Deutsche Welle: Komuniteti ndërkombëtar, i shokuar nga dhuna e opozitës në Kosovë

Tetë vjet më parë, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia. Por, vendi më i ri i Evropës tashmë po ballafaqohet me probleme të mëdha. Opozita do të mbajë një demonstratë masive për ta rrëzuar Qeverinë, shkruan “Deutsche Welle” (DW).
Sipas DW-së, përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar janë shokuar nga dhuna e muajve të kaluar në Kosovë. “Dhuna nuk duhet të pranohet si një mjet legjitim për ndryshimin e Qeverisë”, ka thënë Ernst Reichel, përfaqësues i Evropës juglindore në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.
“Më e keqja është se opozita kosovare kurrë nuk është distancuar nga dhuna. Duhet përdorur argumentet racionale në një debat parlamentar dhe jo të hedhet gaz lotsjellës dhe koktej Molotovi”, ka shtuar ai.
Që nga gushti i vitit të kaluar, anëtarët e opozitës kanë ndërprerë sesionet parlamentare duke aktivizuar gaz lotsjellës, duke hedhur vezë dhe duke u tallur.
Në fillim, ata kërkonin nga Qeveria anulimin e një marrëveshjeje për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe të një tjetër marrëveshjeje për demarkacionin me Malin e Zi, shkruan DW.
DW-ja i përshkruan demonstratat e 9 janarit si më të mëdhatë qëkur është shpallur pavarësia e Kosovës tetë vjet më parë. Mijëra kosovarë protestuan në Prishtinë për rrëzimin e Qeverisë. Ata gjuajtën ndërtesën e Qeverisë me koktej Molotovi.
Në anën tjetër, policia u përgjigj me gaz lotsjellës. Dhjetëra policë u lënduan në këto demonstrata, ndërkaq ndërtesa e Qeverisë u dëmtua. Anëtarë të parlamentit u arrestuan dhe më pas atyre iu caktua masa e arrestit shtëpiak.
Partitë qeveritare, LDK e kryeministrit Isa Mustafa, dhe PDK e ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, në mënyrë të prerë kundërshtojnë kërkesat e opozitës.
Sipas DW-së, një çështje kontroverse është edhe zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës. Nëse realizohet marrëveshja e koalicionit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, atëherë ministri i Jashtëm, Thaçi, do të zgjidhet presidenti i vendit. Megjithatë, ai duhet të sigurojë shumicën e dy të tretës së 120 anëtarëve të parlamentit në dy raundet e para zgjedhore.
Në raundin e tretë, atij i duhet vetëm një shumicë absolute. Më tej, DW-ja shkruan se Kosova duhet të veprojë sipas rekomandimeve të miqve ndërkombëtarë nga Berlini, Brukseli, Uashingtoni, Londra, Parisi dhe Vatikani. Sipas DW-së “Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, mendon se të gjitha problemet duhet të zgjidhen në parlament”. /Republika.info