RCCOLA

Dialogu, larg finales

/ 2 minuta lexim

Ndonëse janë bërë shtatë vjet prejse ka nisur dialogu mes Kosovës e Serbisë, partitë politike në vend nuk po arrijnë të dakordohen rreth këtij procesi. I përçarë spektri politik po vazhdon të jetë prej vitit 2011, kur edhe kishte filluar ky proces në kuadër të nivelit teknik atë kohë. As faza finale në të cilën ndodhet ky proces aktualisht nuk po i bën bashkë pushtetin e opozitën, shkruan “Zëri”.

Njohësi i rrethanave politike Azem Vllasi ka vlerësuar se përmbyllja e negociatave me Serbinë nuk është aspak afër që të ndodhë.

“Dialogu as nuk është afër finales, as afër një marrëveshjeje përfundimtare. Në këtë fazë, që pretendohet se është faza finale e dialogut, në të vërtetë është krijuar një konfuzion dhe një mjegullim i krejt procesit të dialogut me idenë për korrigjim të kufijve e këmbim të territoreve. Kjo pasi lidhur me këtë çështje pala kosovare dhe pala serbe kanë qëndrime krejtësisht të kundërta”, ka deklaruar ai gjatë një bisede për “Zërin”.

Pavarësisht kësaj, Vllasi ka pohuar se dialogu duhet të vazhdojë, porse më e rrugës do të ishte analizimi i marrëveshjeve të deritanishme.

Mobi Casa

Ndërkohë ka vlerësuar se Serbia duhet ta njohë Kosovën kështu si është, si shtet të pavarur dhe me kufijtë aktualë. Edhe Kosova sipas tij, po ashtu duhet ta njohë Serbinë, në mënyrë që më pas të bisedohet për të gjitha temat që janë në interes reciprok për të dyja shtetet.

Teksa ka folur rreth mosarritjes së konsensusit përgjatë gati një dekade, Vllasi ka thënë se një gjë e tillë paraqet problem të konsiderueshëm për Kosovën, veçanërisht për etapën përmbyllëse.

“Mungesa e një konsensusi të brendshëm është një problem shtesë, i cili e largon perspektivën e dialogut final ose të një marrëveshjeje finale”, ka nënvizuar ai. /ZERI