Dialogu me Serbinë, Çitaku: Nga njohja në qendër, përfunduam në mosnjohje
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku duke i komentuar negociatat me Serbinë, tha se në tri vitet e qeverisjes Kurti, nga njohja në qendër, negociatat kanë degraduar me marrëveshje pa njohje në qendër, e madje me autonomi për serbët e veriut.
Ajo ka thënë se pas agresionit rus në Ukrainë, ka qenë një momentum, sepse faktori ndërkombëtar ka qenë unik për ta përmbyllur njëherë e përgjithmonë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje në qendër.
“Pas agresionit rus në Ukrainë i gjithë faktori ndërkombëtar ka pasur një unitet të fuqishëm për ta përmbyllur njëherë e përgjithmonë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të përqendruar tek njohja reciproke. Mirëpo, kryeministri Albin Kurti me qasjen e tij të papërgjegjshme ka arritur që t’i reduktojë ambiciet e aleatëve tanë. Në fund kemi përfunduar me një marrëveshje, e cila nuk është as finale, e as nuk e ka njohjen e ndërsjellë, në fakt e ka mosnjohjen e ndërsjellë”, ka thënë Çitaku në “Prime” të RTK-së.
[AI] Code for block 2 InArticle Mobile Tablet, Phone C=3 N=1[/AI] [AI] Code for block 1 InArticle Desktop Desktop C=3 N=1[/AI]
Tuje ajo tha se me Marrëveshjen e Ohrit nuk bëhet fjalë më për Asociacion, por për një nen 7, i cili flet për një autonomi politike dhe territoriale për serbët e veriut.
“Neni 7 i Marrëveshjes së Ohrit flet për një autonomi politike dhe territoriale”, tha Çitaku, sipas të cilës, pasi u zbulua Drafti i Asociacionit, referencat në të janë të frikshme, dhe “po shpresojmë që Gjykata Kushtetuese do ta marrë në trajtim këtë çështje”.
“E para është referenca në Rezolutën 1244, e dyta është Arbitrazhi, e treta Asociacioni ka kufi administrativ, ka një kryeqendër, ka trupa të cilat organizojnë një nivel paralel të pushtetit. Dhe kryeministri thotë prapë që e ka pranuar porse Serbi nuk po e nënshkruan. Ky është gabim kardinal. Asociacioni dhe draft Asociacioni janë dokumente të Kosovës dhe është gabim trashanik që të kërkohet nënshkrimi i presidentit të Serbisë në një dokument, i cili është dokument i brendshëm i Republikës së Kosovës, i cili rregullon një krijesë të re e cila është derivat i marrëveshjes së Ohrit”, tha Çitaku.