Dhuna familjare në Kamenicë shënon rënie

Gjilan – Në Kamenicë është zhvilluar një debat i frytshëm lidhur me parandalimin e çfarëdo dhune në familje i cili ishte i organizuar nga zyrtarja për barazi gjinore Zejnije Lenjani , dhe grupit joformal i grave Besa Krasniqi. Të pranishëm ishin një numër i madh i grave, këshilltare të Kuvendit komunal, Kryetari i Komunës Shaip Surdulli , përfaqësues të OSBE-së dhe të tjerë.
Zejnije Lenjani, ka folur për rëndësinë e debatit njëherit falënderoi Kryetarin për mbështetjen e aktiviteteve të grave. Ndërsa, Kryetarja e grupit joformal të grave Besa Krasniqi ndër tjera tha se komuna e jonë mjetet e ndara për zhvillimin e aktiviteteve të grupit jo formal të grave, po i tregon si shembull e model edhe të komunave tjera.
Ajo njoftoi se në takimin tjetër do të bëhen ca plotësime e ndryshime në rregulloren e grupit. Kryetari i komunës së Kamenicës Shaip Surdulli, tha se përfaqësimi i grave nuk është i kënaqshëm, por duhet angazhuar për përmirësimin e sajë, mirëpo mund të themi se dhuna ndaj gruas tani është ma e vogël se dikur.
Ai kërkoi që edhe vet gratë duhet të jenë vetë më aktive edhe në aspektin institucional. Kryetari porositi që të shfrytëzohen mjetet e ndara për aktivitete, duke u mbuluar pjesa rurale e komunës. “Të organizohen takime me ato gra që nuk kanë mundësi të vinë në Kamenicë, derisa institucionet tjera janë të obliguara dhe paguhen për shërbimet e tyre puna e grupit të grave është vullnetare, bëhet nga vullneti i mirë për përmirësimin e pozitës së femrës në shoqëri” ka thënë Surdulli.
Sipas njësitit komunal të cilin e përfaqësoi Mustafë Dervodeli, numri i rasteve të dhunës në komunën e Kamenicës, këtë vit ka shënuar rënie , krahasuar me vitin e kaluar. Në vitin 2011, sipas tij ka pasur 26 raste të dhunës, prej tyre 20 te shqiptarët, 6 raste te serbët dhe 1 romë. Për 20 raste është bërë kallëzim penal, në 16 raste viktimat janë femrat , ndërsa, 9 raste janë meshkujt. Për vitin 2012 janë të paraqitura 17 raste.
Nexhmije Kallaba , tha se ne si grup së pari duhet t`i njohim ligjet, ku preket fuqizimi i gruas në shoqëri si të implementohen në praktikë , pasiqe ekziston programi nacional kundër dhunës në familje. Kallaba ka përmendur shumë dimenzionalitetin e kësaj çështjeje dhe tha se ende ka raste që nuk lajmërohen në polici. “Të kemi një bashkëveprim të ndërsjellët të gjitha institucionet dhe shifrat të jenë të njëjta” tha ajo. Azemine Maliqi, tha se pasi ekziston plani nacional kundër dhunës, atëherë ky plan edhe duhet të mbështet.
Sipas Shqipe Maliqit dhuna në familje është një problem global, ndërsa gruaja shqiptare është e diskriminuar për shkak të përkatësisë gjinore. Kryeinfermierja e QKMF-së, Nafije Ajvazi, tha se nganjëherë dhuna nuk tregohet ku gruaja lëndimet trupore i shpjegon si vetëlëndime.
Minivere Maka, mendon se dhuna në familje e ka bazën e vetë në bazën ekonomike si grup i grave të formojmë një ekip mobil për informim në terren.
Koordinatorja e njësisë komunale për të drejtat e njeriut Nazmije Demolli-Kastrati , njoftoi për aktivitet e ndërmarra nga ky njësitë në ngritjen e vetëdijesimit në shkolla të ndryshme të komunës. Në fund si rekomandim ishte që të shtohet mobilizimi dhe aktiviteti të vazhdoj gjatë tërë vitit. Të shtohet bashkëpunimi mes të gjitha institucioneve që merren me ketë çështje të shkëmbehen informacionet, të formohet një data bazë me shënime, të bëhet një plan i punës dhe të zhvillohen aktivitetet në terren. /rajonipress/