UBT

Dhjetë ‘jo’-të për “Minishengenin” ballkanik

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Nga Blerim Reka – Pas publikimit të non-paper francez, e para trilaterales së Durrësit, ja 10 arsyet pse nuk duhet kyçur në këtë paradhomë zëvendësuese të BE-së.

(1) Nga viti 1998 pati shumë nisma të tilla për integrime rajonale (“BAFTA”, “Beneluksi Ballkanik”,” WB6”), por të gjitha i kundërshtoi Serbia. Pse tash duhet mbështetur një iniciativë të saj të ngjashme, kur ajo për dy dekada ishte kundër integrimeve të tilla? Vetëm, pse Beogradit, i dështoi plani për ndryshim kufijsh, e tash del me planin për shkrirje kufijsh-nën hegjemoninë serbe?

(2) Pas vitit 2006, funksionuan dy nisma institucionale rajonale: CEFTA dhe “Forumi i 4 Presidentëve”. Në të parin, Serbia bllokonte Kosovën, e në të dytin nuk participonte – shkaku i Kosovës. Tash, as që e parasheh Kosovën, sepse në hartën e këtij projekti të Qeverisë së Serbisë, ajo paraqitet si “pjesë e Serbisë”!

(3) Për Serbinë, pra, Kosova, mund të vazhdojë vetëm: me Fusnotë* (në BE), me bllokada serbe (në CEFTA); dhe si “pjesë e Serbisë”, (në Mini Shengenin Ballkanik)! Pse duheshka Kosova të pranojë një ri-pushtim serb – tash edhe në rrafshin rajonal? Aq më tepër që këtë e refuzoi edhe Mali i Zi. Duke e ditur se nuk do mund ta ri-ngjallë Jugosllavinë e katërt, Beogradi së paku tenton ta krijojë Jugosferën, pra hapësirën e shtrirjes së dominimit rajonal serb.

(4) Si mund të propagandohet për integrim rajonal të Ballkanit, kur dy shtete, nuk e njohin Republikën e Kosovës? A mund të paramendohej, dje, Beneluksi apo Bashkimi Evropian për Thëngjill e Çelik, e sot BE; si integrim i shteteve, që nuk njohin njeri-tjetrin? Kjo qenka fryma Evropiane e Vuqiqit: as pajtim, as kërkim-falje as njohje?

(5)Historikisht, projektet “integruese” serbe kishin vetëm një qëllim – daljen e saj në det: pas Luftës së Parë Botërore (me krijimin e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve e Sllovenëve); pas Luftës së Dytë Botërore (me Jugosllavinë); dhe pas luftërave në ish Jugosllavi (me Unonin Serbi- Mali i Zi). Vetëm pas pavarësimit të Malit të Zi, kur Serbia, humbi – pas një shekulli – edhe daljen e fundit në det; tash synon ta kompensojë atë me “integrimin“ e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut – si korridore serbe drejt detit.

Uji Dea

(6) Ekonomikisht, Serbia, ekonomi më e madhe, do jetë edhe përfituesi më i madh i këtij “integrimi” rajonal. E mbyllur kontinentalisht, ajo kërkon treg 20 milionësh – pa doganë dhe porte detare – për eksportin e saj. Një shekull pasi që e kishte pushtuar me luftë Durrësin, sot Serbia do e fitojë – pa luftë, përmes këtij “unoni ballkanik”!

(7) Qarkullimi me letër njoftime midis vendeve të rajonit funksionon edhe tash, sikur edhe sistemi një sportelesh kufitar. Pse vetëm Serbia nuk ka qarkullim të tillë me të gjitha vendet e Ballkanit është problem i saj, jo i rajonit. Rrëfimet për “kamionët që presin në kufi”, e banalizon argumentimin e kësaj nisme. Radhët e kamionxhinjve në kufi nuk do zhduken, sikur që nuk u zhdukën as deri më tash, edhe me qarkullimin – pa pasaporta.

(8) Gjeopolitikisht, pse duhet hyrë në një integrim të tillë të Beogradit, kur Serbia hyri në Unionin Euro- Aziatik të Rusisë, e Rusia hyri në Serbi? Pse dy shtete anëtare të NATO-s, (Shqipëria dhe Mali i Zi), njëri gati pjesë e Aleancës Veri- Atlantike, (Maqedonia e Veriut) dhe tjetri me NATO-n brenda saj, (Kosova), duheshka të “integrohen” me shtetin, i cili jo që nuk e do anëtarësimin në NATO, por vazhdon ti ketë brenda tij- bazat Ruse?

(9) Kjo shpjegon pse në dokumentet e trilaterales së Novi Sadit dhe të Ohrit, askund nuk ekziston fjala NATO! Në to flitet për integrimin në BE, por evitohet kujdesshëm NATO! Se Serbia nuk do anëtarësimin në NATO, kjo dihet, por pse i pranuan dokumentet- pa NATO-n: Shqipëria (anëtare e NATO-s) dhe Maqedonia e Veriut, (së shpejti në NATO)? Aq më tepër kur shteti tjetër anëtar i NATO-s – Mali i Zi- e refuzoi?

(10) Kur u pa se Serbia mbeti ishull i rrethuar nga NATO, autorët e vërtetë të kësaj iniciative “rajonale”, deshën të ndalojnë finalizimin e rikonfigurimit gjeopolitik të Ballkanit. Meqë 4 shtete të rajonit hynë nën ombrellën e NATO-s, e Serbia mbeti jashtë saj; duhej të prishej kjo skemë perëndimore dhe në vend të dominimit të Ballkanit Adriatik, (pro NATO-s) dhe izolimit të Ballkanit Danubian, (kundër NATO-s); me këtë union, tentohet që rajoni të shkrihet në një integrim rajonal “pro- BE”- por ushtarakisht “neutral”.