Dialogu me Serbinë të kushtëzohet me dhënien fund të provokimeve

Ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të shtetit serb në Veri të Kosovës, me projektin për ndërtimin e kolonisë me banorë serbë, të sjellë aty nga brendia e territorit të Serbisë, rasti me Komunën e Zveçanit, sipas analistëve politikë, është moment kyç që Republika e Kosovës ta rishikojë vazhdimin e mëtejshëm të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me këtë shtet.
Sipas tyre, duhet përqendruar në kushtëzimin e plotë të bisedimeve të reja me heqjen e Serbisë nga pretendimet kolonizuese, sidomos në Veriun e Kosovës. Gjithashtu, pala kosovare nuk do të duhej të bënte tutje asnjë hap të vetëm përpara në bisedime, pa shuarjen e plotë të strukturave paralele dhe vendosjen si kusht të zbatimit të plotë të marrëveshjeve të deritanishme,shkruan gazeta Kosova Sot.
Ndryshe, sipas analistëve politikë, nuk mund të bëhet pajtim historik, kur Serbia nuk heq dorë nga pretendimet për ta mbajtur akoma praninë e strukturave shtetërore serbe – Serbinë si shtet në territorin e Kosovës. “Mbase është momenti i fundit që Kosova përfundimisht të kushtëzojë Serbinë në bisedimet e Brukselit, me heqjen dorë nga pretendimet kolonizuese, shuarjen e strukturave paralele në Veri, heqjen e të ashtuquajturit “Park i Paqes” mbi lumin Ibër, kthimin e librave kadastralë dhe gjitha dokumenteve të grabitura gjatë luftës, kërkimin e dëmeve të luftës…e deri tek ajo çka është më e rëndësishmja – njohja e shtetit të Kosovës. Në të kundërtën, jo vetëm që nuk mund të bëhet fjalë për pajtim “historik”, ngase me trendin aktual të zhvillimeve politike, Serbia asnjëherë nuk do të heqë dorë nga pretendimet e saj për rikolonizimin e Veriut dhe ripushtimin e sërishëm të Kosovës në përgjithësi”, u shpreh analisti politik Florim Zeqa.
Indiferenca e qeveritarëve në Prishtinë
Sipas analistit Zeqa, pala serbe ka filluar ta keqpërdorë procesin e bisedimeve për të ndërhyrë në dëm të shtetit të Kosovës që nga fillimi, prandaj është momenti kritik që të ndalen këto veprime, duke vendosur kushte të prekshme nga pala kosovare, kushte që do t’i paraqiteshin në tavolinë edhe BE-së. “Për ata që i përcjellin zhvillimet politike në vend dhe rajon, e dinë mirë se nga momenti i fillimit të bisedimeve të Brukselit, ka filluar edhe invazioni politik i shtetit serb ndaj Kosovës, i intensifikuar pas marrëveshjes së 19 prillit 2013 dhe i fuqizuar akoma më shumë pas marrëveshjes së 25 gushtit 2015, marrëveshje këto që prodhuan Asociacionin e komunave serbe, përderisa “Zajednica” e prodhoi projektin kolonizues të ndërtimit të 300 shtëpive për kolonët serbë në të ashtuquajturën “Lugina e Diellit”.
Heshtja dhe indiferenca e qeveritarëve në Prishtinë ndaj veprimeve (investimeve) të shtetit serb në Kosovë, përveçse miratim i planeve të tyre, do të thotë miratim i spastrimit etnik dhe serbizimi i pjesës veriore, ndarje etnike dhe humbje e sovranitetit të shtetit në pjesën më të pasur me resurse natyrore (Ujmani) dhe pasurive të çmuara nëntokësore (‘Trepça’). Tani mbetet të shihet në ditët në vazhdim reagimi i pushtetarëve tanë, nëse janë të zotët t’u thonë JO pretendimeve kolonizuese serbe në Veri të vendit, sikurse që pritet të vërtetohet edhe serioziteti i opozitës dhe vendosmëria e popullatës karshi cenimit të rendit kushtetues dhe sovranitetit të vendit tonë”, u shpreh Zeqa për “Kosova Sot”.