngëtarja më e suksesshme, unë kam arritur ta imponoj respektin e mediumeve për privatësinë time. Gjithmonë jam paraqitur vetëm për prezantimin e këngëve të mia. Kështu i kam ikur presionit që mediumet mund ta bëjnë sidomos të një këngëtareje e moshës se re. Nuk kam dashur kurrë as nuk dua të jem në qendër të vëmendjes, prandaj edhe nuk jam ballafaquar me të tilla vështirësi.

Tribuna: A keni pasur momente kur keni dashur të hiqni dorë nga muzika?
Gili: Jo nga muzika por nga disa aktivitete muzikore që nuk më kanë bërë të ndihem si artiste. Sidomos këto vitet e fundit ka ardhur deri të një zhvlerësim total i vlerave. Organizatorët dhe producentët kanë provuar të krijojnë një pasqyrë të rrejshme të vlerave. Kanë larguar këngëtarë më të mirë për t’i reklamuar të “afërmit” e tyre. Prandaj sot në çdo hap dëgjon se nuk shiten CD-të, nuk po vijnë njerëzit nëpër mbrëmje etj. Problemi ka qenë tek oferta. Këtë vit puna ka filluar të shkojë më mirë dhe këngëtarët e mirëfilltë kanë gjetur mënyra e vende të tjera ku po prezantohen me sukses.

Tribuna: Çka mund të thuash diçka për familjen? Me çka po merren fëmijët?
Gili: Roberti sapo ka diplomuar në AUK, kurse Redoni ka regjistruar klasën e dhjetë. Nuk kanë interes për muzikën dhe jetojnë sikur moshataret e tyre. Mundohemi të rrimë bashkë sa më shumë. Mundohemi t’i pajisim me virtyte për moralin dhe vlerat në jetë si çdo prind i mirë. Familja është burimi i energjisë sime.