Hidromorava

Diaspora është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik në Kosovë

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Në prani të shumë biznesmenëve dhe qytetarëve tjerë shqiptarë në lokacionet e Ambasadës së Kosovës në Vjenë të Austrisë e organizuar nga “KOSME” u mbajt konferenca “Mbështetja Institucionale për Ndërmarrësit e Diasporës”

Për të diskutuar rreth njoftimit të Diasporës me programet mbështetëse dhe ndihmën konkrete që institucionet kosovare ofrojnë për afaristët e diasporës të cilët duan që të investojnë në Kosovë, morën pjesë ministra nga Qeveria e Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës, KOSME dhe nga Rrjeti i Bizneseve shqiptarë në Austri.

Në këtë konferencë, drejtuesja e MTI-së zonja Hykmete Bajrami duke folur për programin e Qeverisë, garantoi bizneset shqiptare se qeveria e re është duke punuar që të krijohen mekanizma dhe klimë të mirëfilltë për të gjithë investitorët. Ajo tha se para ligjit do të janë të gjithë të barabartë dhe siguroj biznesmenët se do të kanë garanci për bizneset e tyre.

Ndërsa Valon Murati, Ministër i Diasporës kërkoj nga bizneset shqiptarë që të investojnë në Kosovë. “ Ju jeni ata që mund të sjellni edhe investitorë të tjerë nga diaspora në Kosovë. Diaspora është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik në vendin tonë”, tha ai para të pranishmeve. Minstri Murati përmendi se në planin e qeverisë është edhe “Fondi për punësim dhe investim” nga ku do të këtë lehtësira edhe për bizneset e diasporës. ““Në Kosovë nuk duheni të investoni vetëm se është vendi i juaj, por për dobinë e të gjithëve”, ka thënë duke përmendur edhe komisionin ndërinstitucional për bizneset nga diaspora i cili është në programin e qeverisë ku do të jetë një adresë për të gjitha problemet e ndërmarrësve.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Safet Gerxhaliu theksoi se shqiptarët e diasporës meritojnë respektin më të madh.”Nëse dikush meriton të përkulemi, atëherë jeni ju, janë shqiptarët e diasporës”, tha ai. “Kosovës nuk i duhet vetëm paraja e juaj, Kosovës i duhet edhe edukata e juaj”.

Uji Dea

Edhe i sapo emëruari Ambasador i Kosovës në Austri, Sami Ukelli premtoj bashkëpunim me të gjithë bizneset dhe qytetarët e Kosovës në Austri: “ Jam i gatshëm për çfarëdo bashkëpunimi, dhe për çfarëdo nevoje që keni, dera është e hapur në Ambasadën e Kosovës”, u shpreh nikoqiri i kësaj konference.

Më tej Hamzë Morina nga KOSME (Kosovo SME Promotion Programme) prezantoj programin mbështetës për ndërmarrësit e diasporës, nga ku investitorët shqiptarë të diasporës mund të përfitojnë edhe shumë grande institucionale.

Ndërkaq Yll Blakaj, kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri pasi foli për bashkëpunimin e mirë që kanë bizneset shqiptare në këtë rrjet, kërkoi nga qeveritarët të krijohet një klimë më e mirë për bizneset në Kosovë dhe mos të këtë ngecje siç përmendi ai tri raste të biznesmenëve shqiptarë nga diaspora të cilët kanë investuar miliona euro në Kosovë dhe iu kanë ngecur bizneset e tyre. Më këtë rast ai kërkoi nga qeveritarët të dihen edhe arsyet e këtyre pengesave.

Në fund të takimit u paralajmërua se edhe një takim tjetër me bizneset shqiptare do të mbahet ditën e mërkurë po ashtu në Vjenë të Austrisë ku pos tjerëve, do të marr pjesë ministri i Financave, Abdullah Hoti.

Ndërkohë, kujtojmë se një konferencë me të njëjtën temë “Mbështetja Institucionale për Ndërmarrësit e Diasporës” do të mbahet me datën 17 mars në Winterthur të Zvicrës nga ku si bashkë organizator do të jetë edhe gazeta albinfo.ch.#