Diaspora shqiptare, në fokus të Institutit Albanologjik të Kosovës

Tre studiues të rinj shkencorë të Institutit Albanologjik të Kosovës po qëndrojnë këto ditë për një vizitë pune në Zvicër.
Tre studiues të rinj shkencorë të Institutit Albanologjik të Kosovës po qëndrojnë këto ditë për një vizitë pune në Zvicër në kuadër të projektit për diasporën shqiptare, me theks të veçantë „Mbijetesa gjuhësore, kulturore dhe historiku i saj në diasporë“.
Qëllimi i kësaj vizite është mbledhja dhe trajtimi i temave, si mbijetesa e gjuhës, e kulturës, e historisë dhe e pasurive të tjera kombëtare të diasporës shqiptare.
Ky projekt i Institutit Albanologjik të Kosovës ndahet në tri pjesë. Faza e parë e punës në këto dy javë qëndrimi në Zvicër për hulumtuesit ka karakter, siç u tha, mbledhjen e informatave. Faza e dytë është dalja e ekspertëve në terren në biseda më të thella informative, konsultim i dokumentacionit, takime me zyrtarë kantonalë, shtetërorë e të tjerë. Dhe faza e fundit është menduar të jetë faza e pranimit të të dhënave dhe përpunimin e dokumentacionit të mbledhur, i cili në fund do të parashtrohet në formë të literaturës, referencës shkencore, do të futet në dokumente zyrtare dhe do të shtypet si monografi.
„Monografia është planifikuar të botohet në pesë gjuhë të njohura ndërkombëtare dhe të gjitha kopjet e monografive do t’i shpërndajmë nëpër përfaqësi diplomatike të Kosovës. Gjithandej vendeve që kanë njohur Kosovën dhe një pjesë të atij fondi do t’i dërgojmë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në Institutin Albanologjik, në Akademinë e Shkencave, në Universitetin e Prishtinës. Në mënyrë që masa sa më të mëdha të popullatës të kenë qasje dhe mundësi të informohen“, u shprehën mes tjerash studuesit e ardhur nga Kosova.
Politologu dhe gjuhëtari i Institutit Albanologjik të Kosovës, Sejdi Gashi, si ideator i këtij projekti që do të zgjasë tre vjet, synon të nxjerrë një monografi rreth organizimit të jetës së diasporës shqiptare që do të vihej në shërbim të Ministrisë së Diasporës si dhe institucioneve të tjera relevante të Kosovës. Si dhe në shërbim të vendeve ku mërgata shqiptare përbën numër më të madh.
Ky projekt është në fazën fillestare të mbledhjës së informacioneve. „Ky është viti i parë e nismës së këtij projekti“, na njofton Sejdi Gashi, i cili na thotë se në këtë projekt ka angazhuar një grup ekspertësh, të gjithë punëtorë shkencorë të Institutit Albanologjik, të cilët kanë filluar me vizita pune njëkohësisht në disa vende të Bashkimit Evropianë dhe në Zvicër, të ndarë në grupe për të parë më për së afërmi organizimin kuluturor e social të diasporës shqiptare. Përveç tre studiuesve shkencorë që po qëndrojnë momentalisht në Zvicër, një grup tjetër ka vajtur në Gjermani dhe një tjetër po në të njëjtën kohë gjendet në Suedi dhe Danimarkë në mbledhje të informatave.
Për dy javë më se 500 persona të intervistuar
Po në këtë vazhdë, Sejdi Gashi, bashkë me Lumturije Nuredinin, e diplomuar në studime master të gjuhës shqipe në Prishtinë dhe me historianin Shpend Avdiu, në kuadër të këtij projekti kanë realizuar tanimë disa takime me mërgimtarë shqiptarë në Zvicër, duke filluar nga Gjeneva, në Lion të Francës, në Cyrih, St. Gallen dhe në Kreuzlingen/Kostanz, dy qytete këto të ngjitura – njëri zviceran dhe tjetri gjerman. Nga ku u njohën më për së afërmi me aktivitetet e mërgatës dhe të „Qendrës Shqiptare për Kulturë dhe Integrim“, në krye me Tomë Berishën, prindërit e fëmijëve që vijonin mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe Rrustem Selcën me vajzat valltare të kësaj qendre, të cilët kishin përgatitur një pritje tejet miqësore për mysafirët nga Kosova.
Numri i mërgimtarëve që ata kanë kontaktuar deri tash ka kaluar shifrën prej 500 vetash.
Ky grup i ri studiuesish përshtypjet e krijuara deri më tani i ndanin në pozitive dhe negative. „Si përshtypje pozitive do të veçoja organizimin e jashtëzakonshëm të grupeve të shqiptarëve në Zvicër. Na patëm një rast që na impresionoi tepër në qytetitin e Gjenevës, ku një organizatë shqiptare atje “Ansambli i Gëzuar” me karakter kulturor e folkloristik kishin organizuar gatime tradicionale shqiptare me mysafirë të ftuar shqiptarë dhe autoritete lokale zvicerane aty, ku të ardhurat e shitjes së ushqimeve e pijeve derdheshin në fondin për ndërtimin e një shkolle në komunën e Vitisë. Ky ishte një gjest shumë humanitar, me një program të pasur kulturo-artistik“.
Ndërkohë që në qytetin e Francës, në Lion, jeta dukej e zbehtë si në organizimin e shoqatave, ashtu dhe në organizimin e shkollës shqipe që nuk funksiononte. Dhe kjo është përshtypja ime negative për një qytet aq të madh siç është Lioni, tha Gashi.
Në Lion të Francës pamë një pjesë të mërgimtarëve tanë që nuk qëndrojnë mirë materialisht, as me vende pune, as me organizim. Vërtet jemi zhgënjyer, sepse kemi pritur rezultate më pozitive. Një element tjetër që më dëshpëroi mua si udhëheqës i këtij grupi ishte mungesa e unitetit të mërgatës shqiptare. „Pata rastin të shoh se si brenda një familje shqiptare në Lion të Francës kishin formuar dy shoqata me kahe të kundërta dhe nuk donin të komunikon të paktën as në telefon mes vete. Një përshtypje kjo jo e mirë për ne si vizitorë.
Por si ka lindur ideja, çfarë i ka shtyrë këta studiues të rinj t’i futen këtij hulumtimi
Duke qenë se çështja e diasporës shqiptare ka qenë preukopim i vazhdueshëm i institucionit ku ne punojmë, por edhe joni personalisht dhe i shoqërisë në përgjithësi, gjatë bisedave e sipër me kolegë tanë për çështje të diasporës, kemi ardhur me këtë ide që të organizojmë një vizitë njohëse dhe pastaj të zgjerohet si projekt hulumtues, shkencor dhe nga ky projekt të nxjerrim informata relevante për gjendjen e mërgatës shqiptare të Kosovës në shtetet evropiane.
„Ne kemi bërë një projekt të detajuar, të cilin ia kemi prezantuar Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës, me ç’rast kemi gjetur një mbështetje të gjerë morale, financiare dhe logjistike në përgjithësi dhe falë Ministrisë së Diasporës dhe kuadrit të Institutit Albanologjik të Prishtinës kjo ide jona është shndërruar në praktikë“
Ne jemi të gjithë kolegë të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në mesin e tyre ka gjuhëtarë, ka historianë, ka nga fusha e etnologjisë. Të gjithë janë kuadro të përgatitura me grada shkencore, ku në mesin e tyre kemi edhe profesorë doktorë të shkencës me përvojë tridhjetëvjeçare të punës në fushën e shkencës. Me një fjalë, jemi kuadër i përgatitur në fushën teorike dhe praktike”.(albinfo)