RCCOLA

Dhurata: Privatësinë e ruaj me xhelozi

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Hyri fuqishëm në skenë muzikore, ndërsa tani radhitet tek emrat më të kërkuar të skenës sonë. Është kjo Dhurata Ahmetaj e cila pas dy vjet punë intensive në treg solli albumin e saj të parë ‘Dhurata’. Këngëtarja në një bisedë për gazetën Tribuna, ndër të tjera ka shpalosur edhe shumëçka rreth punës së saj për këtë projekt…

Ajo sapo ka lansuar këngën e saj në bashkëpunim me Bleron të titulluar ‘Shumë o ka ma donë’, e si duket Dhuratës me të vërtetë po ia do për shkak se ajo para dy dite lansoi albumin e saj të parë në treg. Në një intervistë për gazetën Tribuna ajo ka shpalosur shumë detaje rreth këtij albumi e po ashtu ka treguar edhe me kë ka bashkëpunuar për të.

Ajo tregon se është shumë e entuziazmuar, ndërsa shpreson që edhe publikut do t’i pëlqejë. “Albumi ka dal dje në shitje. I ka 13 këngë, është realizuar me kompaninë ‘Elephant’, shumicën e këngëve i ka bërë Blero me Dj Nurteel, disa tekste e vija melodike i kam bërë unë me Lonin. Përndryshe është albumi im i parë, kam punuar plot dy vite për këtë album, është diçka e mirë dhe po mendojë që do të jetë i pëlqyer prej njerëzve se vërtet e kam punuar me shumë vullnet dhe shumë dashuri.

Besoj shumë që krejt senet që behën me dashuri shpërblehen, kështu që unë jam duke pritur edhe shpërblimin e publikut”, ka thënë Dhurata, duke shtuar se edhe producentët Zzap&Chriss i kanë ndihmuar për këtë album. E këtë projekt Dhurata ka vendosur ta titulloj me emrin e saj, kurse arsyeja e këtij titulli sipas saj është. “Albumi titullohet ‘Dhurata’ arsyeja se pse kam dashur ta titulloj kështu është që albumi im i parë të jetë me një mend dhuratë për fansat e mi”.

Në album ka këngë që janë dëgjuar më parë, por ka edhe këngë që publiku do ti dëgjojë për herë të parë. “Janë disa këngë që janë dëgjuar edhe më herët por janë edhe disa të tjera që publiku do ti dëgjojë për herë të parë, këngët do të dalin shumë shpejt në kanalin tim zyrtar në ‘Youtube’, dhe nëse ndonjëra do të dëgjohet më së shumti atëherë ndoshta do të ia bëjmë edhe klipin”, ka theksuar këngëtarja.

UBT

Shpresoj të vazhdoj kontratën me ‘Elephant’

Bashkëpunimi me Bleron dhe kompaninë e tij ka rezultuar shumë i suksesshëm për Dhuratën, ajo tregon se është shumë falënderuese ndaj Bleros, derisa shpreson se bashkëpunimi mes tyre do të vazhdojë edhe më tej. “Unë kam kontratë me Bleron dhe kompaninë ‘Elephnat’ për tre vite, me mundësi vazhdimi, tash në nëntor behën tri vite, po bashkëpunimi jonë ka rezultuar shumë i suksesshëm dhe Blero ka qenë ai i cili më ka besuar dhe më ka sjellë deri këtu ku jam sot. Unë jam shumë falënderuese dhe mirënjohëse për të, e tëra kjo mund të ndodhë që ne të vazhdojmë kontratën”.

E suksesi i këngëve të saj po del të jetë arsyeja se pse po kërkohet Dhurata aq shumë nëpër mbrëmjet muzikore, meqë edhe vetë këngëtarja pohon se është shumë e angazhuar. “Me mbrëmje muzikore jam shumë e angazhuar, kështu që jam shumë e kënaqur edhe me këtë pjesë, puna ime është duke rezultuar mirë, njerëzit po dëshirojnë të më shohin e të më dëgjojnë”, tregon këngëtarja, duke mos dashur të shpalos shifrat që fiton gjatë mbrëmjeve muzikore.

“Sa i përket fitimeve nuk kisha mundur të them asgjë, unë besoj që e vlerësoj shumë mirë punën time, kështu që e vlerësoj mirë edhe këtë pjesë”. E jeta private ruhet me shumë kujdes dhe xhelozi nga ana e saj, e si e tillë, këngëtarja preferon ta ruajë vetëm për vete, derisa nuk heziton të theksojë se nuk ka ndonjë gjë konkrete. “Sa i përket jetës private, unë nuk kam dëshirë që publiku im dhe njerëzit të më identifikojnë mu prej jetës sime private, dhe gjithmonë jam munduar ta ruaj këtë pjesë me shumë xhelozi dhe do të vazhdoj ta ruaj kështu që përderisa është jetë private mbetet private. Por jo nuk ka diçka konkrete, jam njëjtë ashtu siç kam qenë”, tregon Dhurata për fund.