Dialog për hir të Kosovës

Kosova duhet ta mbrojë imazhin e saj pasi çdo dëmtim eventual ul ndjeshëm reputacionin në Evropë dhe në botë. E ulja e reputacionit dëmton ndjeshëm marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. Kështu ka thënë në një intervistë për gazetën “Zëri”, diplomati nga Shqipëria, profesor Lisen Bashkurti. Kosova ka nevojë, sipas tij, për një strategji të veçantë për marrëdhëniet ndërkombëtare, gjë e cila nuk ka ndodhur deri më tani. Ndërkohë duke folur për bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, Bashkurti ka thënë se roli i Shqipërisë duhet të jetë më i madh në këtë drejtim, dhe se Tirana ka shpalosur dobësi të ndjeshme.
Krejt në fund, Bashkurti “Zërit” i ka folur edhe për rrezikun aktual politik dhe ekonomik me të cilin po ballafaqohet Kosova aktualisht. Në këtë pikë ai ka ftuar të gjithë aktorët shtetërorë të Kosovës të ulen dhe të diskutojnë seriozisht për të ardhmen e saj.
Zëri: Pse komisionari i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, nuk erdhi në Kosovë? Është dashur të vijë këtë muaj. A nënkupton kjo se procesi diku sërish ka ngecur?
Bashkurti: Vonesa ose shtyrja e ardhjes se komisionarit të BE-së për Migracionin mund të ketë shkaqe të ndryshme. Për këtë është mirë që Ministria e Integrimit Evropian në Kosovë të japë shpjegime publike. Është kërkesë e drejtë e publikut për qasje informuese nga ekzekutivi.