Fundamenti

Dieta më e mirë…

/ 4 minuta lexim

Është e rëndësishme që kjo dietë të jetë e përshtatshme për një individ dhe të bazohet në ushqimet që sigurohen realisht.

Në përgatitjen e gatimeve të ndryshme ka rëndësi ndikimi i kulturës, i traditës familjare, stili i jetesës dhe mundësitë ekonomike. Në më të mirën, një dietë e planifikuar mirë është një nga burimet kryesore të një jete personale të shëndetshme. Ajo “ndërtohet” duke mbajtur parasysh çdo element ushqyes që ka vlerë për organizmin si p.sh. hekuri, kalciumi, etj.

Për të qenë i suksesshëm në planifikimin e një diete ideale duhet të kihen parasysh këto karakteristika:

Mjaftueshmëria: Kjo dietë duhet të sigurojë në mënyrë të mjaftueshme të gjithë përbërësit ushqyes të tillë si ata energjikë dhe fibrat/celulozat.

Balanca dhe ekuilibri: Dietat nuk duhet të mbizotërohen nga një tip, ose lloj nutrienti në dëm të nutrientëve të tjerë.

Kontrolli i kalorive: Dieta duhet që të sigurojë një sasi të mjaftueshme kalorish për të ruajtur peshën optimale, pra as më shumë dhe as më pak se nevojat e organizmit.
Moderimi: Dieta nuk duhet të sigurojë një tepricë të yndyrave, të kripërave dhe sheqernave ose të përbërësve të panevojshëm.

Shumëllojshmëria: Përdorimi i llojeve të ndryshme të ushqimeve për të siguruar përbërësit ushqimorë të nevojshëm.

Hekuri

Është një përbërës esencial, i cili humbet në sasi të vogla çdo ditë dhe që duhet të zëvendësohet nga ushqimet që e përmbajnë atë. Mos zëvendësimi i tij në organizëm nxit aneminë, që shoqërohet me dobësim të përgjithshëm. Korrigjimi i anemisë me anën e dietave të pasura me hekur rezulton një mënyrë e dobishme për individin. Dhe këtu kihen parasysh dietat me mish dhe produktet e tij, me peshk dhe produktet e tij, me bishtajore, etj.

Mobi Casa

Kalciumi

Ai është mjaft i rëndësishëm për formimin e kockave. Mungesa e tij rrezikon moszhvillimin, dobësimin dhe krisjen e tyre, sidomos në moshat e thyera. Si burim kryesor i kalciumit shërben qumështi dhe nënproduktet e tij. Zakonisht, ushqimet e pasura në kalcium janë të varfra në hekur dhe e kundërta. Për këtë këshillohet përdorimi i të paktën dy gotave qumësht në ditë për të siguruar nevojat ditore të kalciumit për të rriturit, por duhet pasur parasysh që kjo të mos spostojë ushqimet e pasura me përmbajtje hekuri.

Dendësia ushqyese

Dendësia ushqyese quhet sasia e lëndëve ushqyese për kalori që mund të sigurojë një ushqim i caktuar. Ushqimet, që janë të pasura në lëndë ushqyese, por me pak kalori, quhen ushqime me dendësi të lartë ushqyese. Ky koncept është i rëndësishëm për individët, që dëshirojnë të zgjedhin ushqime me kalori të kufizuara.

Moderimi

Në përpilimin e dietave ekzistojnë shumë lloje kriteresh apo rekomandimesh, por në një pjesë të mirë të tyren këshillohen të shmangen yndyrat dhe natriumi (kripa e gjellës), duke patur parasysh se ushqimet që i kanë në sasi të ulët ose të lartë këta elemente.

Shumëllojshmëria

Në lidhje me variacionin, është pranuar që dietat nuk duhet të jenë monotone për dy arsye: Një dietë monotone mund të çojë në akumulimin e disa elementeve, ose mungesën e disa të tjerave. Gjithashtu, një dietë monotone mund të shkaktojë akumulimin e elementeve të dëmshme, ose toksike, siç mund të jenë toksinat e bimëve ose ndotjet kimike. Një dietë e shumëllojshme redukton në minimum peshën e këtyre substancave në peshën e përgjithshme të ushqimeve. /Telegrafi/