Diaspora shqiptare mirëpret shkrimtarët shqiptarë

Nga Arsim Halili- Në kuadër të Manifestimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar dhe përurimit të librit homazh kushtuar poetit Ali Podrimja” Dhimbë e bukur” autor Reshat Sahitaj dhe Prof Dr.Begzad Baliu, ditë më parë, respektivisht nga 1 nëntori deri më 14 nëntor 2012. Shkrimtar nga gjithë hapësira shqiptare, vizituan disa shtete të Evropës si Belgjikë, Francë, Gjermani, Zvicër, Itali.
Ideja për të shënuar këtë përvjetor, respektivisht këtë jubile të shekullit shqiptar, kishte rrjedh nga qershori i këtij viti nga Ali Podrimja dhe Reshat Sahitaj, por fati e deshi që poeti ynë të ik nga kjo botë, megjithatë shkrimtari Reshat Sahitaj e jetëson këtë ide madhore.
Se karakteri i këtij udhëtimi maratonik ishte unifikues dhe gjithëpërfshirës, kjo u pa edhe në këtë turne. Unioni i shkrimtarëve dhe kritikëve shqiptarë drejt këtyre shteteve udhëtoi si një trup shqiptare, pavarësisht pasaportave të ndryshme. Në përbërje të këtij turneu ishin: Bahri Myftari- Shqipëri, Reshat Sahitaj dhe Gani Xhafolli – Kosovë, Kalosh Çeliku – Maqedoni, Haxhi Shabani – Mal i zi, Arsim Halili- Preshevë. Itinerari ishte mjaft i ngjeshur dhe shumë produktiv.
Në Bruksel me 2 nëntor 2012, mbahet orë letrare dhe përurohet libri “ Dhimbë e bukur” e autorëve Reshat Sahitaj dhe Begzad Baliu. Nga krijimtaria letrare lexojnë poetët pjesëmarrës.
Reshat Sahitaj e lexon fjalën e Ministrit të DiasporësIbrahim Makolli, vlen të theksohet se nikoqir i këtij tubimi letrar ishte Agron Shele, ndërsa moderimin e bënë Shqiponja Duro, pjesëmarrës ishte edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës Ilir Dugolli.
Në Paris me 3 nëntor 2012, në lokalet e redaksisë së revistës letrare “L’ Eksprit”, një ambient i bukur mes librash e revistash, në prani të filozofeve dhe poeteve francez ku marrin pjesë Olivier Mongin , drejtor i revistës, Antoin Garapon, Akademiku prof dr Daniel Leuëers dhe shkrimtarë të tjerë francez e shqiptar, nën përkujdesjen e Musa Jupolli dhe përfaqësuesve të ambasadës së Kosovës në Francë, dhe konsullit Kadri Dadakaj.
Këtu bëhet përurimi i librit “ Dhimbë e bukur” Reshat Sahitaj dhe Begzad Baliu dhe librit me përmbledhje poetike të poetit Gani Xhafolli “Jam Mbret i vogël”i përkthyer në gjuhën frenge, poezi lexojnë Bahri Myftari, Kalosh Çeliku, Haxhi Shabani, Arsim Halili dhe Gani Xhafolli, behët edhe një debat letrar rreth krijimtarisë dhe letërsisë shqipe mes poeteve francez dhe shkrimtarëve shqiptar.
Në Berlin më 6 nëntor 2012, vazhdon aktiviteti letrar. Unioni i shkrimtarëve dhe kritikëve shqiptar në ambient tipik shqiptar “ Oda shqiptare “ me moderimin e Qamil Zekollit, i cili ishte moderues nëpër të gjitha aktivitetet dhe njëherit bashkëshoqërues me makinën që ishte në dispozicion të shkrimtarëve mysafir.
Në këtë orë letrare morën pjesë Islam Spahiu, këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës dhe Burim Kadriu asistent po në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Gjermani. Ajo që vlen të theksohet edhe pritja dinjitoze e vëllezërve Xhafolli përkatësisht Fatos dhe Labinot Xhafollit në dy restorantet e tyre “ La Gondola due” dhe “ Nouva Maria” dhe Kosovë Mula i cili ishte vazhdimisht në bashkëshoqërimin tonë me përkrahjen e tij të pa rezervë.
Ndërsa me 7 nëntor, mbahet orë letrare me bashkatdhetar në Qendrën kulturore shqiptare ne Shtutgard të Gjermanisë. Natyrisht edhe këtu nuk mungoi atmosfera dhe mikpritja tipike shqiptare për poetët mysafirë nga gjithë hapësira shqiptare. Takimin letrar e nderoi sigurisht prania e ish- ambasadorit të Republikës së Kosovës Prof. Dr. Vilson Mirdita, ku i përshëndet të pranishmit, natyrisht fjalë miradije foli edhe Kryetari i Qendrës kulturore shqiptare në Shtutgard Vitor Spaçi, njëherit edhe nikoqir i kësaj mbrëmje letrare, nuk munguan as deklamimet e poetëve të mërguar vite më parë në këtë qytet.
Moderimin e orës letrare e bëri Gjyla Leci sekretare Q.K.SH dhe Qamil Zekolli.
Itinerari i aktiviteteve letrare u vazhdua drejt Zvicrës. Përkatësisht me 9 dhe 10 nëntor në Gjenevë dhe Cyrih. Në mbrëmjen letrare të mbajtur në Gjenevë bashkëshoqërues ishte vëllai i Jusuf Gërvallës, Veli Gërvalla, ndërsa nikoqir ishte Universiteti Popullor i Gjenevës, në krye me drejtoreshën e këtij Universiteti znj. Albana Krasniqi-Malaj, njëherit edhe bashkëshortja e ambasadorit në Zvicër Naim Malaj.
Moderimin e bëri Qamil Zekolli, u fol për librin kushtuar Ali Podrimjes “ Dhimbë e Bukur” . Për të vazhduar të nesërmen ne qytetin tjetër në Cyrih. Përveç shkrimtarëve mysafir, vargje lexuan edhe shkrimtarët që jetojnë dhe krijojnë në Zvicër, Shaip Beqiri dhe Bujar Salihu.
Mjaft nga punimet që u lexuan në këtë mbrëmje ndërlidheshin me jubileun gjithëkombëtare, 100-vjetorin e Pavarësisë.
Në këtë mbrëmje letrare u bë edhe në Cyrih promovimi i librit “Dhimbë e bukur ”-homazh Ali Podrimjes, të autorëve, Reshat Sahitaj dhe Begzat Baliu, botimi i të cilit u mirëprit nga të pranishmit. Ndër të tjera për poetin Ali Podrimja u tha se ai ishte ndër krijuesit më të shpeshtë e më të adhuruar në mërgatën shqiptare në Zvicër, duke qenë i pranishëm edhe në disa evenimente kulturore.
Krijuesve nga viset e ndryshme shqiptare i përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhje edhe Ajmane Veseli, zëvendëskonsull në Konsullatën e Kosovës në Cyrih. Ndërkohë u zhvillua edhe një bashkëbisedim konkret dhe kritik lidhur me problemet e ndryshme në sferën e kulturës në relacionin vendi i origjinës – mërgatë. U përmend se tash kur në mërgatë po krijohet një shtresë relativisht e mirë shkollarësh, sidomos nga radhët e brezit të dytë, institucionet e ndryshme nga trevat shqiptare duhet ta forcojnë bashkëpunimin me ta, në mënyrë që përmes tyre të krijohen ura bashkëpunimi në sferën e kulturës midis vendeve të origjinës dhe të vendit ku jetojnë e veprojnë mërgimtarët, aq më parë këtu në Zvicër, ku shqiptarët numerikisht përbëjnë komunitetin më të madh nga radhët e të huajve, ndërsa që shqipja është gjuha e katërtë për nga përdorimi.
Disa nga librat e tyre i dhuruan kësaj biblioteka multinacionale , ku ekziston edhe një numër i mirë i librave në gjuhën shqipe, për çka edhe udhëheqësja e bibliotekës iu falënderua përzemërsisht, me dëshirë që shkrimtarët dhe veprat e tyre të jenë edhe më të pranishme në këtë institucion.
Aktiviteti letrar përmbyllet në qytetin Italian në Reggio Emilia ku janë të përqendruar një numër i konsideruar i bashkatdhetarëve tanë. Fal punës së palodhshme të organizatorëve Zenel Bytyçi dhe z.Klodian Cami dhe shumë të tjerëve u bë e mundur që atë mbrëmje të datës 12 nëntor salla ku mbahet takimi të jetë e mbushur përlotë.
Këtë mbrëmje e nderoi edhe prania e mikut të shqiptarëve poetit Italian që fliste bukur shqipen Michele San Pietro. Përveç prezantimit me krijimtarinë e tyre letrare nga mysafirët, natyrisht nuk munguan as deklamimet nga krijues të mërgatës sonë në këtë qytet, po gjithsesi vargjet edhe nga fëmijët që jetonin në këtë qytet dhe zëri i tyre bëri që shumë nga të pranishmit të emocionohen. Ajo që vlen të theksohet se atmosferën gjithnjë e mbante pezull poeti i njohur z. Gani Xhafolli, ku thuaje se gjatë deklamimit të poezive të tij ndonjëherë bënte edhe të nxirrnin lot të pranishmit në shumë salla ku mbahej ora letrare, gjithsesi edhe në këtë qytet, veçmas kur deklamonte poezinë “ KUSH” .
Kthimi u bë me 14 nëntor 2012 me shpresë se u përmbush një mision fisnik letrar në mesin e bashkatdhetarëve duke unifikuar bashkimin shpirtëror shqiptar, pavarësisht ndarjes gjeografike. Ky rezultat natyrisht u realizua, fal punës organizative të shkëlqyer të Reshat Sahitaj dhe sponzorizimit Ministrisë së Diasporës gjë që pa këtë mbështetje nuk do të mund të bëhej i mundur ky turne kaq i gjatë me mbi 5600 km udhëtim, nëpër vendet e cekura më lart./rajonipress/