RCCOLA

Dietë “e çmendur”: Kafe, pa kafjall dhe dush të ftohtë

/ 5 minuta lexim

Larja në dush të ftohtë e nxit trupin të shpenzojë yndyra për t’u nxehur, kafeja përshpejton shpenzimin e yndyrave, ndërsa me tri shujta në ditë do të hani më pak sesa me më shumë shujta më të vogla.

Dieta më e re ka larguar dietën e Dukanit nga vendi i parë i librave më të shitur iTunes në botë. Dietën e pazakonshme e cila përfshin kapërcimin e mëngjesit, dushin e ftohtë dhe shijimin e kafesë, e ka menduar trajneri personal, britaniku, Venice A. Fulton. Libri “Six Weeks To OMG – Get Skinnier Than All Your Friends” është kombinim i hulumtimeve shkencore dhe përvojës së ushtrimeve, ndërsa Fulton pohon që nëse i ndiqni udhëzimet mund të humbni nga katër e gjysmë deri te nëntë kilogram në gjashtë javë, shkruan Daily Mail.

Harroni kafjallin

Kur shkoni në shtrat në organizëm mbetet edhe pak energji, respektivisht ushqim në stomak, qarkullim të gjakut dhe mëlçi. Por pasi që truri punon edhe derisa flini, ai shpenzon energjinë për ç’arsye sapo të zgjoheni menjëherë keni nevojë për ushqim të ri. Por mos hani kafjall menjëherë, por lejoni trupin të shpenzojë rezervat e dhjamit, të cilat i ka grumbulluar, këshillon Fulton.

Dushi i ftohtë për fillim të ditës

Çdo mëngjes para se të shkoni në punë bëni një dush të ftohtë prej 15-20 gradë celsius jo më gjatë se 15 minuta. Së pari qëndroni në këmbë në vaskë rreth dy minuta dhe pastaj uluni që trupi të ketë kohë për t’u përshtatur. Trupi për t’u ngrohur do të fillojë të shpenzojë yndyrat e grumbulluara. Përveç kësaj, dushi i ftohtë shpejton metabolizmin për 12 deri 15 orë, thekson Fulton.

Nëse keni problem me zemrën, tensionin dhe diabetin, shmangni dushin e ftohë, sepse ndryshimi i temperaturës trupore ndikon në tensionin e gjakut, shton ai.

Koha është për kafe

Pas dushit është koha për kafe, e cila njihet si pije natyrale që ndihmon dobësimin. Çelësi është në kafeinë. Por nëse e pini kafenë në stomak të zbrazët, trupi merr mesazhin që duhet t’i shpenzojë yndyrat edhe më shpejt, pohon autori.

Kafeina hap qelizat e yndyrshme dhe i shtyn në qarkullim të gjakut, nga ku udhëtojnë deri te muskujt, të cilët i shpenzojnë. Në këtë mënyrë në fakt edhe dobësoheni. Gjithmonë pini kafenë pa sheqer, ëmbëltues artificial dhe qumësht, sepse në të kundërtën do të nxisni prodhimin e insulinës, dhe me këtë do të parandaloni shpenzimin e yndyrave, pohon Fulton.

Eco Higjiena

Më pëlqen të lëviz, lëviz..

Lëvizja e rregullt është rruga deri te trupi vital. Zgjidhni ushtrimet që përdorin gati të gjithë muskujt, si ecja ose kopshtaria. Ushtroni çdo ditë nga gjysmë ore në vend të hapur dhe përdorni dritën e mëngjesit, e cila do të nxisë prodhimin e vitaminës D dhe hormonit për disponim të mirë, thotë Fulton.

Hani në stilin “e vjetër”

Një numër i madh i dietave parasheh pak ushqim, por sipas përvojës sime ndodh që njerëzit të hanë gjatë tërë ditës dhe në fund hanë më shumë se zakonisht, pohon Fulton.

Edhe pse ndoshta tingëllon gjë e vjetër, më së miri janë tri shujta në ditë. Dhjami mund të shkrihet vetëm nëse ka kohë në mes shujtave, por me shujtat e vogla nuk ka. Përveç kësaj, me mënyrën e tillë të të ngrënit do të mësoni se si të kontrolloni apetitin. Derisa hamë, trupi relakson leptinën, kompozimin kimik, i cili i thotë trurit që është koha të ndaleni së ngrëni. Për t’u krijuar lidhja duhen rreth 20 minuta. Ndërsa të ngrënit e vazhdueshëm do të thotë që në numër të madh të rasteve hamë më shumë se sa duhet, sepse leptina nuk arrin t’ia dërgojë trurit mesazhin. Hulumtimet kanë treguar që qëndrimi ulur dhe ngrënia shpejtojnë dërgimin e mesazhit dhe reduktojnë apetitin për një kohë më të gjatë.

Shujta e parë duhet të jetë rreth orës 12, e dyta rreth orës 4 pasdite, ndërsa darka rreth orës 8 në mbrëmje. Por, shujta e fundit e ditës duhet të jetë të paktën dy orë para gjumit, këshillon Fulton.

Numëroni kaloritë

Secila shujtë duhet të përbehet nga të paktën 50 për qind proteina, për ç’arsye do të jeni të ngopur për një kohë më të gjatë. Mishi i pulës, gjeldetit, qengjit, peshkut, vezët, jogurti, frutat arrore dhe sallatat janë të pasura me proteina, por nëse dëshironi të jeni të hollë kini kujdes në konsumimin e kalorive.

Në ditë mund të hani rreth 120 gramë karbohidrate, ndërsa perimet mund t’i hani sa të doni. Por, me pemët duheni të jeni të kujdesshëm. Mos hani më shumë se tri pemë në ditë, sepse fruktoza ndikon tek leptina, përgjegjëse për kontrollin e apetitit. Pemët më të mira janë ato me përqindjen e ulët të fruktozës, siç janë avokado, boronicat, grejpi, ananasi, kumbullat dhe dredhëzat.

Përveç këtyre, të paktën dy herë në jave hani peshk si sardele, salmon dhe skumbri, sepse në këtë mënyrë do të përmbushni dëshirën për karbohidrate dhe nuk do të trasheni, shpjegon Fulton. (koha)