UBT

Dialogu, i rrezikuar nga zgjedhjet

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Në zgjedhje të parakohshme nuk shkon vullnetshëm asnjëra nga partitë që ka fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës, por nëse nuk arrihet të krijohet një qeveri e qëndrueshme, e për më tepër nuk arrihet të vihet në funksion Kuvendi i Kosovës, atëherë edhe shkuarja në zgjedhje shihet si opsion. Tribuna ka marrë qëndrimet e të gjitha partive dhe e vetmja që nuk e ka problem shkuarjen në zgjedhje, marrë parasysh ngërçin politik të krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit, është Lëvizja Vetëvendosje.

Të tjerat, si PDK-ja ashtu edhe ato të bllokut paszgjedhor njëherë duan të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth ligjshmërisë së zgjedhjes së Isa Mustafës kryetar Kuvendi, e pastaj të marrin masa për krijimin e Qeverisë. Ndryshe nga partitë e bllokut, në PDK nuk përjashtohet opsioni për krijimin e një koalicioni të gjerë. Këtë e kanë thënë krerët më të lartë të partisë fituese në zgjedhje. Në debatin, se a janë zgjedhjet zgjidhje nga situata e krijuar, është përfshirë edhe ambasadori britanik Ian Cliff.

Ky diplomat, ka thënë se është i bindur që për qytetarët në Kosovë nuk është me interes të organizohen zgjedhje të reja. Sipas tij, në vitin e fundit janë ballafaquar me disa procese zgjedhore. Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff, ka thënë se Britania dëshiron që dialogu Kosovë-Serbi të vazhdohet sa më parë, kurse për të ashtuquajturin Park i Paqes në urën mbi lumin Ibër, ka paralajmëruar zgjidhjen në tri faza, por në fund siç ka thënë ai, duhet të arrihet te zgjidhja që patjetër të mundësohet liria e qarkullimit mbi urë.

KKVITI

Ambasadori britanik ka deklaruar se pjesa e marrëveshjes së Brukselit që ka të bëjë me njohjen e diplomave nuk po funksionon. Ai ka thënë se duhet punuar në njohjen e diplomave që jepen në Universitetin në veriun e Mitrovicës. Cliff ka bërë të ditur se Ambasada e Britanisë së Madhe ka mbështetur një numër të juristëve serbë të cilët dëshironin të jepnin provimin e jurisprudencës dhe të inkuadrohen në punën e Gjyqësorit të Kosovës. “Por, pastaj kemi ardhur në situatën që atyre juristëve u është thënë se nuk mund t’i shtrohen provimit të jurisprudencës, sepse diplomat e tyre të lëshuara në Universitetin e Novi Sadit, të Beogradit, këtu nuk njihen”, ka thënë Cliff.

Autoritetet shtetërore në Serbi, tashmë janë deklaruar haptas se janë në pritje të Prishtinës zyrtare për ta caktuar ekipin e saj, në mënyrë që të përballen sërish në Bruksel. Pro dialogut nuk është vetëm Hashim Thaçi i PDK-së, i cili edhe e ka nisur këtë dialog, por edhe pretendenti tjetër për kryeministër, Ramush Haradinaj. Por ky i fundit, e ka ndryshimin e formatit të dialogut, si kusht nga Vetëvendosja për t’u bërë pjesë e koalicionit paszgjedhor.