Dhimbja e bukur e familjeve të mëdha
Dhanë gjakun e tyre për lirinë e Kosovës, po para se të jepnin edhe gjakun, familjet Jashari, Haradinaj e Ramadani, sikurse edhe shumë familje shqiptare që kanë dhënë dëshmorë, kontribuan shumë më herët, që sot, në prag të festës së 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Kosova të festojë e lirë së bashku me bashkëkombasit e tyre, dhe, sivjet, pikërisht në këtë përvjetor, si asnjëherë më parë, Kosova frymon kuqezi, bashkë me këngën “Xhamadani vija-vija, është Kosova e është Shqipëria”. Kjo dhimbje e bukur, për përfaqësuesit e këtyre familjeve ka një emër, festë kombëtare.
Murat Jashari, i familjes Jashari, shprehet të ndjehet mirë që Kosova, sikurse pjesët e tjera të Shqipërisë, në këtë njëqindvjetor, si asnjëherë me parë është veshur me ngjyrat kuq e zi. “Edhe Kosova në forma të ndryshme po feston dhe po i nderon figurat kombëtare”, është shprehur për “Zërin”, Jashari.
Duke folur për këtë festë, Jashari nuk ka anashkaluar edhe ëndrrën e të rënëve kosovarë, të cilët e kishin menduar nëpër dekada e shekuj, bashkimin kombëtar. “Mirëpo, gjatë rrugëtimit tonë nëpër shekuj, herë me fajin tonë e herë me atë të fuqive të mëdha, nuk kemi arritur deri te ky qëllim”, ka thënë Jashari.
Por pavarësisht faktit se tani për tani Shqipëria dhe Kosova konsiderohen të jenë dy shtete, për Jasharin nuk është mision i pamundur bashkimi kombëtar, dhe për këtë fakt, ai ka spikatur tri arsye.
“Unë mendoj se kemi të drejtë për të qenë të bashkuar për këto arsye: e para, sepse të gjithë lindin të lirë për të jetuar të lirë, e dyta, në Kushtetutë të vendeve të ndryshme është i njohur elementi referendum, që u jep të drejtë popujve për bashkim apo për ndarje dhe e treta, përderisa popujt apo kombet që kanë gjuhë dhe kultura të ndryshme kanë të drejtë të bashkohen, pse mos të kemi të drejtë edhe ne të bashkohemi kur kemi një gjuhë, një kulturë dhe një hapësirë gjeografike të përbashkët”, ka thënë Jashari.
Për festën e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Jashari ka thënë se si familje që ka dhënë më së shumti dëshmorë për lirinë e Kosovë, kanë qenë dhe janë pjesë e shumë manifestimeve që po bëhen në dedikim të pavarësisë.
“Ne, në këtë njëqind vjetor jemi pjesë e manifestimeve të ndryshme. Në Prekaz, për çdo ditë kemi delegacione të niveleve nga më të ndryshmet. Po ashtu ne adresën tonë kanë arritur ftesa të shumta nga Qeveria e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Gjithashtu, jemi ftuar në manifestime të ndryshme të organizuara nga Kuvendet Komunale, nga shoqata dhe organizata që veprojnë brenda trojeve shqiptare e më gjerë”, ka thënë Jashari.
Në emër të familjes Jashari, Murati është shumë optimist se e ardhmja e Kosovës, por edhe e Shqipërisë do të jetë shumë më e mirë se sa e tashmja, duke pasë si referencë mospërsëritjen e gabimeve të së kaluarës.
“Padyshim se e ardhmja do të jetë shumë më e mirë se sa e tashmja. Konsideroj dhe besoj se ne si gjeneratë nuk do t’i përsërisim gabimet e së kaluarës. T’i marrim të mirat që na bashkojnë nga e kaluara jonë dhe t’i largojmë ato që na ndajnë. Këtë obligim e kemi ndaj të parëve dhe pasardhësve tanë. Kështu që, duke e nderuar të kaluarën, e ndërtojmë të ardhmen”, ka thënë Jashari.
E në anën tjetër, Kosharja ka një simbol të quajtur Agim Ramadani, i cili ra në thyerje të kufirit shqiptaro – shqiptar, betejë që e bën edhe më të madhërishme këtë festë kombëtare. Për të venë e Agim Ramadanit, Shukrije Ramadani, festa e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, është një festë që reflekton si një vulë qëndrese, stoike, përballë vështirësive të mëdha në moszhdukjen e kombit shqiptar.
“Edhe pse shteti ynë u coptua, u nda ndërmjet fqinjëve, prapëseprapë shpirti kryengritës dhe liridashës i popullit tonë, jetoi, u ngrit dhe po gjallërohet dekadave të fundit më shpejt se kurrë”, ka thënë Ramadani.
Më pas, duke u kthyer në kohë, në ëndrrën e atëhershme për një bashkim kombëtar dhe ballafaqimi me realitetin e ditëve të sotme, Ramadani është shprehur për gazetën se krejt kjo ëndërr ka një pikë, pasi që gjeneratat e asaj kohe janë rritur me ideologjinë e bashkimit kombëtar.
“Por më e rëndësishmja është bashkimi shpirtëror, kulturor dhe intelektual, e këto gjëra po ndodhin dhe ne jemi dëshmitarë të këtij bashkimi; kjo më bën të lumtur dhe krenare, pasi që amaneti i të rënëve edhe pse nuk është përmbushur në formën e kërkuar, prapëseprapë nuk është lënë në harresë. Na mban shpresa se edhe tashti ka njerëz që punojnë në përmbushjen e këtij amaneti në forma të ndryshme”, ka thënë Ramadani.
Sipas saj, gjithë luftërat e mëhershme që janë bërë nga të gjitha anët e kombit shqiptar janë bërë për një pozitë tjetër të kombit shqiptar.
“Nuk është imagjinuar më herët se shqiptarët në 100-vjetorin e Pavarësise së tyre do të jenë të ndarë në pesë shtete. Nuk është imagjinuar që edhe pas një lufte të përgjakshme nga e cila ende nuk jane shëruar plagët dhe nuk janë gjetur të zhdukurit, të mendohet për një ndarje të re të tokave shqiptare dhe në shtetin tonë të sapoformuar të pranohen kufi administrativ, por kjo po ndodh. Por unë mendoj se Shqipëria përkundër vështirësive që ka patur për t’u ngritur në këmbë, asnjëherë nuk ka lënë anash mbështetjen për Kosovën dhe këtë e ka dëshmuar si në mbështetjen e luftës liridashëse të UÇK-së edhe tani në kërkimin e së drejtës për më shumë njohje të shtetësisë së Kosoves, si dhe për prezentim sa më të denjë para botës”, ka thënë Ramadani.
Më pas, Ramadani deri sa ka qenë mirënjohëse për ftesat nga ana e Shqipërisë me rastin e festës së 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, si në inaugurimin e ekspozitës së punimeve artistike të Agimi Ramadanit në Tiranë me titullin “Erdhi kohë e Arbërit”, ajo ka thënë se Kosova atë e ka harruar me rastin e kësaj feste.
“Nga Kosova askush nuk është bërë i gjallë në raport me mua, dhe si duket kanë harruar se jeton familja e Agim Ramadanit në Kosovë. Shpesh e kërkoj arsyen e kësaj mospërfillje, ndoshta për faktin se nuk i përkas asnjë partie politike, e fatkeqësisht këtu njerëzit po maten me peshën e partisë”, ka thënë Ramadani.
Megjithatë, ajo në fund është shprehur optimiste për kombin shqiptar, këndej e andej kufirit, pasi që, edhe kufijtë e mëhershëm që kanë ndarë kombin shqiptar i ka quajtur të kenë qenë kufij artificialë.
Problemet nuk janë të vogla as për Daut Haradinaj, anëtarin e familjes së madhe të Haradinajve, e cila Kosovës i fali shumë. Haradinaj thotë se për kombin shqiptar kanë ndodhur shumë gjëra pozitive. Pavarësisht faktit se ai potencon edhe prezencën e shumë problemeve, primat i vë ngjarjeve të mëdha që po ndodhin në këtë përvjetor të kombit shqiptar.
“Kosova sot është e lirë, edhe pse me shumë probleme, por gjithsesi krenar në këtë 100-vjetor, sepse po ndodhin gjëra të mëdha, aq më tepër lidhja me Shqipërinë”, është shprehur Haradinaj. Ekzistimin e kufijve mes Kosovës dhe Shqipërisë, ai i vlerëson të jenë më tepër teknik se sa real, pasi që, komunikimi në mes këtyre dy vendeve është i lirshëm. “Pothuajse kufijtë ekzistojnë vetëm teknikisht, sepse komunikimi është i lirshëm. Shpresoj se edhe pas këtij 100-vjetori, shqiptarët do të dinë të punojnë për të ardhmen e vet evropiane”, ka thënë Haradinaj.
“Shqiptarët gjithmonë janë përpjekur që të fitohet liria, karshi padrejtësive që i janë bërë kombit shqiptar 100 vjet më herët, aq më tepër në kuptimin e trojeve shqiptare”, ka thënë Haradinaj. Mirëpo, edhe ai, sikurse Jashari e Ramadani është shprehur mbi mosrealizimin e të gjitha pritjeve të kombit shqiptar.
“Natyrisht se të gjitha pritjet e shqiptarëve nuk janë realizuar, por falë përpjekjeve titanike të sakrificës shumëvjeçare të kombit shqiptar jashtë kufijve nëse mund t’i quaj ashtu, Kosova është e lirë, shqiptarët në Maqedoni kanë të drejta shtesë, por natyrisht që presim që ditët në vijim të jenë edhe më të mira”, ka thënë Haradinaj.
Për familjen Haradinaj, festa e 28 Nëntorit, fillimisht është festë familjare, për të ndarë më pas këtë kënaqësi kombëtare edhe me bashkëluftëtarët e tjerë të cilët kanë kontribuar për këtë ditë, që vlerësohet të jetë më e arrira për kombin shqiptarë.
“Tradicionalisht çdo 28 Nëntor e festoj në familje, edhe në festën e 100-vjetorit do të jemë pranë familjes, ndërkaq në mbrëmje do të bashkohem me bashkëluftëtarët, sikurse që është Rexhep Selimi dhe luftëtarë të tjerë të lirë, dhe do të festojmë dhe do të ngremë dolli në nderim të gjithë sakrificës dhe do të krenohemi me flamurin kombëtar”, ka thënë Haradinaj.(zeri)