Hidromorava

Diagnoza e Labirintit Ekonomik

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Raif Ramabaja – Nëse e pranojmë diagnozën reale të ekonomisë së Kosovës, sigurisht se do të rritën edhe shanset për shërim. Por, magjistaret tanë ende mendojnë se kjo çështje mund dhe duhet të zgjidhet me magji.

E në qoftë se e bëjmë anamnezën e shoqërisë dhe ekonomisë Kosovare,mund të shohim se as një nga çështjet kryesore të sistemit ekonomik nuk është ndryshuar, apo është ndryshuar fare pak.

Edhe më tutje kemi diskrepancë të madhe në mes të prodhimit dhe shpenzimeve, në mes të kursimeve dhe investimeve, në mes të importit dhe eksportit, në mes të njerëzve aktiv dhe atyre që mbahen nga shteti, të zhvilluarve dhe të pazhvilluarve. Kemi shkallën më të lartë të papunësisë dhe të varfërisë në Evropë.Kemi administratën më megalomane për kokë banori në Evropë, me tendencë jo të zvogëlimit por, të rritjes, e cila është ngarkesë për shtetet e zhvilluara e lere më për Kosovën. Në vend që të ndërtojmë industrinë dhe të punësojmë njerëz atje, ne kemi stërngarkuar administratën kudo në nivel lokal dhe qendror. Të gjitha këto fakte nuk na japin edhe hapësirë për t’u lavdëruar.

Pra, të gjitha këto disproporcione janë në fuqi dhe gjendja normalisht nuk mundet të jetë e mire. Por, pozitive është se të gjithë po pajtohemi se jemi të sëmurë dhe se duhet të shërohemi. Edhe Qeveria e mbron këtë qëndrim. Problemi është se ende nuk dihet se si do të shërohemi, për sa kohë dhe me çfarë përfundimi.

Ekonomia është disiplinë delikate

Duhet ta dimë se ekonomia është disiplinë delikate, e disa njerëz mendojnë se munden lehtë ta kuptojnë. Ekonomia është shumë më delikate se që dukët në shikim të parë. E këtu shumë politikanë bien në kurth, sidomos kur përdorin terapinë globale, siç është rasti tek ne. Disa njerëz mendojnë se ekonomia është forcë që dikujt t’i merret diçka , e t’i epet dikujt tjetër. Kësaj sfide politikanët vështirë se i përballojnë.

Ata (politikanët) shpesh në zgjedhje premtojnë që dikujt ti japin diçka, por nuk tregojnë se kujt do ti ja marrin. Ky është rasti edhe me liderët tanë. Ata kënaqen me tentimet e tyre për të drejtuar rrjedhat ekonomike në vend, por ajo që po ndodhë tani është modeli liberal, i cili nuk pranon përzierje. Ne i përvetësojmë mjetet nga modeli liberal, e në anën tjetër dëshirojmë të arbitrojmë. E këtu nuk shkon njëra me tjetrën.

Jemi dëshmitar se njerëzit e pasur akumulimin e vet e shpenzojnë në luksoz. Po më dukët se vetëm tek ne, pronaret marrin nga firmat e tyre dhe këtë kapital e investojnë në pasuri personale. E në botë gjithkund është e kundërta. Pronarët e kompanive, pasurinë personale e investojnë në biznese. Gjithnjë dëshirojmë disi që dikë ta mashtrojmë- kreditorët, bankat, shtetin. Në qoftë se ka më tepër llogari të mos respektohet ligji se sa të respektohet, atëherë kjo normalisht kalon në dukuri.

Dëshirojë të theksojë se ne si shtet i ri, ende nuk kemi politikë autonome. Politika jonë vlerësohet nga Brukseli dhe Uashingtoni dhe ne kënaqemi me ato vlerësime, shpesh here duke u lavdëruar sikur fëmija para nënës së vet.

Problemi është se edhe miqtë tanë ndërkombëtar të cilët edhe na dizajnojnë politikën,nuk i tregojnë të gjitha. Ata na tregojnë se çka donë, por jo edhe si ta realizojmë atë. E kjo do të thotë se nuk qëndron problemi çka dhe a duhet, por si !

Mobi Casa

Si një shembull të keq kisha cekur çështjen e pensioneve. Në qoftë se vite me radhë dikush ka paguar kontribute dhe ka fituar një drejtë të caktuar e cila quhet pension, kjo është e drejtë pronësore. Nuk mundet që kjo e drejtë atij ti merret, dhe kjo në emër të parimeve liberale.

Në vend të kukatjeve 15-vjeçare, ne sot është dashtë ta kemi Fondin Kosovar të Pensioneve dhe se pensionistët ta marrin pensionin e merituar sipas kontributit të tyre. Shteti po luan me ndjenjat e kësaj kategorie. Nuk është arsyetim se Serbia e ka marrë ish Fondin Pensional dhe ne s’kemi çka të bëjmë. Kjo na tregon se nuk eksiton e drejta e garantuar mbi pronën.

Praktika na mëson se ekspertet e mirë nuk konsultohen fare, ose konsultohen për të përkrahur atë që dikush ka vendosur ta zbatojë. E kjo nuk na jep rezultatet e pritura. Po shihet se nuk kemi një raport të shëndosh në mes ekspertëve dhe pushtetit dhe se realisht ata ftohën vetëm për tu dëgjuar se çka mendojnë. Për këtë, në “debate publike me qytetarët” shkojnë detyrimisht vetëm zyrtarët e administratave komunale e jo edhe qytetarët.

Çështja e dytë është se na mungon dija fondamentale mbi ekonominë. Ne i mësojmë kuadrot tona se si të behën shefa nëpër vetëshërbimet e huaja, e jo si të krijojnë vlerën e re. A jemi dorëzuar si komb ? Gati se po.

Ekonomia ka premisa edhe të shkencës shoqërore. Por, ekonomia nuk e përcakton se si ta balancojmë p.sh. buxhetin, këtë e bënë politika. Edhe TVSH-ja po ashtu nuk është vetëm kategori ekonomike, por edhe çështje politike. Ekonomia na mëson p.sh. se ky autobus nuk mund t’i bartë 200 persona,por, kënd do ta qesim jashtë, vendos politika.

Siç janë duke shkuar gjërat, Kosova edhe shumë vite do të jetë shtet i varfër. Ne nuk kemi as naftë as gaz, nuk jemi të prirë dhe as që mundemi të plaçkitim pasurinë e shteteve tjera. Na mbetet vetëm dituria dhe organizimi i mirë si e vetmja rrugë për të ecur te para.

Kosova është shtet i vogël

Kosova është shtet i vogël dhe njerëzit janë resurs i rrallë. Neve të gjitha na mungojnë, vetëm njerëzit e arsimuar janë tepricë. E këta detyrohen të ikin nga vendi. Kjo është më shumë se fatale për Kosovën, ikja e njerëzve të rijnë dhe të arsimuar, të cilët ma nuk kthehen jo për të jetuar, por as për ta vizituar Kosovën. E kështu po shkojmë në drejtim që të importojmë “ekspertë”, të cilët do të na organizojnë shtetin…

Pa ekip kualitative, nuk ka as gola. Trajneri nuk ka mundësi të bëjë asgjë në qoftë se p.sh. e kupton se qendërsulmuesi e ka një këmbë më të shkurtër. Prandaj, nuk është edhe çudi që po japim shumë autogola, sepse ende nuk kemi arritur, por edhe nuk po dëshirojmë që të kemi institucione të qëndrueshme dhe shtet funksional juridik. Në vende kyçe është evidente se kemi shumë njerëz me kualifikime të dyshimta.

Kosovës si shtet i duhet një infuzion i fortë i kapitalit njerëzor dhe kapitalit tjetër, sepse ajo iu është ekspozuar një anemie klasike./rajonipress/