Dhe, barbarët vranë lule…

Gjilan – Hanumshahe Abdullahu nuk jeton më. Iku në botën tjetër. Ajo shkoi në përjetësi. Shkoi para kohe e ra dëshmore e kombit. Na kujtohet si sot, kur në gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjianit, ajo na ishte nxënësve e klasës II-6. Në këtë klasën, ku mësoi ajo, pati nxënës të dalluar, si: Lindita Shabani- tash juriste, Shpresa Vokshi (Hajdari), një aktore e Teatrit të në Gjilan, Drita Shaqiri (mjeke), Jashar Ramadani, vëlla i Agim Ramadanit – mjek, Sadullah Mahmuti (mjek) e sa e sa të tjerë.
Ajo ishte një engjëll në shkollë. Ishte e lidhur me tërë qenien për shkollën, librin, orët letrare, revisën shkollore… E artin letrar, poezinë, prozën, fort i deshi. Ishte e pasionuar pas librit, artin e dijes e të jetës. Në një mënyrë, ajo i gjasonte Afërditës së Serjo Spasses. Rrinte përherë në bankën të parë me shoqet e saja: Sevdije Shkodrën, Shpresa Vokshin etj. Ishte vajzë e urtë e punëtore.
Secili profesor e thërriste me emrin përkëdhelës: Nushe. Ajo nuk zemërohej, por kënaqej nga ky komunikim me profesorët. Ishte një vajzë që fliste ëmbël, pothuaj “si puhia” e erës. Në mendjen e sillej diçka e thellë, diçka kombëtare… Hartimet e saja ishin plot figura të thella mendimesh. Hanumshaja pati një trup të shkurtër e pak zeshkane. I qeshte “nuri” kah fliste e buzëqeshur me atë gazin e jetës. Ishte qenie simpatike, por e dashur dhe shumë e afërme me të gjithë njerëzit.
Kjo ishte Nushja e viteve 1979. Kjo ishte gjimnazistja e Gjilanit, ajo shkollarja e shembulltë e shkollës. Dymbëdhjetë tetori i vitit 1962, shënon datëlindjen e Hanumshahe Abdullahut. Ajo hyri në shkollë në vitin 1968. E deshi shkollën me zemër. Ajo, edhe në shkollën fillore që shkollare e dalluar. E dalluar ishte edhe në gjimnazin e Gjilanit. U lind në kohën kur vinin “Pranverat e Mëdha”.
Nushja, në vitin 1981 i vazhdoi studimet pranë Fakultetit Filologjik në Prishtinë në Degën e Letërsisë Shqipe. Ishte viti i parë i studimeve. Atë kohë vlonte rinia, por “nxehej” edhe njerëzia. Ishte ky vlim zgjimi e vit kombëtar. E, në këtë vlim, Hanumshaja e shihte një dritare të jetës “tjetër” të re. Ajo këtë jetë e përgjonte kah ringjallej kah jeta e adhuruar…
E “shihte”varrimin e demonit ballkanas. Sikur e kishte lexuar sa herë tregimin me motiv të një krijuesi “Edhe unë do të çohem”i Adem Salihajt nga Ferizaj. I binin në mendje ato këngë kreshnike për Kosovën, për Hasan Alinë, për Azem Bejtën, Bajram Currin, Shote Galicën e Hasan Prishtinën, për Mic Sokolin e Idriz Seferin, kreshnikun e Karadakut. Vitet 1968 dhe 1981 ishin vite të artikulimit të shtetësisë së Kosovës.
Hamunshahe Abdullau u gjend në këto vite, e cila si vashë e re iu përvesh punës e jetës për organizimin e demonstratave që i prinin figurat e njohura të kësaj ane të Gjilanit, si Jusufi, Kadriu, Bardhi, Rexhepi, Nushi, Zijadini etj. Por, ranë në“takt” edhe me literaturën “Zëri i Kosovës” e me revista tjera.
Hanumshahe Abdullahu lexonte, por edhe përhapte ide revolucionare. Ajo ngazëllehej nga gëzimi, nga kënaqësia në këtë rrugë të nisur.. Sytë e saj të zi sikur hapëronin shumë përpara. Ajo kreu fakulteti me kohë dhe me sukses të dalluar. Edhi përsëri në vendlindje, Gjilan.
Tash Hanumshaja Abdullau ishte me diplomë. Ajo u bë anëtare e LDK-së. Dhe, jo vetëm kaq. Kështu, në LDK-n mori “guximin” e jetës. Gjithnjë ishte aktive. Aktive në përgatitjen dhe organizimin e një lufte për çlirimin kombëtar të popullit shqiptar.
Nushin e shohim si drejtoreshë në shkollën fillore “Rexhep Elmazi” në Gjilan. Aty ajo dha kontributin e saj të fundit për edukim dhe arsimimin e gjeneratave te reja. E donin arsimtarët, prindër, por e donin edhe shkollarët. Ishte e dashur nga të gjithë. Por, kur erdhi lufta, ajo me të shoqin Tefik Zymberin u gjenden në detyra të rëndësishme të ZOK. Shtëpia e Nushës ishte bërë një çerdhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dhe, ditën e fundit, ajo u gjend në malet e Zhegocit. Ajo ishte në rolin e zëdhënëses për informim. Por, aty kah ora 9 e 30 minuta të datës 15 prill të vitit 1999, mu te Hani i Zhegocit, ku zhvillohet një përleshje e rreptë në mes të UÇK-së dhe forcave serbe, vriten disa dëshmorë, por vriten edhe dy dëshmorët e kombit: Hanumshahe Abdullahu dhe Tefik Zymberi. Atë ditë në këtë betejë u ranë edhe shumë të tjerë.
Nushja la pas dy drita të jetës: Djellën dhe Atdheun. Ajo ra për lirinë e Kosovës. Ajo ishte heroinë e rrallë shqiptare. Ajo e deshi shumë Kosovën, atdheun, sepse atdheu i saj ishte Kosova e shtrenjtë. Në fletoret e saj të ditarit, ajo pati shkruar këto fjalë: “Të dua Kosovë si nënë time”! Ajo sot fle e qetë si poezia e pashkruar e jetës. Ajo s’ka vdekur, por vetëm ka ndërruar mënyrën e jetës “tjetër”. /tefik selimi/rajonipress/